Gani Qarri tregon me rend arsyet e humbjes drastike të LDK-së

Politika

Gani Qarri tregon me rend arsyet e humbjes drastike të LDK-së

Nga: A.Z Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 17:39
LDK

1 milion e 794 mijë e 862 votues me të drejtë vote patën mundësinë që të votojnë për subjektin e tyre të preferuar dhe pesë kandidatët për deputetë në përbërjen e ardhshme të Parlamentit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.79 për qind të votave, më së shumti që një parti i ka marrë ndonjëherë në historinë e Kosovës.

PDK-ja është partia e dytë me 17.3 për qind të votave, ndërsa LDK-ja renditet e treta, me 13 për qind të votave të përgjithshme. Ky është rezultati i saj më i dobët ndonjëherë, dyfish më i ulët se në zgjedhjet e para një viti e gjysmë. Në zgjedhjet e 6 tetorit të 2019-së, Lidhja Demokratike doli e dyta me 1 për qind dallim nga vendi i parë.

Lidhur me rëniet dhe ngritjet e partive politike e ka komentuar edhe analisti, Gani Qarri, i cili në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se zgjedhjet e fundit kanë dëshmuar se Isa Mustafa do të mbahet mend gjatë se si erdhi dhe e shkatërroi partinë. Ndërsa dëshpëruese është se Mustafa dhe Hoti nuk kanë mundur të arsyetojnë ardhjen në krye të Qeverisë kundër kushtetueses dhe për rrëzimin e Kurtit dhe Vetëvendosjes nga qeveria.

“Zgjedhjet e fundit parlamentare në vend, dëshmuan se Isa Mustafa do të mbahet mend gjatë, për mënyrën se si ai erdhi në krye të LDK-së dhe suksesin që pati në shkatërrimin e kësaj partie, partisë më të madhe të Kosovës të krijuar dhe udhëhequr për shumë vite me plot sukses nga i madhi Dr. Ibrahim Rugova. Ajo që dëshpëroi pafundësisht votuesin besnik të LDK-së, është fakti se Isa Mustafa dhe benjamini i tij Avdullah Hoti nuk kanë mundur asnjëherë ta arsyetojnë qëllimin e ardhjes në krye të Qeverisë kundër kushtetuese si parti e dytë në zgjedhjet e kaluara, vetëm për plotësimit e tekeve të kuislingut Hashim Thaçi për rrëzimin e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes nga qeverisja e vendit, për shkak të frikës së vet, nga ndëshkimi për krimet në të kaluarën e tij kriminale”, tha ai.

Tutje ka shtuar se Isa Mustafa së bashku me Avdullah Hotin, përveç se u pajtuan me propozimin e Thaçit për ngritjen e një Qeverie kundërkushtetuese, ata pranuan të shërbehen edhe me vota të kundërligjshme.

Ai thotë se Vjosa së bashku me një pjesë të elektoratit të LDK-së në këto zgjedhje, kanë kaluar në LVV, nga dëshpërimi me Mustafën dhe Hotin i cili nuk mori vota të mjaftueshme as nga vendi prej nga vije ai.

“Madje Isa Mustafa si politikani me përvojën më të gjatë në skenën aktuale të Kosovës, me mend në kokë, bashkë me Avdullah Hotin, përveç se u pajtuan me propozimin e Thaçit për ngritjen e një Qeverie kundërkushtetuese, ata pranuan të shërbehen edhe me vota të kundërligjshme të deputetëve të dënuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor për hajni e korrupsion, siç ishte ajo e deputetit minoritar të hashkalinjëve Etem Arifit. Kështu që pas rënies rapide në nivel vendi dhe shuarjes pothuajse të tërësishme të LDK-së gati dhjetëvjeçare në Gjakovë, humbja drastike e kësaj partie edhe në bastionet kryesore të LDK-së, në të gjitha qytetet e Kosovës, po dëshmon katërçipërisht se përveç kalimit të Vjosa Osmanit në VV edhe një pjesë e madhe e elektoratit të LDK-s në këto zgjedhje, kanë kaluar në VV, nga dëshpërimi me Isa Mustafën dhe Avdullah Hotin, i cili nuk mori vota të mjaftueshme as në Rahovec, prej nga ai vije”, tha ai.

Më tej ka theksuar se qëllimi i Hotit dhe Mustafës duket të ketë qenë shkatërrimi i partë së Rugovës.

“Ndaj përgjegjësinë për të gjitha këto dështime epokale, dhe rënien drastike në këto zgjedhje, në rend të parë, e mbajnë Avdullah Hoti si kandidatë për kryeministër dhe Isa Mustafa si kryetar i LDK-së, si dhe pjesa e vjetërsuar e LDK-së, qëllimi i të cilëve, tanimë duket të ketë qenë, pikërisht vet shkatërrimi i partisë së Dr. Ibrahim Rugovës, nëse vije deri te pensionimi i tyre politik, me votën e elektoratit të dëshpëruar nga Isa Mustafa. LDK që nga vdekja e Dr. Ibrahim Rugovës nuk diti më kurrë ti adaptohet kohës, kushteve as njerëzve të rinj, duke mos pranuar asnjë lloj reforme të brendshme dhe luftuar hapur pjesën më inteligjente të gjinisë femërore në parti, brenda vendit kundër Vjosa Osmanit dhe nga jashtë të Donika Gërvallës. Ndërsa së fundmi, po këta njerëz me argatët e tyre, pa marrë parasysh dëmin që mund ti shkaktonin LDK-së, u ngritën kundër saj dhe Vjosa Osmanit u përdorën edhe fyerjet më çnjerëzore deri në sharjet më të ulëta dhe poshtërimi më primitive”, tha ai.

Ai shtoi se në të njëjtën kohë Isa Mustafa me këshilltar si Bajram Gecaj e armiqësoi LDK-në, madje duke deklaruar publikisht se populli nuk mund të vendos për politikën në vend, kështu duke e lënë anash komunikimin me publikun dhe qasjen e afërt me votuesit e tyre.

“Në të njëjtën kohë Isa Mustafa me këshilltar si Bajram Gecaj i cili në zgjedhjet e kaluara ka marrë vetëm 8 vota nga elektorati i LDK-së, e armiqësoi tërësisht LDK-në, edhe me votuesit më besnik të kësaj partie, duke deklaruar publikisht para kamerave nëpër emisione televizive,se; “nuk është me rëndësi vota e qytetarit" dhe se "populli nuk mund të vendos për politikën në vend"! Madje Isa Mustafa dhe kryesia e LDK-së shumica edhe me moshë të tejkaluar pensionimi, lanë plotësisht në margjina komunikimin me publikun, si dhe qasjen e afërt me votuesit e vet, ndaj është shumë e drejtë dhe plotësisht e kuptueshme shkërmoqja epokale e kësaj partie, dikur nga më të mëdhatë në vend, njëjtë siç është pritur dhe është paralajmëruar disa herë edhe në shkrimet tona, në Bota sot”, tha ai.

Ai thotë se nga kjo u dëshmua se votuesit dhe qytetarë e Kosovës janë dëshpëruar nga kjo parti sa që votën e tyre t`ia falin edhe kundërshtarit kryesor të LDK-së, vetëm që të pensionohen nga politika dhe ikin nga LDK-ja.

“Ndaj duke marrë parasysh frustrimin tepër të madh të qytetarëve të vendit me flirtet e vazhdueshme të Isa Mustafës dhe eksponentëve të vjetër të LDK-së, me Hashim Thaçin dhe PDK-në, si dhe gjendjen kaotike të shkaktuar nga ky njeri edhe brenda vet LDK-së, u dëshmua se votuesit dhe qytetarët e Kosovës janë dëshpëruar aq shumë me kryesinë "De-mode" dhe të konsumuar të kësaj partie, sa që votën e tyre, t`ia falin edhe kundërshtarit kryesor të LDK-së, vetëm që të pensionohen nga politika dhe ikin nga LDK, Isa Mustafa me shokë",tha ai.

Qarri më tej ka theksuar se këto zgjedhje kanë dëshmuar se me Mustafën dhe Hotin shkelën edhe Kushtetutën e vendit, duke kursyer një Qeveri të kundërligjshme.

Ai thotë se LDK-ja në krye me Mustafën ka tradhtuar vazhdimisht votuesit për pazare poltiike, sa që edhe Adem Salihaj, pas këtij dështimi të LDK-së në zgjedhje, ka thënë publikisht se votuesi i LDK-së është mbushur aq mllef me kryetarin sa që e quan njeri pa dinjitet dhe shkatërrues të LDK-së dhe vlerave rugoviane.

“Këto zgjedhje dëshmuan se sidomos me Isa Mustafën por edhe me Avdullah Hotin i cili lejoi të bëhet mashë e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës për larjen e hesapeve të Thaçit me LVV-në, mu në kulmin e pandemisë me Covid-19, e shkelën edhe Kushtetutën e vendit, duke kryesuar një Qeveri të kundërligjshme, sa që unë nuk habitem fare, se si LDK, ka rënë vetëm në vendin e tretë, me humbjen kaq drastike të votave në këto zgjedhje. LDK-ja, në krye me Isa Mustafën, ka tradhtuar në vazhdimësi votuesit e vet, për pazare politike me njerëzit e krimit të organizuar dhe partinë e inkriminuar të Hashim Thaçit, madje edhe ish anëtari shumëvjeçar i LDK-së, kryesisë së saj dhe ish kryetari i Ferizajt Adem Salihaj, pas dështimit drastik të LDK-së në këto zgjedhje, tha publikisht se votuesi i LDK-së është mbushur aq shumë mllef në kryetarin aktual të kësaj partie sa që Isa Mustafën e quan njeriun më të neveritshëm të të gjitha kohërave, njeriun më pa dinjitet, shkatërruesin e LDK-së, e të vlerave rugoviane, të lirisë e të demokracisë, si dhe argati i të keqes”, tha ai.

Pasi që edhe në tetor duhet të mbahen zgjedhjet lokale, LDK-ja në krye me njerëz të tillë pritet të pësoj fiaskon më tragjike në historinë e ekzistencës së saj partiake, sipas Qarrit për ta kursyer LDK-në edhe nga një dështim edhe më i rëndë, të gjithë kori i kuadrove të dështuara në rrafshin politik, në mënyrë të menjëhershme, të japin dorëheqje grupore, për të lejuar reformat dhe futjen e frymës së re në kryesin e kësaj partie për ringjalljen.

“E duke pasur parasysh faktin se në tetor, duhet të mbahen edhe zgjedhjet lokale në Kosovë, ku LDK, në krye me njerëz të tillë, pritet të pësoj fiaskon më tragjike në historinë e ekzistencës së saj partiake dhe politike, edhe në nivelin lokal, protagonisti i gjithë këtij episodi tragjik gjithsesi,nëse nuk jep dorëheqje të parevokueshme që tani, mbetet Isa Mustafa me kaskën e vjetër të pleqve të LDK-së të cilët partin e Dr. Rugovës e sollën buzë shkatërrimit total. Ndaj do të ishte e udhës, që për ta kursyer LDK-në edhe nga një dështim edhe më i rëndë, pas këtyre zgjedhjeve, Isa Mustafa dhe të gjithë kori i kuadrove të konsumuara dhe të dështuara tërësisht edhe në rrafshin politik, të marrin përsipër përgjegjësinë e dështimit që u takon dhe në mënyrë të menjëhershme, të japin dorëheqje grupore, për të lejuar reformat dhe futjen e frymës së re në kryesin e kësaj partie për ringjalljen e saj, pas këtij pësimi kaq drakonik dhe epokal”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat