“Po tenton ta kopjojë Rugovën”, profesori me kritika të ashpra ndaj Haradinajt – kjo është loja e “frikshme” e tij

Politika

“Po tenton ta kopjojë Rugovën”, profesori me kritika të ashpra ndaj Haradinajt – kjo është loja e “frikshme” e tij

Nga: G.B Më: 27 janar 2021 Në ora: 13:22
Ramush Haradinaj

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili njëherësh është kandidat për president, vazhdimisht po deklarohet për bashkimin kombëtar.

Ai ka thënë se kjo duhet të ndodhë dhe se do ta bëjë këtë si president i ardhshëm i Kosovës.

Kjo ide e tij ka hasur më shumë në kundërshtim, se sa në përkrahje.

E kur jemi tek bashkimi kombëtar, nuk dihet si do ta bëjë këtë Haradinaj, derisa dihet që kryeministri shqiptar Edi Rama, kishte paditur liderin e AAK-së.

Lidhur me këtë, profesori Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk beson që Haradinaj nuk bën deklarata të tilla pa sinqeritet, por që të tillat e dëmtojnë Kosovën, derisa shton se ai po tentojë ta bëjë rolin e Ibrahim Rugovës.

“Dua të besoj se ish-kryeministri dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, bën deklarata si kjo me sinqeritet, edhe pse të tilla deklarime e dëmtojnë kauzën e Kosovës. Nuk dua të besoj se ai manipulon me terma dhe ide, me të cilat mund të fitohet ndonjë votë elektorale, por shkatërron themelet e shtetësisë së Kosovës. Mesa kam vënë re, ai përpiqet të bëjë rolin e Ibrahim Rugovës. Rugova, kur haste në kundërshti të mëdha te ndërkombëtarët sa i përket opsionit të pavarësisë, ua hidhte shashkën e bashkimit kombëtar. Ai jo rrallë herë kur donte të bënte presion u thoshte ndërkombëtarëve se "ka edhe një alternativë tjetër, ajo e bashkimit më Shqipërinë"! Dhe asokohe kjo kishte efekt. Kishte efekt se këtë presion e bënte Rugova, i cili kishte pas vetes dy milionë shqiptarë të Kosovës. Kishte efekt, sepse edhe skeptikët i detyronte ta merrnin në konsideratë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Por, sipas profesorit, Haradinaj ka përafërsisht 15 për qind elektorat dhe koha kur ai po flet për bashkim kombëtar, e nëse po tenton ta kopjojë Rugovën, nuk e ka arritur impresionin.

“Por Ramushi përfaqëson diku te 15 për qind të Kosovës në elektorat. Koha kur Ramushi flet për bashkimin kombëtar është tjetër. Pra, nëse sot kopjon Rugovën, nuk është se ke krijuar atë impresionin që krijonte ai. Kështu që zoti Haradinaj duhet t'i ngjajë kohës në të cilën ai jeton. Koha e sotme është krejt tjetër, sepse Kosova nuk është homogjene si në kohën e Rugovës dhe Vuçiç ka mundur ta bindë botën me ndihmën e Ramës e të Thaçit se nuk është Milosheviçi”, është shprehur Bytyçi.

Ai thekson se kjo deklaratë e Haradinajt nuk tremb askënd dhe se ëshë habitur me këtë deklaratë, pasi nuk ka pritur që një patriot si ai të bëjë lojën e Edi Ramës.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Deklarimi se "nëse Serbia nuk pajtohet me njohjen e Kosovës, atëherë ne bashkohemi me Shqipërinë" sot nuk tremb askënd. Madje në Beograd në këtë rast Ramboja duartrokitet, edhe pse publikisht ata bërtasin për rrezikun e "Shqipërisë së Madhe"! Por kur thërrasin se "Shqipëria e Madhe rrezikon", ata kanë projektuar ndarjen e përgjysmimin e Kosovës, me qëllim që "Shqipëria të mos bëhet e madhe"! Dhe në rastin e bashkimit, siç thotë Haradinaj, Serbia kërkon pjesën e vet në Kosovë. Këtë e di Ramushi. Prandaj më ka habit deklarata e tij, sepse nuk prisja që një patriot si ai të bëjë lojën e Edi Ramës”, ka vlerësuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Ai përmend edhe deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, kur tha se "Ushtarët e vendit të tij nuk luftuan e disa prej tyre nuk ranë dëshmorë për të krijuar Serbinë e Madhe ose Shqipërinë e Madhe", për çka thotë e nuk ka më qartë e më troç se kaq, pasi thirrjet për bashkim mund ta shkatërrojnë shtetësinë e Kosovës.

“Por ka edhe faktorë të tjerë që e kushtëzojnë bashkimin. Ambasadori amerikan Kosnett tha dje se "Ushtarët e vendit të tij nuk luftuan e disa prej tyre nuk ranë dëshmorë për të krijuar Serbinë e Madhe ose Shqipërinë e Madhe"! Nuk ka më qartë e më troç! Dhe ai kishte të drejtë kur thoshte që politikanët e Kosovës ta ndajnë mendjen, të bëjnë shtetin, apo ta shkatërrojnë shtetin. Thirrjet për bashkim e shkatërrojnë shtetësinë e Kosovës. Mund t'ju them me bindje të plotë se Beogradi kënaqet dhe ngrohet nga dritëshkurtësia e politikanëve shqiptarë, kur këta flasin për bashkim kombëtar. Aty Serbia sheh mundësinë e artë për të përfituar territore e për t'u zgjeruar në jug të Ballkanit. Kjo ka qenë ëndrra e saj e madhe dhe këtë ëndërr ia plotësojnë thirrjet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, ka potencuar profesori.

Tutje, Bytyçi ka përmendur Georg Brunner, një nga historianët dhe ekspertët më të mirë evropianë të së drejtës ndërkombëtare, që në vitin 2000 thoshte se Kosova ka të drejtë të shkëputet nga Serbia, por nuk ka të drejtë të bashkohet me ndonjë shtet tjetër.

“E kam thënë dhe në raste të tjera. Georg Brunner, një nga historianët dhe ekspertët më të mirë evropianë të së drejtës ndërkombëtare, që në vitin 2000 thoshte se sipas së drejtës ndërkombëtare, Kosova ka të drejtë të shkëputet nga Serbia, por nuk ka të drejtë të bashkohet me ndonjë shtet tjetër. Nëse ajo dëshiron të shkëputet e të bashkohet me një vend tjetër, thoshte ai, atëherë Serbia duhej të ishte dakord. A beson Haradinaj se Beogradi bie dakord që vendi i tij të bashkohet me Shqipërinë pa përfituar një pjesë të madhe të territorit të Kosovës?! Është absurde ta mendosh. Atëherë pse bie në kurthin serb të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë?!” ka shtuar ai.

Sipas tij, Haradinaj mund të mendojë që me këtë e lehtëson rrugën për në presidencë, por që një president me votat e serbëve të Vuçiçit është i dyshimtë, duke shtuar se Haradinaj nëse e do Kosovën, duhet të angazhohet për shtetësinë dhe mbrojtjen e territorit të saj!

“Mundet të mendojë se me këtë skemë lehtëson rrugën për të marrë presidencën. Edhe mundet. Sepse kjo skemë derisa pëlqehet në Beograd mund të votohet nga Lista Srpska. Por një president me votat e serbëve të Vuçiçit është për mua gjithnjë i dyshimtë! Kosova e provoi një president të tillë. Nëse Haradinaj për postin e presidentit dëshiron të shesë Trepçën, le të dalë që nesër e të thërrasë me të madhe se "do ta bashkojë Kosovën me Shqipërinë"! Por nëse ai e do me shpirt Kosovën dhe e mbron atë e sovranitetin e saj, siç ka dëshmuar në vitet 2018-2019, atëherë duhet të angazhohet për shtetësinë dhe mbrojtjen e territorit të saj”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat