Shokon publicisti nga Shqipëria: Është tronditëse, Rexhep Selimi del si urdhërdhënësi për vrasje politike

Politika

Shokon publicisti nga Shqipëria: Është tronditëse, Rexhep Selimi del si urdhërdhënësi për vrasje politike

Nga: P.R Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 19:55
Rexhep Selimi

Publikimi i dosjeve të UNMIK-ut, ku jepen detaje tronditëse për vrasjen e Ekrem Rexhes i njohur si Komandant Drini, Xhemail Mustafës, si dhe plagosjen e Fetah Rudit, i cili tash ë 20 vite ka mbetur në karrocë nga atentati i 15 dhjetorit të vitit 2000, ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik.

Në bazë të këtyre dosjeve të UNMIK-ut, organizatori i vrasjes së Drinit, Mustafës dhe plagosjes së Fetah Rudit është i njëjtë. Sipas këtyre dosjeve, organizatorët dhe autorët e vrasjes së Drinit, Mustafës dhe plagosjes së Fetah Rudit ishin anëtarë të TMK-së, Policisë së Kosovës, si dhe përmendet një ish deputet. Gjithashtu, edhe autorët dhe armët të cilat u përdorën janë të njëjta.

E lidhur me publikimin e këtyre dosjeve, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka shkruar se pas 20 vitesh, po fillojnë të zbardhen vrasjet politike.

“Më në fund, pas 20 vjetësh, doli guximi për zbardhjen e vrasjeve politike. Vrasja e njeriut të urtë, engjëllit shpëtimtar të rezistencës aktive paqësore, po fillon të zbardhet. O Zot, drejtësia po flet. Mos ia fal as në atë botë pas pendimit sepse e vranë engjëllin tuaj në tokë. Kanë me mbet turpi i sotëm e i historisë”, ka thënë Haziri.

E sipas analistit dhe publicistit Rexhep Shahu, thotë se me publikimin e këtyre dosjeve fillon edhe zbardhja e vrasjeve politike.

Image
Rexhep Shahu

“Me fillimin e publikimit të disa dokumenteve nga dosjet e shumta të UNMIK që kanë lidhje me vrasjet politike të pasluftës në Kosovë, po fillon një erë e re, një kohë e re, koha e çlirimit prej krimit e kriminelëve të cilët kanë vrarë njerëz të rëndësishëm të Kosovës dhe rrezik kriminelët, vrasësit e urdhëruesit e vrasjeve kanë marrë pjesë në varrime, në mos kanë mbajtë fjalime. Unë dua ta besoj se ka filluar seriozisht zbulimi i vrasjeve politike, (duhet ta dimë se shumica e vrasjeve në Kosovë kanë qenë politike), urdhëruesve e killerave që kanë zbatuar urdhrat e kriminelëve me kollaro e pushtet”, thotë Shahu për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, po kalon një brez njerëzor dhe viktimat nuk gjejnë qetësi pa drejtësi.

“Personat e vrarë apo të mbijetuar pahiri, të përmendur në dosje sipas atyre që po lexohen gjithandej në shtyp, janë personalitete të spikatura të jetës politike e shoqërore të Kosovës dhe duke eliminuar ata është synuar të trembet e të mos bëjë përpjetë e përpara krahu politik i LDK, është kërcënuar e paralajmëruar udhëheqja e LDK, vija e saj politike, anëtarësia e përkrahësit e saj nga kriminelët që kanë synuar e synojnë ende të privatizojnë luftën e shqiptarëve dhe pushtetin politik dhe ekonomik në Kosovë”, thekson Shahu.

Më tej, publicisti Shahu e quan tronditëse se në bazë të këtyre dosjeve të UNMIK-ut, Rexhep Selimi del si urdhërdhënësi për atentate e vrasje politike.

“Të akuzuar të mëdhenj si te dyshuar gjenden në Gjykatën Speciale në Hagë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Por në bazë të dosjeve që po qarkullojnë është shumë e rëndë e tronditëse që një nga krerët Rexhep Selimi i përkëdhelur nga pushteti dje e sot, del si urdhërdhënësi për atentate e vrasje politike. Unë dua të besoj se tërë akuza nyje nyje është e lidhur ne thesin e krimit dhe do të shtjerrët nga Gjykata Speciale e cila nuk besoj se është krijuar për të dhënë dekorata e fleta lavdërimi kriminelëve, por për të gjykuar e ndëshkuar kriminelët”, thekson publicisti Shahu.

“Fatkeqësisht u trondit opinioni se po përballet me dyfytyrësi, kriminelët janë shitur heronj e janë nderuar si të tillë si heronj, por dalin kriminelë. Opinioni tronditet se politika ka bërë e ndoshta po bën mbrojtjen e avokatinë e vrasëseve, urdhërdhënësve e kriminelëve, politika u ka dhënë edhe imunitet, u ka dhënë mandate politike, i ka bërë deputet, ministra, qeveritar, politika i ka shpërblyer familjarët e kriminelëve ne mungesë të kriminelëve që janë në burgje apo janë të dënuar”, shton Shahu.

Për fund, Shahu deklaron se Kosova duhet të shpëtojë nga krimi politik.

“Opinioni duhet të vras frikën, më në fund duhet vrarë frika por kjo është jo e lehtë pasi kriminelët rrinë në errësirë dhe qëllojnë nga errësira pasi kanë mbrojtjen e politikanëve. Politikanët shqiptar shpesh edhe pa dashje, shpesh edhe ngaqë vendosin të bëjnë vet drejtësi, të mos i besojnë drejtësisë së aktorëve të emëruar prej tyre, bëhen bodigardë e avokatë të kriminelëve. Unë shpresoj se Kosova do të shpëtojë nga krimi politik dhe shpresoj të mos dështojmë në këtë udhë të shtet bërjes, pasi pastaj do të vërtetohet thënia e Vlladan Gjorgjeviqit se shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet, na i lini shqiptarët ne serbëve 100 vjet që t’i kulturojmë e pastaj ua japim një autonomi kulturore…”, përfundon publicisti Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat