LDK nën “ethe”, 14 marsi “zbulon” kryetarin e ri të LDK-së! Këta janë emrat që pretendojnë kreun e kësaj partie

Politika

LDK nën “ethe”, 14 marsi “zbulon” kryetarin e ri të LDK-së! Këta janë emrat që pretendojnë kreun e kësaj partie

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 28 shkurt 2021 Në ora: 18:14
Lidhja Demokratike e Kosovës

Rezultati i dobët i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e bëri që të jap dorëheqje kryetarin e kësaj partie.

Dorëheqja e Isa Mustafës u bë e ditur një ditë pas zgjedhjeve.

LDK-ja nuk arriti të dalë e para në asnjë komunë të Kosovës.

Në këto zgjedhje kjo parti u renditë e treta, duke marrë vetëm 13, 08% apo 103 mijë e 507 vota. Kurse në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, kjo parti ishte renditur e dyta me 24, 54% apo 206 mijë e 516 vota.

Ky rezultat ka shkaktuar pakënaqësi brenda kësaj partie. Ndërkaq, edhe pse kanë kaluar më shumë se 2 javë, ende nuk dihet kush do të jetë i pari apo “shpëtimtari” i LDK-së.

Kjo gjë do të dihet më 14 mars ku do të mbahet Kuvendi zgjedhor.

Deri më tani, Melihate Tërmkolli, Anton Quni dhe Lutfi Haziri, kanë deklaruar se kanë pretendime për pozitën e kryetarit të LDK-së.

Sipas ekspertëve, kryetari i LDK-së duhet të jetë një individ i cili do ta bashkojë këtë parti dhe se t`i kthehet serish frymës rugoviane.

Qarri: Tërmkolli, në rrethin e ngushtë të emrave për kryetare

Analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se LDK-ja gjendet në krizën më të thellë politike dhe organizative.

Image
Gani Qarri

“LDK, pas debaklit katastrofal që pësoi nën udhëheqjen e Isa Mustafës dhe kryesisë së dështuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, gjendet në krizën më të thellë politike dhe organizative qysh nga viti 1989 kur dhe u themelua për herë të parë si parti nga Dr. Ibrahim Rugova. Ndaj në gjendjen dëshpëruese në të cilën aktualisht ajo ka rënë, me rastin e zgjedhjes së kryetarit, nëse tentohet që dikush nga kryesia e vjetër, serish të ngjitet në krye të partisë apo edhe të katapultohet në postin e të parit të saj, në vend të zgjedhjes transparente të tij me vota të fshehta në kuvend, mund të shpërthejnë serish mospajtime të mëdha dhe qarje të reja, apo të lindin edhe fraksione të rigrupuara, nga vet Isa Mustafa që më parë, brenda kësaj partie”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka folur edhe për pretendimet e Qunit dhe Hazirit për postin e kreut të LDK-së.

“Madje pas pretendimeve të shfaqura publikisht për pozitën e të parit të LDK-së, ku bëjnë pjesë edhe anëtar të vjetër të kryesisë së kaluar si Lutfi Haziri e Anton Quni të cilët shihen si bashkëfajtor për humbjen e LDK-së, duhet të gjendet një konsensus i përbashkët përbrenda kuorumit partiak, përndryshe pos acarimeve aktuale, mund të rriten edhe më tepër tensionet brenda partisë, shfaqen pakënaqësi dhe mospajtime, nëse imponohet dikush nga kryesia e kaluar në postin e të parit të partisë. Në këto momente skena të tilla të cilat janë plotësisht të pritshme dhe përveç ikjes së elektoratit dhe distancimit të anëtarësisë, nga kjo parti, mund të largohen fare lehtë edhe kuadro tjerë të lartë, me stazh të konsiderueshëm partiak dhe përvojë të gjatë politike, që do ta dëmtonin edhe më tepër LDK-në”, ka deklaruar Qarri për “Bota sot”.

Më tej, ai ka hedhur akuza ndaj Hazirit, duke thënë se është kuadër i konsumuar tërësisht.

“Me një fjalë LDK duhet të distancohet plotësisht nga kryesia e vjetër dhe ti kthehet serish frymës rugoviane, sepse për debaklin e LDK-së, kush më pak e kush më shumë, të gjithë janë përgjegjës dhe bashkëfajtor, që për kohë kaq të shkurtër quan në rënien më të madhe në historinë e ekzistencës së saj. Madje personi i parë i cili duhet të fshihet nga lista për kryetar të ardhshëm të LDK-së është pikërisht Lutfi Haziri, ai është kuadër i konsumuar tërësisht, LDK humbi keq edhe në Gjilan, megjithëse udhëhiqet prej tij, Luta njihet edhe për lidhjet e ngushta që kishte me Hashim Thaçin dhe pas humbjes së fundit, LDK nuk mund të ketë më, asnjë përfitim prej tij”.

Sa i përket pretendimeve të Tërmkollit për kryetare të LDK-së, Qarri ka vlerësuar lartë veprën e saj në rrymën rogoviane, duke theksuar se ajo futet në rrethin e ngushtë të emrave për këtë pozitë.

“Ndërsa sa i takon Melihate Tërmkollit, besojë se shumica e anëtarësisë së LDK-së dhe qytetarëve të Kosovës, kanë respekt të madh dhe konsideratë të veçantë për veprën e saj, e cila vërtetë ka dhënë gjithçka për këtë vend, ishte ndër të paktët deputet të kohës, që ka kundërshtuar me forcë heqjen e autonomisë së Kosovës nga Serbia, kur ish kryetari Isa Mustafa vazhdonte bashkëpunimin me strukturat e pushtetit të Rrahman Morinës dhe ato komuniste të Serbisë e Jugosllavisë.

Tërmkolli ka dhënë krejt sa ka mundur dhe arrit të bëjë për LDK-në, por se a është pikërisht ajo, tani dhe në këto momente dramatike, personi i qëlluar për tu zgjedhur në krye të partisë, përkundër respektit të madh dhe solidaritetit me atdhetarinë e dëshmuar të saj, unë nuk mund ta them.

“Ndoshta është më mirë, që këtë punë t`ua lemë votuesve dhe elektoratit të LDK-së, vetëm ata mund ta nxjerrin emrin e duhur dhe kandidatin më të mirë në krye të partisë së tyre, ndërsa nëse zonja Tërmkolli vërtetë futet në rrethin e ngushtë të emrave për këtë post, unë i urojë nga zemra asaj që të fitojë. Ajo që do të dëshiroja, për hir të kontributit të gjatë dhe të sinqertë, patriotizmit sublim të dëshmuar edhe në vepër dhe dëshirës së saj të flaktë për ta forcuar e përparuar Kosovën, rikthyer frymën rugoviane dhe ringjallur sërish LDK-në, në shenjë nderimi, për të gjitha sa ajo ka bërë për Kosovën dhe LDK-në, zonjës Melihate Tërmkolli,të paktën ti jepej titulli "Kryetare Nderi" e LDK-së së Ibrahim Rugovës”, është shprehur Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, LDK-së i duhet një udhëheqje komplet të re.

“Aktualisht, LDK ka nevojë për udhëheqje komplet të re, të distancuar nga mendësia dhe praktika e vjetër komuniste e veprimit në parti, ajo ka nevojë ndarjen përfundimtare nga kryesia e deritanishme, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare e katandisi LDK-në në vetëm 13%,që është niveli më i ulët në gjithë ekzistencën e saj. Ndaj cilado nga fytyrat e vjetra të kryesisë, do ta dëmtonin edhe më keq LDK-në dhe shkaktonin edhe më tepër përçarje, se sa konsolidim brenda partisë, që mund të qonin edhe ne ndarje apo fraksione, të cilat do ta siglonin edhe fundin e saj si parti”, ka potencuar Qarri për “Bota sot”.

Shahu: Tërmkolli, Quni dhe Haziri kanë histori

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, theksuar se Tërmkolli, Quni dhe Haziri janë pjesë e historisë së LDK-së

Image
Rexhep Shahu

“Të tre emrat që përmendni ju, kanë histori ose janë pjesë e historisë së LDK. Gjithkush mund ta drejtojë LDK, duke u nise nga ajo qe nuk ka më Ibrahim Rugovë që e thërrasim ta drejtojë LDK por ka kandidatë që vet ofrohen e bëjnë kërkesë e logojnë të behën drejtues. Çështja sipas meje nuk është tek emri konkret, te Melihatja një bashkëpunëtore e njohur Rugovës, te Haziri kuadër me peshë në vite i LDK, tek Quni me kontribute të veçanta për lirinë e Kosovës, çështja është tek modeli, te mënyra e drejtimit, te ofrimi i njerëzve, te ndërtimi i urave, te ngjallja e organizmit madhështor, te mos nënvlerësimi i askujt, te mos përdorimi i gishtit tregues që ia drejton tjetrit apo të tjerëve”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Shahu ka përmendur çfarë ka ndodhur me LDK-në në të kaluarën e saj.

“Kujtojmë se që nga spektakli i Dacit dhe Sejdiut me LDK, u formësuan apo klasifikuan grupe që patën fuqi të rivalizonin, të ndikonin, të mënjanonin të tjerët, të veçonin e të përjashtonin të tjerët dhe kryetarët që nga Sejdiu u zvogëluan për shkak të individëve prej të cilëve rrethoheshin, u bënë jo kryetare të të gjithëve por të pjesëve të ndryshme brenda LDK-së jo për faj të tyre aq sa të atyre që i rrethonin dhe ua zinin pamjen e shikimit, ndryshe nga Rugova që ishte kryetar i të gjithëve sepse ai nuk përbuzte askënd dhe nuk kishte në fakt asnjë eminence gri. Derisa sa mbërritëm në kohen që LDK filloi të mbyllej dhe ta përfaqësonte Isa Mustafa me një grup gjithnjë e më të ngushtë, duke mos parë anash e larg se LDK po tkurrej”.

Sipas tij, Isa e ata rreth tij nuk e shihnin tkurrjen sepse ata filluan të mos shohin larg, filluan të mos e shohin anëtarin e veprimtarin idealist e të talentuar të LDK atje në fshatin e thellë apo në skajin e qytetit të vogël a të madh, të shtetit të vogël a të madh në perëndim, atje në lagje, atje ku LDK ka kapilaret e saj, atje ku në fakt janë rrënjët e votës e rrënjët e pushtetit.

“Kam drojë se LDK po e bëjnë një trupe të vogël zgjedhore te disa njerëzve që janë përfaqësues të anëtarësisë por nëse kjo vlen teknikisht për të zgjedhë organet drejtuese, kryetari që do të dalë nga zgjedhja duhet ti drejtohet votuesit e jo zyrtareve, duhet tu drejtohet veprimtareve që e kanë mbajt në këmbë LDK dhe Kosovën në dekadën e shtetit paralel ku shqiptarit në Kosove nuk i ka munguar as kripa e as aspirina vetëm nga merita e LDK-së që diti ta mbajë Kosovën shtet pa shtet, ta zhvilloje arsimin e gjithë jetën e vendit nën okupim serb. Kjo anëtarësi e LDK është gjallë veç është e harruar dhe e lënë mënjanë, e nënvlerësuar”, ka thënë Shahu.

Më tej, ai ka përmendur edhe emrin e Vjosa Osmanit, duke thënë se zyrtarët e kësaj partie nuk duhet që të lusin atë të kthehet në LDK.

“LDK u sulmua dhe u silurua rënd në këto zgjedhje pasi kundërshtari politik VV hyri brenda radhëve të saj dhe ia mori kalanë nga brenda LDK përmes Vjosës që donë veç pushtet LDK do të përcjellë mesazh e vlerë nëse nuk bie në gjunjë të lusë Vjosën të kthehet. LDK është më e madhja dhe partia me e vetëmjaftueshme në Kosovë që ka nevojë veç për anëtarin e saj të thjeshtë dhe ti kërkojë ndjesë atij se e ka lënë mënjanë duke besuar se kuadrot e saj kanë ndikim por që në fakt nuk patën”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Në fund, Shahu ka theksuar se LDK-së i duhet një kryetar që afron e nuk largon askënd, po ashtu ai ka përmendur edhe dy emra të veprimtarëve të kësaj partie.

“Tjetra që do të doja të ndodhte është që kryetari i ri kushdo qoftë, ta dijë mirë e shumë mirë se nuk e ka luksin të largojë askënd nga partia, të nënvlerësojë askënd dhe duhet domosdo në një mënyrë a një tjetër të mbledhë senatoret e saj LDK. Personalisht mendoj se sa dhjetë të rinj në LDK ka influencë p.sh Eqrem Kryeziu ish nënkryetari i LDK. Mora një shembull por ka plot. Arkivin dhe historinë e LDK e mban në shpine ngado shkon Jusuf Buxhovi. Nuk ka kryetar LDK që nuk ka nevojë për figura të tilla. Përmenda dy emra por vetëm unë jam gati të përmend 30 senatorë të tillë morali që i ka nevojë Kosova. Një kryetar që afron e nuk largon askënd i duhet LDK dhe Kosovës. Kryetari i ri i LDK duhet ta dijë se LDK është parti kombëtare jo veç e Kosovës dhe kryetari i saj është lider kombëtar e jo veç në Kosovë, ndaj gjithkush duhet ta dijë se posti i kryetarit të LDK ka pelerinë të madhe”, ka përfunduar Shahu për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat