LDK në udhëkryq!

Politika

LDK në udhëkryq!

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 21 shkurt 2021 Në ora: 22:12
Foto ilustrim

Edhe pse LDK-ja njihet në opinionin publik si një parti institucionale, ajo nuk arriti të fitojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Fituese e zgjedhjeve doli Lëvizja Vetëvendosje, por LDK-ja nuk arriti të renditet as e dyta, për e treta pas Partisë Demokratike të Kosovës.

Edhe pse zgjedhjet ende nuk janë certifikuar LDK-ja ka marr 103 mijë 507 vota apo 13,08%.

Pas këtij rezultati, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe kryesia e kësaj partie dhanë dorëheqje.

Por, për këtë parti pritet të jenë sfidë zgjedhjet e ardhshme lokale të cilat do të mbahen në tetor të këtij viti.

Lidhur më këtë çështje, ekspertët tregojnë se çfarë duhet të bëjë LDK-ja për të mos pësuar edhe në zgjedhjet lokale.

Maraj tregon kur kanë filluar sinjalet për fundosjen e LDK-së

Image
Milazim Maraj

Njohësi i çështjeve politike, Milazim Maraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar se çfarë duhet të bëjë LDK-ja në mënyrë që të mos pësoj në zgjedhjet lokale.

“Nëse LDK, pa humbur kohë nuk e thërret Kuvendin për të shkarkuar kryesinë e saj dhe nuk zgjedh kryesinë e re, nuk fillon nga baza për të zgjedhur strukturën organizative dhe udhëheqëse të saj, nuk e bënë identifikimin dhe sistemimin e vlerave kombëtare dhe demokratike në parti, në zgjedhjet lokale do të pësojë përfundimisht”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka treguar se kur kanë filluar sinjalet për fundosjen e LDK-së.

“Sinjalet e fundosjes së kësaj partie kanë filluar që nga ardhja e Fatmir Sejdiut në krye të kësaj partie dhe kanë vazhduar pa shpresë gjatë udhëheqjes së Isa Mustafes dhe garniturës së vet që nuk ishte fare udhëheqje demokratike por pazare të pa dhimbshme në dëm të LDK dhe Kosovës”, ka deklaruar Maraj për “Bota sot”.

Bajraj: LDK-ja, para një përgjegjësie historike!

Image
Fatmir Bajraj

Ndërkaq, analisti politik, Fatmir Bajraj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se kjo parti ka "korrë" rezultatin më të keq zgjedhor në gjithë historikun e saj.

“Lëvizja nacionale e shqiptarëve të Kosovës, për Liri e Pavarësi, e formuar në fund-vitet e 80-ta, të shekullit të kaluar, pra si LDK me 23 dhjetor 1989, në krye të së cilës deri në ikjen e Tij nga kjo botë, ishte presidenti historik Rugova dhe deri sot, kur kjo e fundit kishte edhe dy drejtues tjerë, siç janë z.Sejdiu dhe z.Mustafa, ka "korrë" rezultatin e saj më të keq zgjedhor në gjithë historikun e saj, mbi tridhjet vjeçar! Kjo humbje e thellë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit 2021, e vlerësuar si katastrofale për LDK-në, edhe nga vetë organet e saja dhe lidershipi aktual, praktikisht i dorëhequr si pasojë e debaklit dhe në shenjë përgjegjësie për humbjen, i imponon LDK-së një reflektim serioz-adekuat dhe një reagim të shpejt dhe imediat, si rezultat i nxjerrjes së mësimit të duhur dhe në përgjigje të kontekstit aktual me një qasje serioze e cila përjashton improvizimet dhe në vend të tyre, imponon ndërgjegjësimin, vetëdijesimin dhe reformimin e thellë e të përgjegjshëm”, ka thënë ai.

Më tej, Bajraj ka deklaruar se konstatimi i gjendjes reale dhe faktike, ndihmon por nuk mjafton në kapërcimin e gjendjes në të cilën është LDK-ja.

“Një studim socio-politik dhe nacional historik kontekstual, i lëvizjeve dhe "frymës së ndryshimit", e katapultuar si lëvizje "ndëshkimi" mbi premisa misterioze dhe histerike siç ishte; "dështimi i shtetit dhe fajin ka pushteti", jo vetëm do të ndihmonte, por është edhe prelud unik në gjykimin për të ardhmen e LDK-së dhe jo vetëm. LDK-së, i'u faturua tagri i dështimit dhe i fajit 20 vjeçar, që nga çlirimi, pavarësimi dhe shtetëndertimi i vendit, jo pse kjo e fundit ishte përgjegjëse e vetme, por edhe për faktin se premisat ishin të konstruktuara dhe të rrejshme përmes të cilave synohej pushteti dhe rrënimi i LDK-së!

Kosova si shtet, nuk ka dështuar dhe nuk ka shansin të dështoj, pavarësisht paketuesve të pilot-projektit për "ndryshime" (VV), dhe Serbisë armike, për faktin së një dështim të shtetit të Kosovës nuk e lejojnë qytetarët e Kosovës të cilët kanë "shijuar" lirinë, dhe as sponsoret e kësaj lirie dhe shtetit të Kosovës, në krye me SHBA-të. Pra kjo s'ka ndodhë dhe s’mund të ndodhë, mbi këtë bazë, edhe "fryma e ndryshimit" mbi premisën e shtetit të "dështuar" dhe "fajësinë" e LDK-së, është e stisur dhe ka për synim pushtetin edhe me çmimin e dëmtimit të shtetësisë dhe shtetëndertimit të Kosovës. Konstatimi i gjendjes reale dhe faktike, ndihmon por nuk mjafton në kapërcimin e saj, pas kësaj gjendjes epokaliptike në të cilën gjendët LDK-ja, dhe natyrshëm edhe vendi, kur dihet saktë së një Kosovë nuk mund të jetë mirë me një LDK të shpartalluar elektoralisht”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Bajraj ka theksuar se LDK duhet t`i kthehet vetës dhe votuesit besnik, duke treguar se çfarë duhet të bëjë kjo parti.

“LDK-ja, edhe pse me vonesë, patjetër duhet i kthehet vetës dhe votuesit të vetë besnik, i cili abstenoj nga mbështetja tradicionale për të, dhe votoj "frymën e ndryshimit" të përfaqësuar nga LVV-ja e z.Kurti, e cila të vetmen "meritë" për vendin kishte; "ende e pa provuar në pushtet", përkundër faktit se realisht brenda vetës kishte të gjithë ata që jo vetëm që ishin provuar në qeverisje, por kishin dhënë shembullin ma të keq të mundshëm!

LDK, duhet të zhveshë hipokrizinë e "frymës së ndryshimit" dhe projektuesit e kësaj fryme, duke depërtuar thellë të qytetarët me të vërteten absolute të dyja anëve të medaljes, dhe në të njëjtën kohë, të korrektoj pushtetin e ri me njerëz dhe mendësi të vjetër, sikurse edhe të kërkoj llogari për premtimet boshe dhe kauzat e rrejshme nga të cilat kjo Lëvizje ka heq dorë dhe i ka braktisur tanimë.

LDK-ja, duhet të kap trendët inovative në politik-bërje, trende këto që kanë një dinamikë marramendëse në industrinë agresive mediatike dhe të rrjeteve sociale.

LDK-ja duhet t'i përshtatet tregut politik, dinamikes së zhvillimeve mediatike në kohën e kibernetikës dhe rrjeteve sociale, dhe jo vetëm si observator, por edhe si pjesë aktive e kësaj bote, pra si kreator në këtë industri, në të kundërtën, rrezikon të humbë betejën dhe të tkurret edhe tutje, duke rrezikuar edhe të mirën për Kosovën dhe qytetaret e saj”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Sipas, Bajrajt, LDK-ja, duhet të punoj së paku në tre binar paralel, siç janë në jetën politike institucionale, reformimin e thellë dhe serioz, si dhe LDK-ja, të ndërroj katërçipërisht.

“Në jetën politike institucionale, duke luajtur një rol konstruktiv por të vendosur në Parlamentin e Kosovës dhe në mbrojtje të interesit të shtetit dhe të institucioneve, pavarësisht tkurrjes në numra, e cila në fund të fundit, numrat shprehin madhësinë por jo edhe madhështinë,

Reformimin e thellë dhe serioz, si përgjigje momentumit dhe duke lexuar gjithë kontekstin dhe nxjerrë mësimin e duhur, por me kujdesin që të mos bie pre e një lufte agresive e cila synon dobësimin e mëtejmë të LDK-së, deri në eliminimin e saj nga jeta politike me këshilla dhe leksione anakronike, kryesisht të atyre të cilët braktisën LDK-në dhe presidentin Rugova deri sa ai ishte lider i LDK-së dhe president i Republikës së Kosovës.

LDK-ja, të ndërroj katërçipërisht; qasjen dhe metodat e bashkëveprimit me strukturat në të dyja shtrirjet; horizontale dhe vertikale, duke prek nga afër nevojat e qytetarëve dhe duke i adresuar ato me kohë dhe korrektesë, qasje e munguar kjo dhe e cila jo vetëm le hapësirë të cilin e përmbushin kundërshtarët, por edhe e kthyen kundër saj, siç flasin edhe rezultatet e fundit në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021”, ka shpjeguar Bajraj për “Bota sot”.

Në fund, ai ka thënë se LDK-ja, ka potencial intelektual, institucional dhe akademik për t'u rikthye fuqishëm në skenën politike.

“Zaten paralelisht, duhet të punoj, fort dhe fuqishëm, natë e ditë, për ta ri-kthye besimin e humbur dhe votuesin tradicional, i cili në zgjedhjet e fundit, ra pre e mashtrimit dhe lajthitjes së kundërshtarëve të cilët nuk kanë asnjë meritë për vendin. LDK-ja, ka potencial të jashtëzakonshëm intelektual, institucional dhe akademik për t'u rikthye fuqishëm në skenën politike parlamentare, pra ka një substancë unike që bënë diferencën me të tjerët, dhe një ri-organizim i mirëfilltë i këtyre kapaciteteve dhe atyre të reja, do të konsolidonte subjektin dhe do ta bënte të besueshëm kthimin i cili duhet vetë asaj dhe Kosovës mbi të gjitha”, ka përfunduar Bajraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat