LDK-së i duhet një Ibrahim Rugovë, emrat që duhet rikthyer për ringritjen e partisë

Politika

LDK-së i duhet një Ibrahim Rugovë, emrat që duhet rikthyer për ringritjen e partisë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 shkurt 2021 Në ora: 19:47
Lidhja Demokratike e Kosovës, foto ilustrim “Bota sot”

Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Si forcën e tretë politike, qytetarët e kanë renditur Lidhjen Demokratike. Por, pas kësaj kryetari Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, derisa ka thënë se nuk e uron Vetëvendosjen për fitore, pasi gjen arsye të urojë votuesit e deridjeshëm të LDK-së, që kanë kaluar në Vetëvendosje.

“Për dallim prej disa bashkëpunëtorëve të mi, unë nuk e kam uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren e saj. Jo se e urrej por se nuk ia dua vendit tim të sundohet nga asnjë parti politike; se nuk gjej arsye të uroj votuesit e deridjeshëm të LDK-së se kanë kaluar në Vetëvendosje, sepse LDK nuk heq dorë nga ata. Sepse LDK nuk dorëzohet. Do të kthehet edhe më e forte”, ka thënë Mustafa në një postim në Facebook.

Po ashtu, ai ka paralajmëruar se ndëshkimi në këtë mënyrë i LDK-së, është sinjal i keq për të ardhmen e vendit.

Të papërgjegjshme e kanë vlerësuar analistë këtë deklaratë të Isa Mustafës.

Blakaj: Deklarata Isa Mustafës tregon edhe njëherë papërgjegjësin e tij karshi humbjeve të njëpasnjëshme

Njohësi i çështjeve politike, Sami Blakaj në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se veprime të tilla vijnë nga liderë partiak, që në krye të partisë vijnë përmes rregullave anti-statutare dhe si të tillë përfaqësojnë interesin e grupeve të ngushta klanore brenda partisë.

Image
Sami Blakaj

“Deklarata e Isa Mustafës tregon edhe njëherë papërgjegjësinë e tij karshi humbjeve të njëpasnjëshme me të cilat u ballafaqua LDK-ja gjatë gjithë udhëheqjes së tij. Të humbësh rreth gjysmën e elektoratit të partisë vetëm brenda një viti e gjysmë dhe për këtë humbje brutale ta bësh fajtor partinë rivale dhe assesi vetveten, kjo flet shumë për mungesën e legjitimitetit dhe llogaridhënies. Zakonisht veprime të tilla vijnë nga liderë partiak që në krye të partisë vijnë përmes rregullave anti-statutare dhe si të tillë përfaqësojnë interesin e grupeve të ngushta klanore brenda partisë. I tillë ishte edhe kryetari tashmë i dorëhequr z. Mustafa, i cili gjatë udhëheqjes së tij mbyti demokracinë partiake dhe nuk lejoi të ketë zëra që e kundërshtojnë”, u shpreh Blakaj.

Sipas tij, edhe shkarkimi i Vjosa Osmanit nga LDK dha një mesazh të qartë se brenda LDK-së, s’do të lejohen më zëra që kundërshtojnë kryetarin Mustafa.

Më tej, ai shton se votuesi i LDK-së operon me një votë të zgjuar, që mbështet dhe do të përkrahë vetëm zërin e interesit qytetar dhe jo më interesin klanor e familjar.

“I vetmi person që kishte GUXIMIN ta kundërshtojë Mustafën dhe t’i dalë në mbrojtje zërit qytetar ishte zonja Osmani. Fatkeqësisht edhe ajo u shkarkua, për të dhënë mesazhin e qartë se brenda LDK-së nuk do të lejohen më zëra që kundërshtojnë kryetarin Mustafa. Dhe siç u pa edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit, veprimet e tilla antidemokratike dhe përjashtuese të kryetarit Mustafa, kishin mllefosur elektoratin e gjerë të LDK-së, të cilët me votën e tyre vendosën që masovikisht ta ndëshkojnë LDK-në e Mustafës, për të mbështetur listën e Vjosa Osmanit. Rezultati i fundit zgjedhor tregoi se votuesi i LDK-së tanimë operon me një votë të zgjuar dhe kësisoj mbështet dhe do të përkrahë vetëm zërin e interesit qytetar dhe jo më interesin klanor e familjar”, ka deklaruar Sami Blakaj për Bota sot.

Shahu: LDK-së i duhet një Ibrahim Rugovë, një që ka pushtet dije mbi të tjerë

Ndërsa, analisti politik Rexhep Shahu, vlerëson se një komplot i madh ndodhi ndaj LDK-së, por më shumë se sa VV, kundër LDK-së punoi LDK me nënvleftësim të njerëzve të saj, me mos mobilizim të njerëzve te saj, mosvënie në lëvizje makinerinë e fuqishme, LDK e cila ndizet e punon vetëm me karburant moralin e besimin ndaj njerëzve te saj.

Image
Rexhep Shahu

“Isa Mustafa në apologjinë e vetes nuk e uroi Albin Kurtin për fitoren e zgjedhjeve. Por nuk e kontestoi fitoren e tij. Ai mendon se ka faj VV pse votues të LDK-së shkuan dhe votuan VV dhe Vjosën tek VV. Një komplot i madh ndodhi ndaj LDK, por më shumë se sa VV kundër LDK punoi LDK me nënvleftësim të njerëzve të saj, me mos mobilizim të njerëzve te saj, mosvënie në lëvizje makinerinë e fuqishme, LDK e cila ndizet e punon vetëm me karburant moralin e besimin ndaj njerëzve te saj. Në kuadër të dorëheqjes totale të kryesisë si përgjegjësi morale për prekjen e dyshemesë elektorale, në LDK vihet re se po synohet nga jashtë saj të imponohet e të përdoret ajo teoria e qershive: këtë nuk e kam pshurrë as këtë, as këtë nuk e kam pshurrë”, ka thënë ai.

Sipas tij, LDK është parti kapilare në Kosovë, Evropë e Amerikë, derisa shton se LDK-së i duhet një Ibrahim Rugovë, një veç pak i ngjashëm me të, një shumë i dijshëm dhe që nuk ka asnjë lloj inferioriteti ndaj askujt, një që ka pushtet dije mbi të tjerët.

“LDK nuk është parti numrash e votash, është parti kapilare në Kosovë, Evropë e Amerikë, sa që po të funksionojë si organizëm i gjallë siç ka funksionuar, partitë e tjera bëhen seksione të saj dhe duhet me lutë elektoratin, siç thërriste Rugova, që të votojë edhe parti të tjera për shkak se duhen edhe parti të tjera që të funksionojë pluralizmi në Kosovë. Tani për tani LDK është e hutuar. Asnjë këshillë e urtë a cinike lideri nuk vlen, asnjë humbës nuk është fitimtar, asnjë lakmitar nuk e shpëton LDK. Kujtoni se Ibrahim Rugova nuk ka lutë askënd të bëhet kryetar i LDK, nuk ka lobuar për këtë, nuk ka organizuar trafik votash. Një Ibrahim Rugovë i duhet LDK-së, një veç pak i ngjashëm me të, një shumë i dijshëm dhe që nuk ka asnjë lloj inferioriteti ndaj askujt, një që ka pushtet dije mbi të tjerë”, është shprehur Shahu për gazetën “Bota sot”.

Ai më tej përmend disa figura të cilat do ta kishin ‘ringjallë’ LDK-në.

Sipas tij, Jusuf Buxhovi, Milazim Krasniqi, Mehmet Kraja, Eqrem Kryeziu, Skender Zogaj, janë disa emra që janë gjallë dhe kanë aksione të forta morale në krijimin e lartësimin e LDK dhe të gjithë shoqërisë.

“LDK është shtëpi politike figurash, personalitetesh, është parti profesorësh, dijetarësh. I ka të gjallë Kosova në mesin e saj. LDK duhet t’i thërras, ata nuk rivalizojnë askënd për vota, ata janë autoritete të larta morale dhe nuk zvogëlohen për tu bërë deputetë, pasi është e madhe klasa me 120 deputetë, ata janë më pak, ata janë klasë më e vogël, janë senatorë të përjetshëm moral të Kosovës, janë prijës shpirtëror, ata e kanë frymëzuar, orientuar e formuar opinionin publik, e kanë përgatitë popullin e Kosovës për shtetin e ri që gëzojmë sot. Janë gjallë ata njerëz prej të cilëve kemi mësuar abc e politikës dhe shtetformimit të Kosovës dhe pa frikë se po gaboj apo lëndoj ndokënd, me kërkim ndjesë se nuk i përmend dot të gjithë për shkak të mos njohjes personale, do të them se janë në mesin tonë Jusuf Buxhovi që ofron edhe arkivin e zhvillimeve politike e shoqërore që nga fillimi, është gjallë Milazim Krasniqi, Mehmet Kraja, Eqrem Kryeziu, Skender Zogaj, pa vazhduar më tej me emra personalitetesh të tjera të jashtëzakonshme, që janë gjallë dhe kanë aksione të forta morale në krijimin e lartësimin e LDK dhe të gjithë shoqërisë. Të thirren në një kuvend urtësie dhe këta le ta ndjekin ringritjen e LDK-së”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Shahu thotë se LDK-ja kurrë nuk do të jetë parti zyrtarësh, parti antikomuniste, por ajo është LDK është shkollë politike për rajonin e sidomos për hapësirën shqiptare, është akademia e vetme politike shqiptare.

“LDK nuk erdhi as nuk duhet të jetë kurrë me parti zyrtarësh me xhipa te zi që shoqërohen nga eskorta të frikshme dhe autokolona xhipash. Ata që ishin pa xhipa të zi shëtisin në xhipa të huaj. Veç kësaj LDK si organizëm i gjallë duhet të ndjekë kapilarët e saj, të shkojë në fund, atje ku janë ata që e kanë mbajtur në këmbë këtë forcë politike që ka drejtuar shtet paralel që e kishin zili shtetet e tjera. Të shkojë e t’i takojë e tu kërkojë ndjesë për shpërfilljen e nënvleftësimin atyre njerëzve në bazë, në familje. Unë njoh shumë njerëz që ruajnë sot e gjithë ditën lista të familjeve që merrnin ndihma nga LDK, lista të njerëzve që merrnin mbështetje, që ofronin mbështetje, lista të njerëzve që mobilizoheshin si roje në fshatrat e lagjet e tyre dhe gjithë këto mobilizime i bënte LDK se nuk ekzistonte asnjë forcë tjetër politike ende në Kosovë. LDK ka qenë e duhet të mbetet rreptë parti antikomuniste, mike e palëkundur e Amerikës, jo parti që e ndikojnë segmentet fetare të asnjë lloji as ekstremiste as jo ekstremiste, parti e djathtë, jo e majtë, jo enveriste, as e majtë e nakatosur, sepse e majta sllave, komunizmi sllav i ka shkaktuar Kosovës shumë vrasje, burgime, shkatërrime, dëme kolosale. LDK duhet tu tregojë qartë njerëzve që duan të majtën, enverizmin e Shqipërisë, duhet tu tregojë se çdo të thotë të dorëzojnë gjithë pronat, të dorëzojnë edhe lopët, tokat, dyqanet çdo pasuri private, çdo të thotë që të bëjë çdo gjë shteti për njerëzit dhe shteti ia fut lugën në gojë kujt të dojë dhe lënë pa ushqim kë të dojë. LDK është shkollë politike për rajonin e sidomos për hapësirën shqiptare është akademia e vetme politike shqiptare. LDK nuk duhet të jetë parti zyrtarësh që rendin për rroga e postë, portofole e imunitete e privilegje, por parti misionarësh siç ka nxjerrë misionare të vërtetë të përkushtuar. LDK nuk duhet më kurrë të drejtohet nga inferiore e kompleksive, nga njerëz me tituj e grada pa vepra të mirëfillta... Nuk lejohet kurrsesi që një zyrtar i lartë i Kosovës të jetë inferior para zyrtarëve të lartë të Shqipërisë. Shqipëria i ka borxhe Kosovës. LDK duhet ta artikulojë me forcë e ta ketë të prerë se në Kosovë nuk mund të instalohet enverizmi me fytyrën e askujt as me fytyrën e Zotit. E kjo bëhet, nuk thuhet. Shkurt pra, LDK të mos lejojë më të rrëmbehet kreu e kryesia e saj me intriga, të mos ketë gjueti shtrigash, përjashtime, linçime, denigrime, të bazohet në shtratin e saj të krijuesve të atyre që e lartësuan që kontribuuan me jetë e me shpirt, dhe në djathtizmin e saj, të mos bjerë viktime fushatash populiste njerëzish anonim në rrjete sociale që nuk dinë të shkruajnë as emrin e tyre në telefon, të mos lejojë gara krahinarizmash e fisesh se kjo e është një nga arsyet e rrënimit të saj”, ka përfunduar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Ahmeti: Përgjegjësia për të gjitha humbjet e LDK-së mbas vdekjes së presidentit Rugova, mund t’i faturohet Mustafës, por humbja e fundit është kolektive

Në anën tjetër, analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë se humbja e LDK nuk duhet t’i faturohet vetëm zotit Mustafa, por klikës së vjetër.

Ai për "Bota sot” është shprehur se Mustafa duhet të reflektojë me maturi, sinqeritet e seriozitet, pasi me gjuhën të cilën po përdor në drejtim të Vetëvendosjes, po fyen inteligjencën e gjysmën e atyre që kanë votuar këtë subjekt politik.

Image
Hidajet Ahmeti

“Zoti Mustafa duhet të kthjellet nga ky debakël që ka pësuar në zgjedhje. Mendoj se humbja e madhe e LDK-së nuk duhet t’i faturohet vetëm zotit Mustafa, por klikës së vjetër, të cilët kanë uzurpuar partinë dhe vendimmarrjen e kanë përqendruar në duar të kësaj klike. Përkundrazi, zoti Mustafa duhet të reflektoj me maturi, sinqeritet e seriozitet, pasi me gjuhën të cilën po përdor në drejtim të Vetëvendosjes po fyen inteligjencën e gjysmën e atyre që kanë votuar këtë subjekt politik.

Sipas tij, kjo çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e fundit do t’i bëjë nder demokracisë së brishtë, e veçanërisht partive politike të cilat kanë pësuar debakël në këto zgjedhje.

“Tërmeti politik apo si ta quaj, kthesa e madhe politike që ka ndodhur në këto zgjedhje, potencialisht do t’i bëjë nder demokracisë së brishtë e veçanërisht partive politike të cilat kanë pësuar debakël në këto zgjedhje. Në njërën anë do t’i disiplinojë partitë politike të cilat kanë keqqeverisur nga paslufta, kurse në anën tjetër do të ngritët standardi qeverisës për të gjitha partitë të cilët do të udhëheqin me qeverinë. Përgjegjësia për të gjitha humbjet e LDK-së mbas vdekjes së presidentit Rugova, mund t’i faturohet zotit Mustafa, por mendoj se përgjegjësia për të gjitha humbjet e veçanërisht kësaj të fundit është kolektive, pasi çdo vendim që është marrë në kuadër të kësaj partie ka qenë e përqendruar në duar të kësaj klike të kryesisë së ngushtë”, ka theksuar Ahmeti.

Në fund, ai shton se edhe akuzat që Mustafa po i bën në drejtim të VV-së tregojnë për mllefin e tij për debaklin e partisë së tij në këto zgjedhje, por edhe humbjet e vazhdueshme që i është shkaktuar nga VV-ja.

“Akuzat e zotit Mustafa në drejtim të VV-së tregojnë për mllefin e tij për debaklin e partisë së tij në këto zgjedhje, por edhe humbjet e vazhdueshme që i është shkaktuar nga VV-ja. Por, mendoj se nuk është e drejtë që një lider partie të sillet në këtë mënyrë, pasi demokracia kërkon diçka tjetër e, jo inatet politike t’i përkthej në një gjuhë rrugaçërie”, ka deklaruar Hidajet Ahmeti për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat