Këto janë mundësitë e fundit që të certifikohen Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma

Politika

Këto janë mundësitë e fundit që të certifikohen Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 27 janar 2021 Në ora: 08:02
Albin Kurti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte kërkuar nga disa parti politike që të ndryshojnë listat zgjedhore, pasi aty ishin përfshirë disa persona që kishin probleme me ligjin gjatë tri viteve të fundit. Kësisoj, LVV, AAK e Nisma nuk u certifikuan nga KQZ-ja javë e kaluar.

Derisa po pritet në një vendim të radhës, këto parti kanë nisur fushatën zgjedhore dhe nuk kanë marrë ndonjë vendim prapa për të ndryshuar këto lista.

Mirëpo se çfarë mund të ndodhë në vazhdim, pas vendimit të KQZ-së, derisa nuk ka mbetur shumë kohë deri më mbajtjen e zgjedhjeve, njohësit e çështjeve juridike e kanë sqaruar këtë situatë.

Ky proces pritet të përfundoj deri me 1 shkurt

Kështu, Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për “Bota sot” se, partitë politike që i është mohuar certifikimi kanë të drejtë ankese në PZAP dhe tani janë në pritje të vendimit nga ky institucion.

Image
Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi,

“Të gjitha subjektet politike kundër vendimit të KQZ-së me të cilin ju është mohuar certifikimi, si subjekte politike apo listat e kandidatëve për deputetë, konform dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet, të njëjtit kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë në PZAP kundër këtij vendimi. Ankesat tani më janë ushtruar në PZAP nga partitë e pakënaqura me vendimin e KQZ, dhe pritet që PZAP të vendos lidhur me këto ankesa”, vlerëson ai.

Zekaj thotë tutje se nëse partitë politike sërish janë të pakënaqura me vendimin e PZAP-së, kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Supreme, që e vlerëson si shterrje e mjeteve të rregullta juridike, për certifikimin e këtyre subjekteve. Nëse sërish janë të pakënaqur me këtë vendim, ata mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për shkelje e të drejtave kushtetuese.

“Subjektet politike të pakënaqura edhe me vendimin e PZAP, kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme dhe kjo është shterrja e mjeteve të rregullta juridike lidhur me certifikimin e subjekteve politike dhe listave zgjedhore. I tërë ky proces pritet të përfundoj deri me 1 shkurt. Kandidatet e pakënaqur me vendimin e Gjykatës Supreme mund të iniciojnë procedurën në Gjykatën Kushtetuese për shkeljen e të drejtave kushtetuese, pas shterjes se mjeteve të rregullta juridike”, vlerëson Zekaj.

Tutje, ai thotë se nuk duhet pritur një vendim i Kushtetueses, ndërsa vendimi i Supremes është i plotfuqishëm dhe KQZ është e obliguar në zbatimin e tij.

“Ligji për zgjedhjet nuk e parasheh qe të pritet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rastet e paraqitura nga kandidatët e pakënaqur me vendimet e KQZ. Pas vendosjes edhe nga Gjykata Supreme lidhur me ankesat e kandidatëve, vendimi bëhen i plotfuqishme dhe obligojnë KQZ në zbatimin e të njëjtit”, vlerëson juristi Yll Zekaj.

“Po shkohet drejt dështimit të zgjedhjeve”

Ndërkaq, profesori dhe njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani thotë se në këtë situatë që ndodhet vendi, po shkon drejt dështimit dhe shtyrjes së zgjedhjeve.

Sipas tij, partitë politike po bëjnë presion mbi gjykatat dhe organit të PZAP.

Image
Blerim Burjani

“Po shkohet drejt dështimit të zgjedhjeve dhe shtyrjes së tyre, këto parti e dinë shumë mirë se nuk mund të certifikohen kandidatët e tillë në këto lista që kanë vepra penale dhe kjo është çështje e kryer, tentativa për të bërë presion mbi gjykatat si atë supreme është e kot dhe ndaj organit administrativ PZAP”, vlerëson Burjani.

Ai thotë se me këto ide, është e vështirë që këto parti politike të marrin pjesë në zgjedhje.

“Pra këto parti po i bojkotojnë zgjedhjet, arsyet i dinë ata, pra vështirë me këto ide këto parti do të marrin pjesë në zgjedhje”, thekson profesor Burjani për “Bota sot”.

Ndryshe, gjatë javës së kaluar, Lista e Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate nuk është certifikuar nga KQZ-ja. Kjo për shkak se nuk kanë larguar kandidatët e listuar nga KGJK-ja

Ndërsa Nisma Socialdemokrate nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor as si subjekt politik. Në anën tjetër KQZ certifikoi listat e PDK-së dhe LDK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit, si dhe të Listës Serbe. Kjo pasi në listat e tyre nuk ka asnjë kandidatë që ka probleme me ligjin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat