“Nuk provokohet lehtë Vetëvendosja” – profesori hedh poshtë mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve

Politika

“Nuk provokohet lehtë Vetëvendosja” – profesori hedh poshtë mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve

Nga: A.Morina Më: 26 janar 2021 Në ora: 14:06
Lëvizja Vetëvendosje

Kosova po kalon në një periudhë më zhvillime të shumta politike.

Përveç kësaj, vendi po përballet me përplasje të ashpëra mes subjekteve politike dhe institucioneve të pavaruar, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

E gjithë kjo përplasje ka filluar me mos certfikimin e listave zgjedhore të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës. Ky vendim shkaktoi pakënaqësi dhe reagime të shumta, derisa u përmend edhe bojkotimi i zgjedhjeve nga subjekte të caktuara politike.

Lidhur me mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve dhe takimit të kryetarës së KQZ-së, Valdete Daka me shtetet e Quintit, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyçi.

Së pari, profesori e ka cilësuar si absurde vendimin për mos certifikimin e listave zgjedhore të disa subjekteve politike, nga ana e KQZ-së. Madje, Bytyçi tha se ky veprim është shkelje e rëndë kushtetuese.

“Situata e krijuar me listat është deri diku absurde. KQZ kishte mundësi që të mos regjistronte kandidatët me probleme dhe nuk kishte arsye të penalizonte subjektete politike. Është paradoksale të përpiqesh të përjashtosh një subjekt politik nga gara! Kjo është shkelje e rëndë kushtetuese dhe ligjore”, u shpreh Bytyçi.

Profesori tha se takimi i Valdete Dakës me ambasadorët e Quintit ka zgjidhur deri diku këtë problem, dhe se nuk do të ketë më pengesë për kandidimin e partive politike. Ai mentalitetin e Valdete Dakës e krahasoi me mentalitetin e shekullit të kaluar.

“Besoj se takimi i Valdete Dakës dje me ambasadorët e vendeve të Qiuntit i ka dhënë zgjidhje kësaj çeshtjeje dhe nuk do të ketë ndonjë pengesë për kandidime dhe regjistrimin e subjekteve për zgjedhjet e 14 shkurtit. Por opinioni publik duhet të jetë i shqetësuar nga keqpërdorimi i kompetencave një KQZ dhe kryetarja e tij, Valdete Daka. Është guxim prej të marrësh të përpiqesh të penalizosh një subjekt politik, ndërkohë që ka mekanizma që penalizijnë individët. Eshtë parim i demokracisë, që të mos penalizohet e tëra për shkak të pjesës. Por, mentaliteti i Dakës është ende mentalitet i shekullit të kaluar”, nënvizoi Bytyçi.

Kurse, sa i përket idesë së bojkotimit të zgjedhjeve, Bytyçi tha se nuk ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë, pasi LVV e ka shpallur fitoren e saj në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Profesori tha se nëse Vetëvendosje vendos të i bojkotoj zgjedhjet, atëherë ajo do të bie pre e provokimeve të kundërshtarëve të saj politik.

“Megjithatë nuk ka asnjë shans që Vetëvendosje ose ndojë parti tjetër të bojkotojë zgjedhjet e 14 shkurtit. Vetëvendosja e ka shpallur fitoren e saj dhe një parti fituese nuk mund të bëjë bojkot në asnjë rrethanë. Mundet që dikush të provokojë bojkotin, por nuk është mençuri të biesh në provokimet e provokatorëve. Prandaj parashikoj pjesëmarrjen e të gjitha subjekteve në zgjedhje”, theksoi profesori.

Në vazhdim, Bytyçi kritikoi ashpër Valdete Dakën, e cila sipas tij me sjelljet e saj duke tentuar të e penalizojë Vetëvendosjen e me veprimet e saj, ajo po e dëmton në vota elektorale PDK-në dhe LDK-në.

“Ndërkaq përpjekjet e Dakës, Mustafës e ndonjë tjetri për të penalizuar Vetëvendosjen, Listën Osmani apo ndonjë subjekt tjetër politik janë përpjekje dëshpruese, të cilat vetëm se shtojnë elektoratin e këtyre partive politike. Nuk i shton Valdetja vota PDK-së as Isa LDK pse ata sulmojnë partitë ose koalicionin e Vetëvendosjes me Listën e Vjosa Osmanit. Përkundrazi i pakësojnë votat për të dy këto parti, të cilat në publik mbahen përgjegjëse për dështimet e shumta, korrupsionin dhe favorizimin e elelentëve kriminalë përmes korrupsionit e kapjes së shtetit”, u shpreh ai.

Në fund, profesori potencoi se me zgjedhjet e 14 shkurtit, do të fillojë epoka e ndërtimit funksional të shtetit. Ai tha se kjo gjë do të arrihet shumë herë më mirë sesa ishte më parë shteti i Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës.

“Gjithkush e di tashmë në Kosovë se zgjedhjet e 14 shkurtit do të ndajnë epokën e kapjes së shtetit me epokën e ndërtimit funksional të shtetit. Natyrshëm ka njerëz skeptikë për të shpresuar një perfeksionizëm në bërjen e shtetit. Por është e mjaftueshme që të luftohet korrupsioni dhe shteti ndërtohet shumë herë më mirë sesa ishte më parë shteti i Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës”, përfundoi Bytyçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat