Fitorja e VV-së e merituar, këto janë arsyet pse pësuan humbje LDK e PDK me 14 shkurt

Politika

Fitorja e VV-së e merituar, këto janë arsyet pse pësuan humbje LDK e PDK me 14 shkurt

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 16 shkurt 2021 Në ora: 08:52
Albin Kurti

Qytetarët e Kosovës gjatë ditës së djeshme, me 14 shkurt, iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës.

Sipas rezultateve të deritanishme të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të marrë 48,17% apo 374 mijë e 913 vota nga qytetarët e Kosovës.

Krahasuar me zgjedhjet e mbajtura në vitin 2019, ku LVV kishte marrë 26,27% apo 221 mijë e 001 vota, shihet se në zgjedhjet e këtij viti ka arritur ta përmbysë këtë rezultat.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 ndonëse doli e dyta si parti në nivel vendi krahasuar me përqindjen e votave që kishte marrë në zgjedhjet e vitit 2019, del se PDK ka pasur rënie të elektoratit.

Në këto zgjedhje sipas rezultatit të deritashëm PDK ka 17,35% apo 135 mijë e 009 vota, kurse në zgjedhjet e tetorit 2019, kishte arritur të marrë 21,23% apo 178 mijë e 637 vota duke u renditur si partia e tretë.

Ajo çfarë të gjithë ka habitur në këto zgjedhje është rënia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në rezultat, ku në zgjedhjet e mbajtura dje ky subjekt renditet i treti.

Në këto zgjedhje LDK deri tani ka 13,18 % apo 102 mijë e 616 vota. Kurse në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK ishte renditur e dyta me 24,54% apo 206 mijë e 516 vota.

Lidhur me këto rezultate, ngritjet dhe rëniet e tyre i kanë komentuar edhe disa analistë.

Zogaj: Rezultati i LVV-së ka qenë i pritur dhe është i merituar

Image
Skënder Zogaj

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se zgjedhjet ishin dëshmi e pjekurisë demokratike të Kosovës, gjë që e dëshmuan se shteti i Kosovës meriton vëmendjen e BE-së.

Sipas tij, rezultati i LVV-së ka qenë i pritur dhe është i merituar sepse viteve të fundit ka punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe e ka plotësisht të merituar.

“Zgjedhjet ishin një dëshmi e pjekurisë demokratike të Kosovës e cila edhe kësaj here mbajti zgjedhje të standardeve të plot kuptimta, të lira e demokratike, dhe kjo është fitore e bukur e shtetit të Kosovës, që me këto zgjedhje dëshmoi se e meriton vëmendjen e BE-së. Rezultati i Lëvizjes Vetëvendosjes ka qenë i pritshëm, sepse kjo parti viteve të fundit me përkushtim të jashtëzakonshëm ka punuar. Prandaj angazhimi vetëmohues ia solli edhe suksesin që pa asnjë dyshim, VV e ka plotësisht të merituar dhe duhet të urohet nga i gjithë spektri politik”, është shprehur ai.

Më tej ka theksuar se partitë e tjera, kësaj radhe u ndëshkuan me të drejtë sepse ka vite që sillen me megalomani. LDK-ja nuk mund të fitojë me duar në xhepa, ndërsa PDK-ja nga mungesa e dy liderëve.

“Ndryshe nga VV, dy partitë e tjera që e kanë konsideruar veten parti të mëdha, ka vite që sillen me megalomani, prandaj kësaj radhe u ndëshkuan me plotë të drejtë dhe rënien e kanë të merituara! LDK kësaj radhe e pa se me duar në xhepa nuk mund të fitohet! Ndërsa rënia e PDK-s mbi të gjitha ndodhi nga tronditja e brendshme partiake, që e ka krijuar mungesa e dy liderëve kryesorë, që kanë ndikuar shumë në luhatjen e elektoratit të kësaj partie”, ka deklaruar Zogaj.

Mehazi: Fitorja e LVV-së ka ardhur nga inatet politike të Agim Veliut dhe Isa Mustafës që kishin ndaj Kurtit

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa profesori Sulejman Mehazi, ka thënë se fitorja e LVV-së ka ardhur nga inatet politike të Agim Veliut dhe Isa Mustafës që kishin ndaj Kurtit, me veprime që hidhëruan qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, për LDK-në më shumë kishte vlerë inati politik i Agim Veliut kundër Kurtit, se sa votuesit e LDK-së që donin koalicion me LVV-në.

“Më në fund ja, ju erdhi fundi mocionistëve Isa Mustafës e Agim Veliut kundër Kurtit nga qytetarët votues të Kosovës. Fitorja bindëse e Lëvizjes Vetëvendosje më shumë erdhi nga inatet politike të Agim Veliut e Isa Mustafës ndaj Kurtit, sa më shumë që kundërshtonin LVV-në, Kurti bëhej më i besueshëm e më i fortë para qytetarëve. Për LDK-në më shumë kishte vlerë inati politik i Agim Veliut kundër Kurtit sesa votuesit e LDK-së që dëshironin koalicion me LVV-në, veprimet e prapshta politike të LDK-së ndaj Kurtit jo që hidhëruan votuesit e vet por edhe tërë qytetarët e Kosovës për ta dënuar rëndë klikën e vjetēr të LDK-së në krye me Isën, Veliun, Selmanaj e Hazirin”, ka vlerësoi ai.

Më tej, Mehazi shtoi se LDK-ja u dobësua me largimin e Vjosës, nga Qeveria Hoti dhe nga mocioni kundër Kurtit, madje edhe me shkuarjen e Thaçit dhe Veselit duke e humbur edhe besueshmërinë e qytetarëve.

Ai ka shtuar se sa më shumë që kundërshtohej Albini nga LDK-ja dhe PDK-ja, aq më e besueshme bëhej ndaj qytetarëve, gjë e cila doli në pah duke e votuar atë.

“Pra, mocioni kundër qeverisë së Kurtit, largimi i Vjosa Osmanit, dhe qeveria e Hotit e dobësoi keq LDK-në sa që u bë fuqi e tretë politike mbas PDK-së, e cila parti me shkuarjen e Thaçit e Veselit humbi kredibilitetin e besueshmërisë së qytetarëve. LDK-ja e PDK-ja sa më shumë që kundërshtonin Albin Kurtin, LVV-ja aq më e besueshme bëhej ndaj qytetarëve, kjo besueshmëri e LVV-së doli sot në pah duke votuar fuqishëm Albin Kurtin që i dëshirojmë suksese të mëdha qeverisëse. Populli duke votuar Albin Kurtin eliminoi zhvatësit njëzetvjeçar të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat