“Serbia s’do ta njohë Kosovën”, ish-këshilltari i lartë në DASH i kundërpërgjigjet Vuçiqit

Politika

“Serbia s’do ta njohë Kosovën”, ish-këshilltari i lartë në DASH i kundërpërgjigjet Vuçiqit

Nga: A.Zh Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 16:04
Departamenti i Shtetit

Ish-këshilltari i lartë në Departamentin e Shtetit, David Phillips, është një nga ata ekspertë të rrallë që ftohen për bisedime në institucionet amerikane sa herë që çështjet e Ballkanit janë në agjendë. Ai ka dhënë mësim në disa nga kolegjet më prestigjioze si Harvard ose New York University, dhe aktualisht është kreu i Institutit të Universitetit Columbia për të Drejtat e Njeriut në New York.

Për vite me radhë, pranë demokratëve, Phillips, pas një thirrjeje të qartë të Presidentit të ri të SHBA Joseph Biden në Beograd për të njohur Kosovën, thotë se "Serbia do të qëndrojë mënjanë derisa të njohë krimet që Sllobodan Millosheviç bëri në emër të popullit serb".

"Shtetet e Bashkuara do të duan të bashkëpunojnë me Serbinë shumë më intensivisht kur të arrihet një marrëveshje e plotë dhe përfundimtare mbi njohjen reciproke midis Serbisë dhe Kosovës. Pandemia Covid-19 vetëm theksoi më tej rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në zgjidhjen e problemeve globale" ka thënë Phillips në një intervistë për mediat serbe, përcjell Bota sot.

Duke komentuar deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, eksperti amerikan ia ka bërë të qartë Serbisë se nuk mund të hyjë në BE, pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovës.

“Kapitulli 35 (mbi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian; shënimi a.) është i qartë. Serbia nuk do të hyjë në BE derisa të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Ajo do të mbetet në margjinat evropiane derisa të vendosë marrëdhënie të mira me Kosovën dhe fqinjët e tjerë”, ka thënë Phillips.

Sipas tij, Vuçiq do të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, nëse ai me të vërtetë kujdeset për situatën në Serbi.

“Sjellja konstruktive mund të shpërblehet me stimuj të ndryshëm. Nëse presidenti Vuçiq me të vërtetë kujdeset për situatën në Serbi, por edhe për trashëgiminë e tij, ai do të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, duke lehtësuar kështu integrimin e Serbisë në strukturat Euro-Atlantike”, është shprehur më tej ai.

Ish-këshilltari i lartë në DASH, është pyetur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve, për të cilin ka thënë se është gjithmonë një “ide e keqe”, përcjell Bota sot.

Sipas Phillips, ai plan ka vdekur.

“Ai plan ka vdekur. Shkëmbimi i territoreve ishte një ide e keqe që nga fillimi. Është ende një ide e keqe dhe do të mbetet gjithmonë e tillë”, ka shtuar David Phillips./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat