“Drita e kuqe” nga BE, Kosova të kërkojë me ngulm liberalizimin e vizave

Politika

“Drita e kuqe” nga BE, Kosova të kërkojë me ngulm liberalizimin e vizave

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 3 mars 2021 Në ora: 08:28
Fotografi ilustruese

Kosova ka më shumë se një dekadë që është shpallur shtet i pavarur dhe demokratik.

Mirëpo, edhe pse në këtë vit u bënë 13 vite që jemi shtet i pavarur, ajo ka mbetur e mangët pa liberalizim të vizave mirëpo edhe pa njohjen e pesë shteteve të BE-së.

Liberalizimi i vizave vazhdon të mbetet vetëm një premtim i shumë vitesh, por që ende nuk ka asgjë konkrete dhe pritjet për realizimin e tij vazhdojnë.

Janë Franca dhe Holanda dy vendet që janë shprehur skeptike në dhënien e dritës së gjelbër për shtetasit e Kosovës, ani pse vet mekanizmat e Bashkimit Evropian kanë deklaruar që Kosova i ka plotësuar kriteret për lëvizje të lirë.

Si duket, kjo vazhdimësi e premtimeve nga ana e BE-së, ka bërë të reagojë edhe ish-gjykatësi i misionit evropian në Kosovë, EULEX, Malcolm Simmons, i cili ka këshilluar shtetin e Kosovës që të dalë me deklarata më të ashpra dhe më të drejtpërdrejta në drejtim të Bashkimit Evropian, lidhur me mos-liberalizimin e vizave.

Simmons ditë më parë ka bërë këtë reagim përmes një reagimi në Twitter ka thënë se është koha që Kosova t’i thotë BE-së “jemi lodhur nga lojërat e juaja”.

“A nuk është koha që Kosova t’i thotë BE-së: “Ne jemi lodhur nga lojërat që po i luani. Nuk do të ketë bashkëpunim të mëtejshëm me ju përveç dhe derisa të shohim ndonjë përparim nga pala e BE”?”, ka shkruar Simmons.

Bashkimi Evropian, ndonëse ka thënë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, ende nuk ka marrë vendim që t’ua heq shtetasit e Kosovës regjimin e vizave.

Ish-shefi i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ka folur gjerë e gjatë për skandalet në misionin evropian për sundimin e ligjit, EULEX. Për këtë, ai kishte kërkuar të raportonte edhe në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Kujtojmë që inicimi i liberalizimit të vizave për Kosovën ka filluar që nga viti 2009, mirëpo që në këtë aspekt nuk ka ndryshuar asgjë e që më të prekurit nga kjo situatë po del të jetë populli, të cilit po i pengohet liria e lëvizjes në shtetet evropiane.

Voca: Qeveria në ardhje të fokusohet në luftimin e korrupsionit që të hapet rruga për BE

Image
Mirsad Voca

Doktori i shkencës dhe ligjëruesi i Gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca, për “Bota sot”, mendon se detyra e parë që duhet të ketë qeveria në ardhje, duhet të jetë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kjo për shkak se Kosova është renditur nga Transparency International ndër vendet më të korruptuara në Evropë. Pastaj, BE-së duhet t’i bëhet e ditur se korrupsioni po luftohet konkretisht.

“Besoj se së pari se Qeveria në ardhje duhet fokusuar dhe vepruar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, sepse Kosova është listuar nga Transparency International ndër vendet më të korruptuara në Evropë. Pastaj, BE-së duhet t’i bëhet e ditur se korrupsioni po luftohet konkretisht, sepse kjo do tu mundësonte qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë pa viza”, ka thënë Voca.

Profesori ka vlerësuar se Kosova duhet të kërkojë me ngulm liberalizimin e vizave dhe normalisht të luftojë korrupsionin, kjo është sipas profesorit strategjia e vetme që të ketë vendi një liberalizim të shpejtë.

“Natyrisht që Kosova me qeverinë e saj në ardhje do të duhet të kërkojë më me ngulm nga BE liberalizim të vizave dhe njëkohësisht të luftojë korrupsionin. Vetëm me një strategji të tillë do të kishim shumë shpejt liberalizimin e shumë pritur përgjatë një dekade të humbur si pasojë e keqqeverisjeve të mëparshme sepse nuk luftuan korrupsionin dhe krimin e organizuar ekonomik sepse të zhytura vet në atë”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Më tej, ligjëruesi në Paris thotë se nuk kemi të bëjmë me gabime që ka bërë Kosova por me detyrat që nuk i ka përmbushur, por se prapë është e padrejtë që Kosova nuk përfiton nga liberalizimi i vizave.

Në fund, Voca thotë se nëse luftohet korrupsioni, atëherë nuk do të lëmë hapësirë për BE që të gjejë arsye për mos liberalizim të vizave.

“Pra, parimisht këtu kemi të bëjmë jo me gabime por me detyra që nuk janë marrë parasysh dhe që duhet kryer sepse e pabesueshme por e vërtetë Kosova po na del një nga vendet më të korruptuara në Evropë. Është e padrejtë që vetëm Kosova nuk përfiton nga liberalizimi i vizave, por është absolutisht urgjente që Kosova të fokusohet seriozisht në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vetëm në këtë mënyrë nuk do lëmë hapësirë për BE që të gjejë arsye për mos liberalizim vizash, gjë që do të mund ta bëjmë realitet ndoshta edhe deri në fund të këtij viti, natyrisht me një strategji mirë të organizuar”, ka përfunduar profesori për “Bota sot”.

Ahmeti: Kosova të mos mbahet peng nga grupet e korruptuara

Image
Hidajet Ahmeti

Kurse, analisti politik Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se BE ka vepruar në bazë të interesave politike e gjeostrategjike, edhe pse kriteret janë shumë të qarta për shtetet të cilat janë pretendente për integrim në BE.

Tutje, analisti thotë se Kosova nuk ka përmbushur ende kriterin për luftimin e korrupsionit, mirëpo që duhet të ketë një reflektim për liberalizim të vizave, pasi që është shteti i vetëm i izoluar.

“Është faktike që institucionet e BE-së veprojnë e reflektojnë në bazë të interesave politike e gjeostrategjike, edhe pse kriteret janë shumë të qarta për shtetet të cilat janë pretendente për integrim në BE. Nëse mbështetemi në retrospektiv shohim se BE-ja ka vepruar në logjikën dhe frymën e interesave reciproke në mes shteteve, e posaçërisht Komisioni Evropian që përfaqësohet nga ministrat përkatës të shteteve anëtare të BE-së. Me këtë elaborim të shkurtër nuk po dua të them se Kosova ka përmbushur kriterin për luftimin e krimit dhe korrupsionit, por po dua të them se edhe me rastin e Kosovës mund të veprohet, por edhe të reflektojnë me raport pozitiv për liberalizim vizash, pasi është shteti i vetëm që ka mbetur i izoluar dhe nuk mund të mbetën peng qytetarët shkaku i një grushti njerëzish të korruptuar e kriminalizuar”, ka thënë Ahmeti.

Në fund, ai u shpreh se institucionet e Kosovës nuk duhet të nguten të veprojnë në mënyrë të njëanshme dhe çdo deklaratë e cila ka tendenca për të prodhuar një realitet të hidhur, nuk duhet të merren parasysh.

Sipas analistit, Kosova nuk e ka luksin të veprojë me një retorik e cila brenda vetes nuk ka asgjë substanciale.

“Uroj që qytetarët të marrin një lajm të gëzueshëm, pasi liberalizimi i vizave do të jetë një shpresë dhe mundësi, por jo garanci për mirëqenie socio-ekonomike. Por, prapë gjykoj se institucionet e Kosovës nuk duhet të nguten të veprojnë në mënyrë të njëanshme dhe çdo deklaratë e cila ka tendenca për të prodhuar një realitet të hidhur, nuk duhet të merret parasysh. Kosova, si shtet nuk e ka as luksin e as komoditetin për të vepruar me një retorike e cila brenda vetes nuk ka asgjë substanciale, por duhet të veprojë brenda kritereve për liberalizim vizash e jo ta shfajësojë veten nga obligimet dhe përgjegjësitë”, ka përfunduar Hidajet Ahmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat