“Lajçak nuk është i qartë politikisht”

Politika

“Lajçak nuk është i qartë politikisht”

Nga: A.M. Më: 3 mars 2021 Në ora: 20:17
Mirosllav Lajçak

Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka përfunduar vizitën e tij në Kosovë.

Gjatë vizitës në Kosovë, zhvilloi takime të shumta.

Ai u taku edhe me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin, ku kjo e fundit ia bërë të qartë se asociacioni i komunave serbe në Kosovë do të jetë vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e kushtetueses.

Njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se Lajçak nuk është i qartë politikisht kur flet as për dialogun e as për asociacionin.

“Lajçak nuk është i qartë politikisht kur flet as për dialogun e as për asociacionin. Ai  ka lënë mundësi të hapura për palët. Ata vendosin, këta si BE dhe ai vetëm bënë ofrimin e shërbimeve të mira, gjë që të shkon mendja se kurrë s`do të ketë ndonjë marrëveshje për asgjë sa i përket asaj përfundimtare”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Burjani ka deklaruar se Lajçak nuk e ka përjashtuar mundësin që kushtetua e Kosovës nuk mund të ndryshohet.

“S`ka kompetenca ekzekutive, ky është qëndrim i  Kosovës që ka verifikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, pra s`do ketë ndonjë marrëveshje të kësaj natyre. Lajçak ka përjashtuar mundësin që të ketë pushtete tjera brenda Kosovës apo mekanizëm tjetër, por nuk ka përjashtuar aspak se kushtetua nuk mund të ndryshohet. Ai ka bërë me dije se kushtetua mund të ndryshojë gjithmonë kur të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Më tej, Burjani paralajmëron se do të ketë lojëra serbe dhe lojëra të BE-së.

“E tërë kjo çka u tha nga Lajçak dhe ajo që nuk u tha s`ka ndonjë ndryshim nga e kaluara e angazhimit të BE-së në këtë dialog. Ai po ashtu tha se SHBA janë pajtuar se BE e ka mandatin për këtë temë, dhe kjo sipas meje, nëse veç është kështu pa SHBA kurrë s`do ketë ndonjë marrëveshje, pra do të ketë lojëra serbe dhe lojëra të BE-së.”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat