Largimi i Isa Mustafës, analisti jep analizën: Këto ishin gabimet e mëdha të LDK-së, ky është shansi i vetëm për rikthim

Politika

Largimi i Isa Mustafës, analisti jep analizën: Këto ishin gabimet e mëdha të LDK-së, ky është shansi i vetëm për rikthim

Nga: A.Z Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 20:11
Isa Mustafa

Isa Mustafa, përmes një reagimi të gjatë në profilin e tij zyrtar në ‘Facebook’ ka shkruar për atë se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe humbjen e thellë të partisë që e drejton.

Mustafa ka thënë se dorëheqje nga pozita e kryetarit ka dhënë si akt moral dhe jo si akt pendimi, meqë thotë se edhe po të kthehej mbrapa do ta drejtonte njëjtë LDK’në, duke ruajtur vlerat proevropiane, partneritetin me SHBA’të dhe qeverisjen pa skandale dhe korrupsion

Ai ka shkruar se do t’iu kërkonte falje qytetarëve nëse LDK-ja do të ndëshkohej se nuk ka qeverisur mirë apo me skandale, derisa thotë se do të ndihej i lehtësuar se po ta dinte se pse qytetarët e kanë ndëshkuar partinë e tij në këto zgjedhje.

“E ndëshkuan, sepse nuk u nënshtrua ndaj propagandës së majtë, ndaj dhunës dhe presionit, ashtu siç nuk u nënshtrua nga Serbia në vitet e nëntëdhjeta. Apo, pse???”, ka thënë ai.

Kjo ka ngjallur reagime të shumta, kështu analisti Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se të gjitha partitë në dekadat e fundit kanë bërë gabime të vazhdueshme, që shpesh kanë qenë mëse normale.

Ai thotë se masa më e madhe nuk kanë votuar në mënyrë të logjikshme, kështu duke e votuar partin e cila nuk ka vetëm program por ka edhe qëndrim të paqartë në raport me shtetin e Kosovës.

“Isa Mustafa, ashtu si edhe e gjithë partia në këto dy dekada, kanë bërë gabime të vazhdueshme, por edhe punë të vazhdueshme, që do të thotë se duke punuar edhe gabohet, edhe pse gabimet kanë qenë me të shpeshta se sa do të mund të quhej normale. Është e vërtetë se partitë të gjitha por edhe LDK-ja kanë qenë goxha arrogante në këtë periudhë dhe se janë ndëshkuar edhe për këtë, megjithatë, mendoj në se këto zgjedhje votimi me shumë ka qenë kuturu, se sa në masë të madhe të ketë qenë i bazuar në logjikë. Ndryshe nuk mund të arsyetohet fakti se si votohet një parti që përpos që nuk ka program, ka qëndrim të paqartë në raport me vetë shtetin e Kosovës”, është shprehur Duhanaj.

Tutje, ai ka theksuar se tani që kryesia e LDK-së kanë dhënë dorëheqje e kanë shansin ta reformojnë partinë, por duhet të kenë kujdes sepse nëse do të ketë pakënaqësi, mund ta pësojnë edhe më keq.

“Ndërsa për krizën e vitit të fundit mendoj që ka qenë përgjegjësja kryesore, por që ka arritur përmes parullave populiste t'ua lë fajin partive tjera. Tani, LDK, përkatësisht Kryesia e saj, kanë dhënë dorëheqjen dhe e kanë shansin ta reformojnë partinë në të gjitha nivelet. Nëse arrin reformën me sukses, do t'u rikthehet edhe elektorati, por duhet të kenë kujdes sepse nëse mbeten pyetje të hapura, përkatësisht pakënaqësi, mund të pësojnë edhe më keq”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat