Fundi politik i palavdishëm i tandemit Mustafa-Thaçi

Politika

Fundi politik i palavdishëm i tandemit Mustafa-Thaçi

Nga: D.RR Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 19:18
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

Kryetari në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa, nuk po e kupton arsyen pse LDK-ja i humbi 100 mijë vota në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe u rendit partia e tretë në vend. 

Të paktën kështu deklaroi vet ai, teksa tha se nuk është i penduar për prishjen e koalicionit me Lëvzijen Vetëvendosje në mars të vitit të kaluar. 

Ndonëse ka dhënë dorëheqje, Mustafa deklaroi se deputetët e LDK-së nuk do të rrinë në sallë për ta votuar Vjosa Osmanin si presidente, e as për t’ia bërë kourumin që i duhet. 

Zgjedhjet brenda LDK-së që priten të mbahen në muajin mars, mund të shënoj edhe fundin e karrierës politike të Isa Mustafës, karrierë disa dekadëshe. 

Njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se Isa Mustafa po bën sikur nuk kupton kur kërkon arsyen e humbjes së thellë të LDK-së. 

Image
Idriz Zeqiraj

Ai rendit të bëmat e Mustafës, teksa thotë se tandemi Isa-Hashimi kanë udhëhequr LDK-në qe sa vite. 

“Kur dëgjoj këto "xhevahire" nga akademik Isa Mustafa, i frikësohem pleqërisë, më qartë, lajthitjes pleqnore. Njeriu që bënë sikur nuk kupton, edhe atëherë kur e fshehta është publike, është një tallje e shpëlarë me vetëvetën dhe të tjerët. 

I)  Qytetarët e Kosovës, në këtë rast, elektorati, populli, me refuzimin e bërë LDK-së, ishin të vetëdijshëm se po vepronin drejt, edhe pse jo pa dhimbje. Tej 10-vjeçarit të fundit, LDK-ja është udhëhequr nga tandemi Isa-Hashimi! Marrëveshjet konspirative për Demarkacionin, Asociacionin, bërja e Hashimit president dhe të Isës kryeministër, ishin shkelje të rënda, pa transparencë dhe përkundër vullnetit të anëtarësisë dhe të strukturave të LDK-së! 

Bërja e koalicioneve të përsëritura, të panatyrshme, me PDK-në dhe PAN-in, ishin irrituese për elektoratin e LDK-së. Votat e qytetarëve, të LDK-së, shërbenin si patericë, për mbajtjen në pushtet, për 17 vjetë radhazi të PDK-së dhe të PAN-it! Edhe atëherë, kur, kinse, kryeministrin e kishte LDK-ja, "nuk ia linte shejë" sundimit të Hashimit, në synimet e tij, për ndarjen e Kosovës, për t`i shpëtuar penalizimit, për të bëmat e tij, gjatë dhe pas luftës. Dhe, gjithëherë, në përgjakjen e ushtarakëve dhe të veprimtarëve të LDK-së. 

Për të mos u larguar në vite, përgjigjen pse qytetarët e ndëshkuan LDK-në, kryetari në pishmanllëk të largimit, e gjenë në koalicionin LVV-LDK, përkatësisht, në konspiracionin e pistë Hashimi-Isa-PAN. Falë një bashkëpunimi korrekt dhe të suksesshëm, LVV-LDK, përgjatë opozitës, LVV ngulmonte për ardhjen në pushtet, në koordinim me LDK-në. Meqë partitë-banda të PAN-it u bashkuan, për ta zhbërë Gjykatën Speciale, LVV nuk ishte e sigurtë në fitore, në garimin e vetme. Andaj, kërkoi koalicion parazgjedhor me LDK-në. Por, kryetari Isë, me klanin e tij, ishin peng i shantazhimit të PDK-së dhe SHIK-ut të saj, me kërkesën e prerë që ky koalicion të mos bëhet. 

Falë këmbënguljes dhe zgjuarësisë të Vjosë Osmanit, u arrit harmonizimi i programit qeverisës i koalicionit. Edhe ndarja e resoreve ministrore, u bë pa zhurmim. Por, LDK-ja, nxori çështjen e presidentit, kandidaturën e kryetarit të saj, edhe pse presidenti kishte edhe dy vjet kohë, për t`u zgjedhur! Kandidatura ishte nonsens, hiç e pranueshme nga populli, por, në veçanti, nga LVV, sepse, nëse bëhej kjo zgjedhje, sllogani i proklamuar i - ndryshimit -, merrte fund! 

Popullit i ngutej për -ndryshimin-, ndërkohë që binomi Hashimi-Isa, të sigurtë në suksesin e intrigimit, konspironin me dy partitë e PAN-it: AAK-NISMA dhe LISTA SERBE-, si zbutje e zemratës të anëtarësisë dhe të elektoratit të LDK-së, me arsyetimin se nuk bëmë koalicion me PDK-në. Kumbar i prishjes të koalicionit LDK-LVV, rrëzimit të qeverisë Kurti dhe krijimit të koalicionit të ri: LDK-LISTA SERBE-NISMA, deri ke sigurimi i lodhshëm dhe në errësirën e natës të qeverisë Hoti, e bëri, hiç më pak se president i vendit! Dhe të gjithë këtë poshtërsi, donin t`ia faturonin LVV! "Sa poshtë ka ra katundi",- thotë populli! 

Edhe pas gjithë kësaj maskarade, akademik zeza, donte ta vazhdonte zvarritjen pushtetare, deri më 2023, duke e lutur e stërlutur PDK-në, të bëhet pjesë e qeverisë të paligjshme dhe të marrëzishme - njëherësh. Dhe, për të gjitha këto skandale, mashtrime, gënjeshtra serike, u betuan, zëshëm apo në surdinë, të paktën, 100 mijë anëtarë të LDK-së, se nuk japim vote, për një udhëheqje matrapaze, kontabanduese të votave tona. Mjaft më me një lidership, që "i hanë fjalët si llokume!"  

Karrierizmi i kryetarit dhe i lidershipit-klan, refuzoi konkurrencën e ndershme, rrënoi sistemin zgjedhor dhe krijoi, artificialisht, problemin Donikë Gërvalla dhe Vjosë Osmani. Linçimi i tipit stalinist të dy vajzave, më të zëshme të Kosovës, reformatore, krijoi pakënaqësi masive në të gjithë Shqiptarinë dhe ndëshkim për subjektin, dikur më simpatik, në të gjithë spektrin politik gjithëshqiptar - LDK-në. Edhe ky pësim i madh, duhet të shërbejë si mësim për të gjithë politikën shqiptare”, tha Zeqiraj. 

Ai shprehet se “inati i Isa Mustafës peshon më shumë se trupi i tij”, e për këtë arsye gjithmonë pësoi humbje. Sipas Zeqirajt, koalicioni i prishur me VV-në ishte i “gatuar” nga Mustafa së bashku me Thaçin. 

“II) E kam thënë dhe e përsëris, se Isë akademikut, më shumë i peshon inati, se sa trupi. Dhe, inati në politikë, është humbës. Kështu humbi edhe kësaj radhe, kryetari, më pak shokë. Më në fund, edhe ai e pranon se e prishi koalicionin me LVV. Dhe, për këtë nuk ka pse të pendohet, ngaqë këtë plan e ka "gatuar" së bashku me Hashimin, ende pa u koalicionuar me LVV. Kjo është rrjedhë logjike e tij. Por, partia, populli, shqiptarët nuk ia kishin borxh kryetarit, me klanin e tij, t`i maltretonin me mashtrime e gënjeshtra, sikur LVV e prishi koalicioni”, theksoi ai për “Bota sot”. 

Zeqiraj kritikon edhe fushatën e LDK-së, për të cilën thotë se ishte e përqëndruar vetëm në sulmin ndaj Vjosa Osmanit dhe VV-së, përkundër kësaj të fundit që zhvilloi një fushatë dinjitoze, pa të shara e pa anatema. 

“III) Për fitoren spektakulare, LVV e uruan të gjitha subjektet politike të Kosovës, parti e personalitete botërore. Por, jo edhe Isa Mustafa, pavarësisht se shumë kuadro dinjitozë të LDK-së, e kanë pranuar dhe uruar LVV, duke e shpërfillur, meritueshëm, kryetarin e tyre inatçi unik! Burracakëria e kryetarit, shpërfaqet në përmasën më të ligë të mundshme. Kujtoni fushatën korrekte e gjithë pozivitet të LVV, pa anatema e sharje, ndërkohë që fushata e LDK-së u reduktua në Albin dhe Vjosë, gjithnjë, në kontekstin negativ! Por, bëri efektin e kundërt!”, u shpreh Zeqiraj. 

Ai shpreson se deputetët e LDK-së nuk do ta dëgjojnë Isa Mustafën dhe do të qëndrojnë në sallë për ta votuar Vjosa Osmanin për presidente. 

“IV) Kulmon akademik Mustafa, kur deklaron se "nuk do t`ia bejë kurrë kourumin Osmanit (Vjosës), sepse nuk është personi i duhur për president! LDK nuk do të rrijë në sallë!" 

Së pari, fitorja plebishitare, prej 250 votave për Vjosë Osmanin, është tregues i qartë, se ajo është më shumë se aset partiak, është aset kombëtar, e patejkalueshme. Si e tillë, pikërisht, Vjosa është përsoni i duhur për postin e presidentit të vendit; 

Së dyti, me çfarë sigurie flet kryetari i dorëhequr, kur thotë  se "LDK (deputetët) nuk do të rrijnë në sallë!" Me Kushtetutë deputeti, i zgjedhur me votën e popullit, mbron dhe zbaton vullnetin e popullit. Dhe, për këtë vendos ai individualisht e personalisht. Isa ua heq këtë drejtë elementare deputetëve, i përdorë si robot e kondom të tij, duke i nxjerrë nga salla, në momentin e votimit të presidentës Vjosë! 

Ish-kryetari Isa Mustafa, e mbylli karrierën e tij politike, hiç lavdishëm. Por, shtrohet pyetja, a pranon  Besiani, deputet rinor, me shokë e shoqe, që janë në nismë të karrierës, të veprojnë turpshëm, ta vënë në luhajë karrierën e tyre politike, duke lëshuar sallën, për hatër të Isës?! Ndërkohë që Kushtetuta dhe Atdheu kërkon të kundërtën, qendrimin në sallë. I gjithë ky negativitet i Isës "lider", duhet t`i shërbejë politikës dhe popullit, të kenë maturi personale dhe përgjegjësi atdhetare, për besimin, votën e dhënë”, tha Zeqiraj për “Bota sot”. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat