Vizita pas skandalit!

Politika

Vizita pas skandalit!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 shkurt 2021 Në ora: 21:19
Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, nesër, e hënë, pritet të vijë për vizitë në Kosovë.

Ai do të qëndrojë tri ditë në Prishtinë duke filluar nga e hëna e 1 marsit.

Kurse, lidhur me qëllimet e kësaj vizite, as Bashkimi Evropian dhe as Miroslav Lajçak nuk kanë dhënë shumë detaje. Mirëpo, një gjë dihet se tema kryesore e kësaj vizite do të jetë dialogu Kosovë-Serbi dhe arritja e një marrëveshje për finalizimin e këtyre bisedimeve.

Kjo vizitë do të realizohet vetëm disa ditë, pasi Lajçak nxiti shumë reagime në Kosovë, ku mbrapa tij gjatë një interviste nga Brukseli për platformën European Western Balkans shihej një hartë e cila e “kthente” Kosovën në Serbi.

Kjo gjë natyrisht nuk u prit mirë dhe ngjalli reagime të mëdha në Kosovë, pasi duke parë rolin e Lajçak në dialogun Kosovë-Serbi, një veprim i tillë dha përshtypje të një pozicionim të këtij të fundit ndaj Serbisë.

Kurse, njohës të çështjeve juridike e politike për gazetën “Bota sot” nuk e mirëpritën shumë mirë vizitën e Lajçakut në Kosovë, pas skandalit me hartë të këtij të fundit. Ata deklaruan se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, gjatë këtij qëndrimi në Kosovë edhe mund të shpalosë një platformë të re të bisedimeve.

Kelmendi: Këto do të jenë kërkesat e Lajçakut, gjatë vizitës së tij në Kosovë

Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi vizitën e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak në Kosovë.

Kelmendi tha se në kuadër të kësaj vizite, pritet që Lajçaku të sjellë qëndrimin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, në mënyrë të modifikuar ‘alla Lajçake’.

Image
Muhamet Kelmendi

“Kosova duhet të kërkojë largimin e z. Lajçak në emër të UE nga ndërmjetësuesi midis Kosovës dhe Serbisë Vizita e Lajçakut me 1 mars, për tri ditë në Prishtinë, është në vazhdën e bisedimeve me subjektet politike pas zgjedhjeve në Kosovë.

Në kuadër të saj pritet "shkëmbimi" i mendimeve dhe Lajçak do të sjellë qëndrimin e UE të modifikuar alla Lajçakce në llogari të Serbisë mbi dialogun e Kosovës me Serbinë. Tashmë po dihet nga çdokush në Kosovë pozita e përfaqësuesit të UE Lajçak në dialog”, deklaroi Kelmendi.

Ai përmendi edhe kërkesat dhe kompromiset që Lajçak do t’ia paraqesë Kosovës. Njëra ndër këto kërkesa, Kelmendi tha se do të jetë përfshirja e Listës Serbe në Qeverinë e re të Kosovës.

“Ai, sikundër ka theksuar më herët, përsëri do të kërkon që të bëhen kompromise nga ana e Kosovës dhe natyrisht do të shprehet për integrime të Kosovës.

Së pari, do të kërkon që menjëherë pas shpalljes së rezultateve të formohet Qeveria, duke përfshirë "Listën Srpska" në koalicion.

Së dyti, të krijohet situata dhe Qeveria të punojë për të bërë kompromise, qoftë edhe me ndryshimin e Kushtetutës së Republikës dhe

Së treti, do të insistoj në formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë me pushtet ekzekutiv, sipas marrëveshjeve”, radhiti profesori.

Në vazhdim, Kelmendi tha se në rast se Kosova kërkon shkarkimin e Lajçakut nga ndërmjetësimi i dialogut Kosovë-Serbi, atëherë ajo mund të kërcënohet me izolim. Mirëpo, ai tha se Kosova duhet patjetër të kërkoj sqarime, pse jo edhe largimin e Lajcakut dhe Borellit.

“Kuptohet se dialogimi pa kushte do t'i vë një rëndësi të madhe, kjo d.m.th. se nëse Kosova kërkon shkarkimin e M. Lajçak nga ndërmjetësimi do të kërcënohet me izolim. Mirëpo çështja nuk shkon sipas dëshirës së përfaqësuesit të UE, Lajçak dhe Borell në raport me Serbinë.

Kosova kërkohet të jap sqarime dhe atë në UE, se pa përfaqësuesit e SHBA-ve në tryezën e dialogimit, nuk dialogohet me shtetin serb. Thjeshtë jo me Lajçakun dhe Borellin. Po kështu, si dhe jashtë kësaj, pikërisht duhet Kosova, qeveria që vjen në pushtet, të kërkojë në Bruksel, në Berlin, në Romë, në Paris e në Washington largimin e tyre si pro serb. Madje edhe mos të dialogohet pa ndërrim së paku të M. Lajçakut nga detyra e ndërmjetësuesit të UE-së”, nënvizoi ai.

Profesori tha se Kosova kërkesën për largimin e Lajçakut, mund ta mbështes në deklaratat e këtij të fundit kundër Kosovës, sa ishte në Sllovaki. Kelmendi u shpreh optimist për të ardhmen, duke potencuar se me kohë ndryshohen gjërat dhe përfiton në peshë Republika e Kosovës.

“Fakte ka mjaftë, është deklarata e tij sa ishte në Sllovaki për "Kosovën pjesë përbërëse të shtetit serb". Kemi deklaratat pro serbe dhe kërkesa për dëmtimin e shtetit të Kosovës duke kërkuar ndërrim të Kushtetutes dhe formimi të Asociacionit në kundërshtim me Kushtetutën dhe verdiktin e Gjykatës Kushtetuese. Është edhe harta e tij në zyre.

Natyrisht se mund dhe nuk do të dëgjohet Prishtina, por megjithatë, me kohë ndryshohen gjërat dhe përfiton në peshë Republika e Kosovës. Dialog pa Prishtinë nuk ka me Beogradin, andaj këtë duhet shfrytëzuar, përfaqësuesit e Kosovës. Çdo lëshim tash është vdekjeprurës për Republikë”, përfundoi Kelmendi.

Burjani: Lajçak me vizitën e tij në Kosovë, po sjellë një platformë për dialogun Kosovë-Serbi

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani gjatë prononcimit për gazetën “Bota sot” tha se qëndrimi i Miroslav Lajçakut në Kosovës është për të shpjeguar një zgjidhje të mundshme Kosovë -Serbi , një platformë.

Ndonëse, sipas Burjanit, përfaqësuesi i BE-së nuk ka dhënë shumë detaje rreth vizitës së tij në Kosovë, por ai ka mundësi që po vjen për të marrë qëndrimin e Kurtit, Vjosës dhe opozitës rreth zgjidhjes përfundimtare të dialogut.

Image
Blerim Burjani

“Misioni i Lajçak edhe në Serbi po quhet i dështuar, në Serbi ka frikë se Lajçak do të sjellë një marrëveshje me parime për përfundimin e kësaj odiseade të dialogut për vitet të tëra me shumë marrëveshje dhe pa kupolë të zgjidhjes.

Tash qëndrimi i Lajçak në Kosovë është për të shpjeguar një zgjidhje të mundshme Kosovë -Serbi , një platformë. Deri më tash Lajçak nuk ka dhënë shumë detaje të qëndrimit të tij në Kosovë, ai po vjen në Kosovë edhe për të marrë qëndrimin e Kurtit, Vjosës dhe opozitës rreth disa parimeve të mundshme që do të propozohen si zgjidhje përfundimtare”, theksoi ai.

Juristi, në vazhdim tha se edhe Serbia i ka kthyer sytë nga Lajçak, e cila po ashtu e dëshiron dështimin e tij. Pasi, as shtetit serb nuk i shkon përshtati asnjë marrëveshje ku nuk përfiton diçka në kuptimin territorial.

“Nuk ka të dhëna të qarta nga BE për këtë çështje që mund të jetë edhe spekulative, pra sytë janë kthyer nga Lajçak edhe në Serbi edhe pse Serbia po ashtu e do dështimin e tij. Serbisë nuk i konvenon asnjë zgjidhje finale që nuk përfiton diçka në kuptimin territorial dhe Kosova nuk jep asgjë nga territori. Dhe këtu përfundon edhe dështimi i mundshëm i Lajaçak”, deklaroi Burjani.

Ai tha se pa përfshirjen e Amerikës dhe pa presion dhe kërcënime ndaj Serbisë, platformë e dialogut do të dështoj.

“Pa SHBA-të s’ka kurrë zgjidhje e as pa një trysni të madhe ndaj Serbisë, nëse Serbia nuk kërcënohet me izolim s’ka gjë platforma e dialogut kaherë ka dështuar”, nënvizoi ai.

Në fund, Burjani e përmendi edhe skandalin me hartën e Kosovës, që sipas tij ky veprim nga Lajçaku ishte i papritur dhe në këtë rast ai është dashur të jetë më i kujdesshëm.

“Skandali me harta është i dijshëm, ai gjithmonë thotë se BE ka qëndrim neutral ndaj statusit për shkak të pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Harta ishte një skandal i papritur por edhe jo domethënës shumë për Kosovën, kur dihet se e tërë Evropa e ka njohur Kosovën vetëm pesë shtete jo, Lajçak është dashtë të jetë i kujdesshëm në këtë çështje”, përfundoi Burjani.

Bajraj: Kosova ta kushtëzoj uljen në dialog, me largimin e Lajçakut!

Lidhur me vizitën e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli edhe njohësi i çështjeve politike, Fatmir Bajraj.

Ai vizitën e Lajçak e ndërlidhi me skandalin me sfondin e hartës në të cilën Kosova shihet si pjesë integrale e Serbisë. Bajraj tha se ky veprim ëshë vazhdimësi e provokimeve të cilat i ka bërë Lajçak përballë Kosovës dhe statusit të saj.

Image
Fatmir Bajraj

“Skandali i fundit i z.Lajçak me sfondin e hartës në të cilën Kosova shihet si pjesë integrale e Serbisë, nuk rezulton të jetë një gafë rastësie dhe të cilën pala kosovare duhet ta ‘gëlltisë’, përkundrazi ; sjellja e z.Lajçak, është e rafinuar dhe kompatibile me kursin e 5 vendeve jo-njohëse të BE-së, dhe diskursit të BE-së, karshi shtetësisë së Kosovës.

Skandali i fundit me hartën, është në vazhdën e provokimeve në kontinuitet që bën z.Lajçak përballë Kosovës dhe statusit të saj, si qëndrim ‘neutral’ ndaj pavarësisë së Kosovës, qëndrim ky zyrtar i Brukselit, për çfarë reagimi i Brukselit zakonisht është i vakët dhe diskriminues karshi pavarësisë së Kosovës”, deklaroi Bajraj.

Krahas kësaj, analisti tha se Lajçak po e shantazhon Kosovën, kur po deklaron se pesëshja jo njohëse e BE-së, do ta njeh pavarësinë e Kosovës, pasi këtë të fundit ta njeh Serbia.

“Z.Mirosllav Lajçak në cilësinë e përfaqësuesit të BE-së për dialogun, në ambasadën gjermane në Washington, deklaron hapur se pesëshja jo njohëse e BE-së, do ta njeh pavarësinë e Kosovës, pasi këtë të fundit ta njeh Serbia, pra ky është një shantazh i paskrupullt që i bëhet Kosovës dhe kjo është një gjuhë linçuese e cila nuk është neutrale karshi palëve, por prejudikuese, favorizuese për Serbinë dhe ndëshkuese për Kosovën”, theksoi ai.

Në vazhdim, Bajraj tha se Albin Kurti, i cili pritet të jetë kryeministri i ri i Kosovës, pasi doli fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit, duhet ta ndryshoj qasjen ndaj dialogut Kosovë-Serbi, duke u mbështetur më shumë në Shtetet e Bashkuar të Amerikës, se sa në Bashkimin Evropian.

“Edhe pse ish kryeministri Kurti, kishte shfaqur hapur preferencat për primat të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, duke parapëlqyer lidershipin e BE-së në raport me Shtëpinë e Bardhë, për pasojë edhe dezertimi i tij nga qeverisja me vendin, tanimë në rrethana të reja dhe në një kontekst tjetër pas ndryshimit të administratës në Shtëpinë Bardhë, duhet të ndryshoj qasjen ndaj Amerikës dhe Shtëpisë së Bardhë, e cila e bardhë ishte dhe mbeti prore për Kosovën dhe në të cilën nuk fshihet djalli por lind Dielli për Kosovën dhe shqiptarët”, potencoi ai.

Në fund, Bajraj kërkoj një ndryshim të menjëhershëm të diskursit të BE-së ndaj Kosovë, duke ndikuar në këtë pikë edhe administrate e presidentit Joe Biden. Ndërsa, ai shtoi se BE pa liberalizim të vizave për Kosovën, nuk mund të jetë objektiv dhe i paanshëm në raport me dialogun Prishtinë-Beograd.

“Një diskurs i ri i BE-së karshi Kosovës, është imediat dhe do të influencohej nga administrata e presidentit Biden, duke shtyrë BE-në, që ta njoh pavarësinë e Kosovës si union dhe eliminonte kartën e vetme të Serbisë kundër Kosovës gjatë procesit të dialogut dhe arritjes së marrëveshjes finale me njohje të ndërsjellë.

BE, pa liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, dhe pa njohjen e pavarësisë nga pesëshja jo njohëse-famëkeqe, nuk është dhe nuk mund të jetë interlocutor objektiv dhe i pa anshëm, përkundrazi”, përfundoi Bajraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat