Hulumtuesi britanik: Ekziston bindja në të gjithë botën: Vetëm kjo parti në Kosovë do të punojë për popullin e Kosovës

Politika

Hulumtuesi britanik: Ekziston bindja në të gjithë botën: Vetëm kjo parti në Kosovë do të punojë për popullin e Kosovës

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 6 shkurt 2021 Në ora: 19:30
Aidan Hehir

Hulumtuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westminster, Aidan Hehir, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila ia ka ndaluar kandidimin për deputet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit.

Hehir, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka hedhur dyshime në paanësinë e Kushtetueses, duke thënë se vendimi i saj për Kurtin është me motiv politik.

Ai ka theksuar se Kosova në botë merret si shembulli kryesor i një “shteti të kapur” dhe se kjo nuk është hera e parë që merr vendime të çuditshme kjo Gjykatë.

“Është e vështirë të mos besosh se kishte një motiv politik prapa vendimit të gjykatës; Kosova konsiderohet gjerësisht si një shembull kryesor i një "shteti të kapur" dhe gjëra të tilla duhet të priten duke pasur parasysh këtë. Për më tepër, reputacioni i gjykatës ka vuajtur nga një numër vendimesh të çuditshme të lëshuara në të kaluarën, kështu që kjo nuk është hera e parë që vihet në dyshim paanësia e saj”, është shprehur Hehir për “Bota sot”.

Por, hulumtuesi britanik konsideron se ky vendim, ka bërë që të rritet përkrahja për Vetëvendosjen.

“Vendimi duket se ka rritur mbështetjen për Vetëvendosjen dhe Kurtin”, ka thënë më tej Hehir.

Ai shpreson që Vetëvendosje do të fitojë zgjedhjet dhe do të formojë e vetme qeverinë e re, pas 14 shkurtit. Sipas tij, Kosova gjendet në një moment kritik dhe se vetëm një fitore e VV-së do të ishte hap pozitiv për popullin e Kosovës.

Aidan Hehir për “Bota sot”, ka thënë se aktualisht akademikët, gazetarët dhe qeveritë në botë, e shohin Vetëvendosjen si të vetmen parti që mund të përmirësojë jetën në Kosovë.

“Shpresojmë; Kosova ka shumë nevojë për një qeveri që do të trajtojë korrupsionin që ka munduar vendin për dekada. Ky është një moment kritik në historinë e Kosovës dhe Vetëvendosje ka dëshmuar se është partia e vetme në Kosovë e përkushtuar për të mirën e popullit dhe duke iu përmbajtur parimeve të saj thelbësore. Ekziston një bindje në rritje në të gjithë botën - midis akademikëve, gazetarëve dhe qeverive - se një fitore për Vetëvendosjen do të ishte një hap pozitiv dhe i madh për popullin e Kosovës dhe do të përmirësonte shumë përpjekjet e Kosovës për t'u bërë një anëtar plotësisht i integruar i bashkësisë ndërkombëtare të shteteve”, ka thënë hulumtuesi Aidan Hehir për gazetën “Bota sot”.

Edhe pse Gjykata ia ka ndaluar kandidimin, lideri i VV-së në tubimet e fushatës zgjedhore, ka ftuar qytetarët që të votojnë edhe për të në zgjedhjet e 14 shkurtit, pasi sipas tij, vota do të llogaritet për Vetëvendosjen./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat