U vra dhe u dogj në Pejë/ Ish agjenti i SHIK-ut tregon arsyet: Ja pse u vra Qerim Kelmendi, ishte i dyshuar për...

Politika

U vra dhe u dogj në Pejë/ Ish agjenti i SHIK-ut tregon arsyet: Ja pse u vra Qerim Kelmendi, ishte i dyshuar për...

Nga: BS Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 19:21
Më 27 shkurt të vitit të kaluar, Qerim Kelmendi në fshatin Zahaq të Komunës së Pejës është gjetur i vdekur, trupi i të cilit më pas edhe është djegur.

Në një vjetorin e vrasjes së Qerim Kelmendit, familja Kelmendi, përmes një komunikate ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta zbardh këtë vrasje.

“Mënyra e ekzekutimit të Qerimit, nga Prokuroria Themelore e Pejës, fillimisht është cilësuar si vrasje shumë e rëndë, shumë profesionale dhe tepër misterioze. Rasti i vrasjes së Heroit të Kosovës, Qerim Kelmendi, më vonë ka kaluar në Prokurorinë Speciale të Kosovës në Prishtinë. Përkundër faktit se Prokuroria Speciale e Kosovës prej muajsh ka në trajtim këtë rast, deri me tani nuk ka asnjë lëvizje konkrete në drejtim të identifikimit të autorëve të vrasjes dhe vënies së tyre para drejtësisë. Ne, përfaqësuesit e familjes së Qerim Kelmendit, kemi takuar dy herë prokurorin e rastit në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, z. Haki Gecaj si dhe gjatë kësaj periudhe njëvjeçare i jemi drejtuar me dy kërkesa zyrtare, me qëllim që të kuptojmë se në cilën fazë kanë mbërritur hetimet. Më 21 shkurt 2021, prokurorit z. Haki Gecaj, me shkrim, ju kemi drejtuar me kërkesën e dytë, përmes së cilës kemi shprehur pakënaqësinë e familjes tonë se pse edhe pas 11 muajve e 25 ditëve nuk kemi asnjë informatë apo njoftim lidhur me zbardhjen e këtij rasti. Pas kësaj letre jemi ftuar në takim nga prokurori z.Gecaj, ku fatkeqësisht, më 22 shkurt 2021, në takimin tonë të fundit jemi njoftuar se akoma nuk ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve. Duke parë këtë mungesë të seriozitetit në hetimin e këtij rasti, ne i bëjmë thirrje edhe kryeprokurorit të shtetit, z. Aleksandër Lumezi, që të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në kuadër të kompetencave të tij, për të zbardhjen e kësaj vrasjeje”, thuhet në komunikatën e familjes Kelmendi.

Por kush e vrau dhe pse e vrau Qerim Kelmendin, i cili jo rrallë herë ka qenë i akuzuar për vrasjet politike? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur ish agjenti i SHIK-ut dhe ish eprori i UÇK-së, Naim Miftari.

Miftari thotë se Qerim Kelmendi ishte cak i Gjykatës Speciale, por nuk dihet në çfarë cilësie.

Image
Naim Miftari

“Krejt çka mundem të them është se Qerimi ka qenë protagonist i shumë ngjarjeve në Kosovë. Po ka qenë cak i Gjykatës Speciale, tani nuk them i dyshuar apo dëshmitar. Dhe nuk di si ka dal rezultati i ADN-së së kufomës që u gjet në veturë të Qerimit, i cili ka qenë i dyshuar edhe në rastin e Smajl Hajdarit e shumë dyshime të tjera”, është shprehur Miftari për gazetën “Bota sot”.

Më tej, ai ka thënë se me vrasjen e Kelmendit dhe shumë të tjerëve, shumë raste do të mbetën gjithmonë të pa zbuluara.

“Qerimi ishte nder ushtarët e parë të UÇK-së, njeri i aksioneve, kishte kryer aksione bashkë edhe me Zahir Pajazitin, por me vrasjen e Qerimit, të Agronut, të Avniut, Naimit...kanë mbet për jetë të mbyllura shumë gjera e raste”, thotë Miftari.

Për fund, ish agjenti i SHIK-ut, i cili është intervistuar edhe nga Gjykata Speciale, la treguar edhe arsyen, që sipas tij u vra Qerim Kelmendi.

“Shumë tjerë po thonë se e ka vrarë UDB, por unë nuk e besoj fare këtë punë. Qerimi është vrarë se ka ditë shumë gjëra, ishte vet protagonist dhe paraqiste rrezik të lart për figura te larta politike që vinin nga kinse nga lufta, sidomos nga Kosova por edhe nga Shqipëria”, përfundon për gazetën “Bota sot”, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Kujtojmë se më 27 shkurt të vitit të kaluar, Qerim Kelmendi në fshatin Zahaq të Komunës së Pejës është gjetur i vdekur, trupi i të cilit më pas edhe është djegur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat