Flet ish-këshilltari i Albin Kurtit, “gozhdon” kundërshtarët: Ja parashikimi për rezultatin e zgjedhjeve – ky do të jetë kryeministri i ri i Kosovës

Politika

Flet ish-këshilltari i Albin Kurtit, “gozhdon” kundërshtarët: Ja parashikimi për rezultatin e zgjedhjeve – ky do të jetë kryeministri i ri i Kosovës

Nga: N. H Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 20:38
Glauk Konjufca, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Partitë politike në Kosovë javën e kaluar kanë nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit. E, derisa kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri të përfundimi i saj, së fundit është publikuar një sondazh që parashikon renditjen e partive politike në vend.

Sondazhi final i PIPOS, ka treguar edhe njëherë se VV-ja prin me mbi 40.59 për qind,derisa si parti e dytë del PDK me 22.3 për qind, kurse, LDK del e treta me 19.35 për qind, derisa AAK ka përqindjen e 7.8 për qind, si partia e katërt, derisa NISMA del me vetëm 3.15 për qind.

E, lidhur me këtë sondazh, “Bota sot” ka kontaktuar anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ish-deputetin e Kuvendit.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali, i cili ishte edhe këshilltar i ish-kryeministrit Albin Kurtit, ka thënë se sondazhet e fundit, të cilat nuk po e nxjerrin mirë VV-në, janë të porositura, dhe se janë me qëllime të caktuara.

Tali konfirmon se partinë e tij, sondazhet serioze e qesin me një rezultat mbi 50 për qind.

“Tashmë jemi mësuar më që në prag të zgjedhjeve të dalin sondazhe, shumica e të cilave shihen se janë të porositura nga partitë e caktuara, e të tjerat për arsye tjera duke mos i përjashtuar as kapriçet e individëve të ndryshëm që i bëjnë ato sondazhe. Sidoqoftë, të gjitha sondazhet serioze Lëvizjen Vetëvendosje e paraqesin si fituese të këtyre zgjedhjeve, të 14 shkurtit edhe atë mbi 50 për qind”, ka thënë ish- këshilltar i ish-kryeministrit Albin Kurtit, për “Bota sot”.

Tali tregon se ka kontakt të vazhdueshëm edhe me elektoratin, gjë për të cilën thotë se ka gatishmëri që Kurti do të jetë në krye të qeverisë së re, me një shumë të përfaqësimit të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.

Image
Albin Kurti dhe Driton Tali

“Duke u nisur nga kontaktet e shumta që i kam me qytetarë, përditë, tash e tri javë, e shoh se gatishmëria e qytetarëve është që Albin Kurtin ta kemi kryeministër me shumicën e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, për faktin se udhëheqësit e partive tjera i shohin si të korruptuar dhe rrjedhimisht si pengesë për reformat e duhura nëse Vetëvendosje do të jetë e obliguar ta marri ndonjërën nga ato në koalicion për ta krijuar Qeverinë e re”, ka thënë Tali, të martën për “Bota sot”.

Krejt në fund, ish-këshilltari i ish-kryeministrit Albin Kurtit, thekson se tashmë qytetarët e kanë humbur besimin tek partitë tjera, kurse, shprehet se vota për Kurtin do të jetë masive në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Pra, kemi tashti të bëjnë me një ngritje të vetëdijes së qytetarëve të cilën mbase se kishim në këtë nivel në zgjedhjet e mëparshme. Shihet se qytetarët e kanë humbur krejtësisht besimin, por edhe durimin ndaj partive tjera të cilat deri tashti e udhëhoqën Kosovën andaj vota për Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje do të jetë masive kësaj radhe”, ka përfunduar ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali, për “Bota sot”.

Kurse, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të vendit, Albin Kurti ka thënë se nuk do të bëjnë koalicione pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, meqë siç tha ai, atë e kanë bërë para zgjedhjeve me Vjosa Osmanin.

Kurti ka treguar se synojnë më shumë se 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe për këtë u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në zgjedhje këtë të diele.

E, Vjosa Osmani ka thënë se ata, që sipas saj, kanë menduar për xhepat e tyre, duhet të shkojnë në opozitë të gjatë.

“Numri 127 është numri i fitores, por kësaj radhe fitorja nuk është vetëm të dalim të parët se dihet që dalim ne të parët se nuk ka kush del i pari. Fitorja është 61 deputetë e më shumë, na duhet shumicë parlamentare se nuk do të bëjmë koalicione pas zgjedhjeve, ato i kemi bërë para zgjedhjeve, Vjosa Osmani dhe unë. Nuk do të qeverisim për të ju sunduar, nuk do të qeverisim për t’u pasuruar, edhe zonja Osmani edhe unë do të mbetemi siç jemi klasë e mesme, për t’u pasuruar është biznesi”, tha Kurti. /Bota sot/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat