Tomë Gashi flet për sondazhet politike: VV fituese absolute e zgjedhjeve, pavarësisht kleçkave të KQZ-së

Politika

Tomë Gashi flet për sondazhet politike: VV fituese absolute e zgjedhjeve, pavarësisht kleçkave të KQZ-së

Nga: G.B Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 16:27
Tomë Gashi

Fushata zgjedhore nga partitë politike po vazhdojnë.

Kështu po vazhdojnë edhe debatet, parashikimet e sondazhet për fituesin e zgjedhjeve e renditjen e partive.

Deri tani, është Lëvizja Vetëvendosje ajo që po prin në sondazhet që janë publikuar.

Sondazhet e tilla po kritikohen dhe nuk po vlerësohen si të besueshme, derisa nga partitë thonë se përqindja e votave në zgjedhje do të jetë më e madhe.

Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se deri tani sondazhi më afër të vërtetës është ai i Institutit Gani Bobi, por që sipas tij VV do t’i ketë më shumë se 61 deputetë.

“Sa i përket sondazheve që po bëhem për zgjedhjet e 14 shkurtit disa janë shumë afër të vërtetës e disa ja huqin, më pak nga mosdija e më shumë nga porosia dhe nga animet politike. P.sh, sondazhi më i besueshëm ka dalë të jetë ai i Institutit Gani Bobi, që e nxjerr Lëvizjen Vetëvendosje si fituese absolute të zgjedhjeve dhe që sipas këtij sondazhi LVV do të fitojë rreth 54 për qind të të gjitha votave e që i bie se do të ketë 60 deputetë të Kuvendit të Kosovës. Por unë mendoj se LVV do të ketë mbi 61 deputetë”, është shprehur ai.

Ai përmend dhe partitë tjerë të renditura në këtë sondazh.

“Ky institut e parasheh që partia e dytë të jetë PDK me një numër më të vogël të deputetëve se ata që i kishte në zgjedhjet e fundit të 2019, ndërsa LDK si parti e tretë po ashtu parashihet sipas tyre, po ashtu mund të ketë numër të vogël të atyre që do ta votojnë këtë parti, ndërsa për AAK, sipas tyre do ta kalojë pragun por me shumë pak deputetë. Sa i përket Nismës, ajo sipas tyre nuk do ta kalojë pragun në këto zgjedhje”, ka shtuar Gashi.

Sipas tij, këto parashikime janë të përafërta dhe tani kur ka filluar zyrtarisht fushata, shihet se VV do të jetë fituese absolute.

“Këto janë parashikime të përafërta dhe të publikuara para 3 ditësh, pra, para se të fillojë zyrtarisht fushata zgjedhore. Dhe tani pas fillimit të fushatës zgjedhore, shihet ajo që dihet se LVV do të jetë fituese absolute e zgjedhjeve të 14 shkurtit, pa marrë parasysh kleçkat që po i bën KQZ sa i përket votës së mërgatës tonë”, ka vlerësuar avokati.

Sa i përket gjobave që po u jepen partive për mos respektim të masave anti-Covid, ai thotë se është e duhura, derisa ato nuk i respektojnë rregullat, ndërsa përmend hapjen e fushatës së VV-së në Prishtinë, si inovative.

“Sa i përket gjobave që po shqiptohen partive politike, mendoj se janë në rregull. Nëse nuk i përmbahen rregullave që janë përcaktuar për atë se sa qytetarë mund të jenë në një tubim në këto kushte specifike të kohës së pandemisë. LVV si parti shumë inovative e bëri hapjen e fushatës në Prishtinë, ku ishin edhe shumë qytetarë të Kosovës dhe të diasporës me makina të tyre dhe që iu kërkua nga Albin Kurti, kryeministri i ardhshëm i Kosovës dhe nga Vjosa Osmani presidentja e ardhshme e Kosovës që të qëndrojnë në makina të tyre. Pra ishte inovacion, risi e LVV-së që mund ta aplikojnë edhe partitë e tjera”, ka deklaruar Tomë Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat