Albin Kurti në ‘udhëkryq’, këto janë rrugëdaljet e tij

Politika

Albin Kurti në ‘udhëkryq’, këto janë rrugëdaljet e tij

Arife Morina Nga Arife Morina Më 3 mars 2021 Në ora: 12:36
Albin Kurti

Muajin që lëmë pas, Izraeli u bë shteti i fundit që e zyrtarisht konfirmoi njohjen për Republikën e Kosovës, duke e “thyer akullin” e njohjeve për Kosovën pas tri viteve, kur për herë të fundit një gjë të tillë e kishte bërë Barbadosi.

Në këtë rast, Kosova dhe Izraeli zyrtarisht vendosën marrëdhënie diplomatike. Ky hap u cilësua nga të dy shtetet si historik dhe ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në mënyrë virtuale.

Mirëpo, krahas kësaj njohje historik për Kosovën, problem doli të jetë vendi (Jerusalemi) në të cilën pritet të hapet ambasada e Kosovës në Izrael.

Kjo gjë nxiti reagime të mëdha, ku shumë vende aleate të Kosovës, kundërshtuan fuqishëm hapjen e ambasadës në Jerusalem.

Ndërsa, ditë më parë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i dërgoi një letër kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në të cilën ia kishte uruar fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në letrën e tij Netanyahu ia kishte përmendur edhe marrëveshjen e fundit në mes të Kosovës dhe Izraelit, duke thënë se do të ishte i lumtur që ta mirëpriste Albin Kurtin në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“E vlerësoj si shumë të rëndësishëm vendimin e Kosovës për të hapur Ambasadën në Jerusalem dhe iu pres në Izrael për inaugurimin e saj”, ka shkruar Netanyahu.

Pas letrës së Netanyahu, fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurti, pranoi edhe një letër urimi nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ku ai kishte përmendur edhe mundësinë që Kosova mos ta ketë ambasadën në Jerusalem.

“Jam i mendimit se do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, që mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”, ka thënë Erdogani në letrën e tij.

Kështu, kreu i VV-së, u gjend në mes “dy zjarreve”, pasi Kosova u vlerësua se ka nevojë të ketë raportet të mira me të dyja shtetet dhe prishja e tyre me ndonjërën nga vendet nuk do të ishte e mirë se ardhur aspak.

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politike në prononcime për gazetën “Bota sot” u shprehen këndvështrimet e tyre lidhur me vendimet të cilat fituesi i zgjedhjeve parlamentare, Albin Kurti duhet t’i marrë në lidhje me vendosjen e ambasadës së Kosovës në Izrael.

Voca: Kosova nuk mund ta imponojë vendndodhjen e ambasadës së saj në Izrael

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca gjatë një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar çështjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, dhe ‘presionin’ në të cilin gjendet Kosova nga Izraeli dhe Turqia.

Voca vlerësoi se në këtë rast do të ishte e nevojshme që Kosova në bashkëpunim me administratën e presidentit Joe Biden, të merrte një vendim lidhur me vendosjen e ambasadës në Jerusalem

Image
Mirsad Voca

“Do të ishte e udhës që Kosova në bashkëpunim të ngushtë me administratën e J. Biden të marrë vendim lidhur me vendosjen e ambasadës në Jerusalem. Njëkohësisht, është në interes gjeostrategjik që Kosova të ruaj miqësinë me shtetet mike të cilat shprehin kundërshti lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar Voca.

Ai tha se në këtë momente për Kosovën është shumë më e rëndësishme njohja e Izraelit, se sa vendi në të cilën do të vendoset ambasada. Sipas tij, vendndodhja është një çështje që nuk do të duhej ta shqetësoj Kosovën deri në masën që të rrezikohet miqësia me Izraelin.

“Tani në këto rrethana të reja pas asaj marrëveshjes së Washingtonit dhe deri sa nuk ka përditësim të saj nga administrata e J. Biden, për Kosovën është pakrahasimisht shumë më me rëndësi njohja nga Izraeli sesa vendi ku instalohet Ambasada. Tek e fundit, për Kosovën është me interes vital çdo njohje e në veçanti kjo nga Izraeli. Vendndodhja e ambasadës është një çështje që nuk do të duhej ta shqetësoj Kosovën deri në masën që të rrezikohet miqësia me Izraelin. Aq më tepër, kur kemi të bëjmë me një çështje ku ndërthuren raportet e fuqive të mëdha në ç 'gjë Kosova nuk do të mund të kontribuojë dhe aq”, ka theksuar Voca.

Njohësi i Integrimeve Evropiane potencoi se Kosova nuk mund të imponoj vendndodhjen e ambasadës, pasi në këto kushte kjo gjë varet më së shumti nga Izraeli. Voca tha se nuk beson që Kosova mund futet në diskutime të çështjeve të pazgjidhura me përmasa ndërkombëtare.

“Atë që Kosova mund dhe duhet të bëjë pas instalimit të ambasadës në Jerusalem, është një komunikim i ngushtë me shtetet mike sidomos për të sqaruar se për Kosovën është vitale çdo njohje duke përfshirë përforcimin e raporteve me ato shtete. Për më tepër, Kosova nuk mund të imponojë vendndodhjen e ambasadës dhe se në këto rrethana, do të varej tani më së shumti nga vendi akreditues. Kosova nuk do të diskutojë apo futet në diskutime të çështjeve të pazgjidhura me përmasa ndërkombëtare, por që do t‘ua linte këtë preokupim shteteve mike që kontribuuan më së shumti në ndërkombëtarizimin dhe përforcimin e shtetit të Kosovës”, nënvizoi ai.

Voca kërkesën e Presidentit të Turqisë për shqyrtimin e hapjes së ambasadës në Jerusalem, e konsideroj si të pritshme, derisa kërkoi që të ruhet një marrëdhënie e mirë me shtetin turk. Kurse, sa i përket ftesës së kryeministrit të Izraelit ai bëri apel që Kurti t’i përgjigjet pozitivisht.

“Në fund, natyrisht se është pritur që Presidenti i Turqisë në letrën e tij të kërkoj shqyrtim dhe sqarim lidhur me këtë situatë të veçantë, dhe është me rëndësi që Kosova ta siguroj presidentin turk me një ton mjaftë pozitiv se Kosova do veproj krahas harmonizimit me shtetet mike. Njëkohësisht, edhe ftesës së kryeministrit B. Netanyahu, do duhej përgjigjur pozitivisht duke siguruar shtetin Izrael se raportet vetëm sa do të thellohen dhe më shumë duke theksuar se qëllimi final është përforcimi dhe thellimi i raporteve me shtetet që kontribuuan më së shumti në jetësimin e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran”, përfundoi njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca.

Mehazi: Letra e Netanyahut është për marrëdhënie diplomatike shtetërore, kurse letra e Erdoganit është fetare

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, letrën e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahut dërguar kryeministrit në pritje të Kosovës, Albin Kurtit e cilësoi si privilegj diplomatik.

Profesori apeloi te Kurtit që t’i përgjigjet pozitivisht thirrjes së Netanyahut, pavarësisht se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ishte kundër kësaj kërkese.

Image
Sulejman Mehazi

“Pa diskutim, letra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahut dërguar kryeministrit në pritje të Kosovës, Albin Kurtit, është një privilegj i madh diplomatik për Kosovën, është letër-ftuese që e ka kuptimin manifestues e solemn të hapjes së ambasadës së Kosovës në Izrael. Pa marrë parasysh letrën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dërguar Kurtit, që është kundër hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, Albini duhet të shkojë në Izraeli për të inauguruar ambasadën e Kosovës aty ku duan nikoqiret izraelit në Jerusalem”, theksoi Mehazi.

Ai u shpreh se Kurti në asnjë mënyrë nuk duhet të i anashkalojë marrëdhëniet diplomatike me një shtet superior si Izraeli, ndonëse shqiptarët përherë kanë bashkëpunuar me Turqinë.

“Zotëri Albin Kurtit kurrsesi nuk i lejohet të mohojë e anashkalojë marrëdhëniet diplomatike me shtetin më superior në botë si në aspektin politik, ekonomik e diplomatik. Shqiptarët si përherë me shekuj kanë bashkëpunuar e kanë respekt të madh ndaj Turqisë, po në këtë rast nuk duhet marrë parasysh letrën e zotëri Erdoganit për shkak se Republika e Kosovës nuk e ka atë forcën politike, ekonomike e shtetërore të veprojë kundër dëshirave diplomatike të Izraelit të fuqishëm”, nënvizoi profesori.

Në fund, Mehazi tregoi edhe dallimet e letrës së Netanyahut me letrën e Erdoganit. Ai tha se letra e kryeministrit të Izraelit është për marrëdhënie diplomatike shtetërore, kurse letra e presidentit të Turqisë është fetare e jo diplomatike.

“Nuk ka logjikë politike që Kosova të mos bashkëpunojë me Izraelin që e njeh Republikën e Kosovës e në anën tjetër të politikisht të veprojë kundër Izraelit e duke përkrahur palestinezët që ende nuk e kanë njohur Kosovën duke përkrahur kushtetutën e Serbisë. Dallimi i letrës së Netanyahut prej Erdoganit ka dallime, letra e kryeministrit të Izraelit është për marrëdhënie diplomatike shtetërore, kurse letra e presidentit të Turqisë është fetare e jo diplomatike. Kur pesëdhjetë shtete islame të fuqishme rreth e përqark izraelitëve, nuk mund të përballen me Izraelin e ku Kosova me ekonomi e diplomaci të brishtë”, përfundoi Mehazi.

Jashari tregon se si duhet të veprojë Kurti në rastin e hapjes së ambasadës në Jerusalem

Edhe njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari për gazetën “Bota sot” ka komentuar çështjen e vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Jashari tha se qëndrimet e Kurtit në raport me këtë temë kanë qenë me dy kuptime, andaj ka bërë që kjo temë të mbetet e hapur edhe sot.

Image
Shemsi Jashari

“Qëndrimet e z.Albin Kurti, rreth vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem kanë qenë me dy kuptime dhe kjo ka bërë që çështja e vendimmarrjes për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Izrael të mbetet temë e hapur edhe sot, duke hyrë kështu në mes të përplasjeve Izrael-BE-Turqi”, deklaroi ai.

Analisti tha se me këtë çështje duhet të bëhet kujdes i madh duke ruajtur raportet me mira me BE-në dhe Turqinë. Mirëpo, kjo duhet bërë sipas tij, duke mos ndikuar në prishjen e raporteve me ShBA-në dhe Izraelin.

“Vendimmarrja rreth kësaj teme duhet të bëhet me shumë kujdes duke ruajtur raportet e mira me partnerët e deritashëm nga BE dhe Turqi, por gjithsesi të mos bëhet ndonjë gabim që na kushton shumë nëse ne prishim raportet me SHBA-Izrael. Dilemat e ngritura dhe mospajtimet në qëndrime BE-SHBA duhet të zgjidhen nga vet ata dhe të mos lejohet që ne si vend që kemi shumë nevojë për të dyja palët të bëhemi monedhë për kusuritje nga fuqitë e mëdha.”, theksoi Jashari.

Ai në fund kërkoi që Kurti të ketë biseda të afërta me zyrtarët nga Bashkim Evropian dhe Turqia, me qëllim të arsyetimit se pse raportet me Izraelin janë të rëndësisë së veçantë për Kosovën

“Mendoj se z.Kurti duhet të ketë kontakte dhe biseda të afërta me zyrtarët si nga BE ashtu edhe nga Turqia për të diskutuar dhe arsyetuar pse raportet me Izraelin janë të rëndësisë së veçantë për Kosovën dhe gjithsesi të shkojë në Izrael për të forcuar lidhjet Kosovë-Izrael’, përfundoi Jashari, përcjell “Bota sot”.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit ishte një nga pikat e marrëveshjes për përmirësim të raporteve Kosovë-Serbi që u nënshkrua me 04.09.2020 në Shtëpinë e Bardhë në Washington në prani të presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.

Në dokument parashihet që Kosova të hapë ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa po ashtu Serbia të lëvizë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem. E ngarkuara me punë diplomatike e Kosovës në Izrael tashmë është emëruar Ines Demiri që më herët ka shërbyer si diplomate në konsullatën e Kosovës në New York.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat