Me ketë njeri në krye, LDK-ja do t’i bëjë ballë rritjes së fuqishme të LVV-së

Politika

Me ketë njeri në krye, LDK-ja do t’i bëjë ballë rritjes së fuqishme të LVV-së

Nga: N.Sh Më: 4 mars 2021 Në ora: 18:01
LVV-LDK

Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, kanë rezultuar me rezultate befasuese.

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur rekord me vota, ndërsa rekord bëri edhe LDK-ja.

Vetëvendosje arriti të marr 50% të votave, kurse LDK-ja, ka thyer rekord për nga rënia e saj, e cila mori më pak se 13%.

Në këto zgjedhje befasuese edhe Nisma nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor, e cila dështoi që të futet në Kuvendin e Kosovës.

Gjithashtu rënie kanë pësuar edhe PDK-ja me AAK-në.

Rezultatet zgjedhore i ka komentuar analisti politik, Gani Qarri.

Ai për gazetën “Bota sot”, thotë se, sa i takon humbjes katastrofike të LDK-së, beson që tanimë të gjithë pajtohen dhe ndajnë pothuajse të njëjtin mendim, se për këtë dështim kaq të dhembshëm të saj, e cila brenda vetëm një viti ra mese 60 % më poshtë duke marrë vetëm 12.6 % të votave të elektoratit, fajtori kryesor është dhe mbetet Isa Mustafa me kryesinë e vjetër të partisë.

“Madje këtë e vërteton më së miri vet rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosove, humbja e thelle e LDK-së dhe rritja e madhe e LVV-se, që pa asnjë dyshim, që të dyja vijnë pikërisht si shkak i dëbimit të Dr. Vjosa Osmanit nga LDK dhe rrjedhojë e inkorporimit të saj në momentalin më efikas parazgjedhor, në LVV”, thotë Qarri.

Ai pohon se, për aq më tepër, kjo dëshmohet edhe me numrin e madh të votave, që ajo mori, e të cilat nuk shkuan vetëm në favor të Vjosës por edhe të rritjes marramendëse të LVV-së.

Image
Gani Qarri

“Vjosa Osmani nuk ishte një kandidate që grumbulloi e barti, dhjetëra mijëra vota në LVV, por duket se ajo mori me vete dhe ia bashkëngjiti, (të paktën aktualisht) LVV-s edhe një numër, pakrahasim të madh të elektoratit besnik të LDK-së, anë e këndë Republikës së Kosovës. E gjithë kjo erdhi, pikërisht si reagim ndaj veprimeve arbitrare të Isa Mustafës dhe bashkëpunëtorëve të vjetër të tij në kryesinë e LDK-së, për vet faktin se Dr. Vjosa Osmani nuk ishte kuadri i vetëm i lartë drejtues e afirmativ, që u dëbua në mënyrë aq përulëse nga LDK, por prej ardhjes së Isa Mustafës në krye të kësaj partie, ndodhën sistematikisht, diferencime të tipit komunist, në këtë parti dhe avancuan brenda nate sharlatan si Driton Selmanaj etj, duke i sjellë më shumë dëme se dobi LDK-së”, thotë ai.

Qarri shton se duke pasur parasysh humbjen marramendëse të LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, edhe në bastionet kryesore të udhëhequra prej saj, gjë që nuk ka ndodhur në përmasa të tilla asnjëherë më parë, si dhe fraksionet e krijuara nga vet Isa Mustafa brenda kësaj partie, me qëllim që ato të mos mund të unifikohen për zëvendësimin e Isa Mustafës, që ashtu si pritej, fatkeqësisht, tanimë kanë filluar të ngritin krye edhe publikisht, sidomos ndërmjet Lutfi Hazirit (apo fraksionit të Anamoravës) dhe Avdullah Hotit (apo fraksionit të Rahovecit e Prizrenit me rrethinë), pa reformim të thellë dhe ndryshime rrënjësore brenda saj, aktualisht unë e shoh tejet të zymtë të tashmen dhe të ardhmen e afërt, të kësaj partie.

“Madje, nën trysninë e euforisë së krijuar pas fitores së pashembullt dhe impozante të LVV-së, më të madhen e të gjitha viteve të pasluftës dhe partive ekzistuese në dy dekadat e fundit në Kosovë, si dhe krijimin e Qeverisë pa nevojë koalicioni me asnjë segment tjetër politik, të LVV-së, ku bënë pjesë edhe Lista “Guxo” e Vjosa Osmanit, kjo eufori do të rritet aq fuqishëm dhe presioni do të shtohet deri në atë masë mbi LDK-në, sa që apriori të qojë në rrudhjen katastrofale edhe të degëve të saj, si dhe humbjen edhe më të rëndë në qytetet më të mëdha dhe bastionet e deri para-pak-kohëshme që i kishte nën udhëheqjen e vet LDK”, thekson Qarri.  

Ai shton se, për LDK-në, përfundimisht do të ishte shumë më mirë që ta zgjidhte kryetarin e ri, sa më shpejtë dhe mundësisht para formimit të Qeverisë Kurti-2, si dhe të ndahet njëherë e përgjithmonë nga Isa Mustafa dhe kryesia e vjetër e saj, duke i përjashtuar kolektivisht edhe nga partia Isa Mustafën dhe bashkëpunëtorët e tij, që e sollën LDK-në në këtë situatë katastrofale.

“Vetëm në këtë mënyrë, mund të fillojë rikëndellja e shpejt e saj, si dhe krijohet bindja tek elektorati i mbetur dhe ai i ri, se LDK vërtetë ka ndryshuar, ka një kryetar dhe kryesi të re e të pa njollosur dhe që nuk ka më asnjë lidhje me Isa Mustafën dhe kryesinë e vjetër komuniste të kësaj partie. Ndërsa lideri i vetëm, që mund ti bënte ballë momentumit të rritjes së ekstrahuar të LVV-së, siç kanë dëshmuar votat e elektoratit dhe vullneti i shprehur i votuesit të 14 shkurtit, aktualisht, mendojë se mund të jetë vetëm Dr. Vjosa Osmani nëse ajo do të ftohej në krye të partisë, apo edhe kryesi të saj, pastaj kthimi i demokracisë dhe frymës rugoviane, që duket se enda gëzon mbështetje të madhe tek votuesit e kësaj partie, përndryshe unë personalisht, nuk shohë ndonjë kandidatë tjetër me potencial aq të fuqishëm, sa t`ia kthej namin e dikurshëm LDK-së, që kjo parti, kishte në gjithë vendin dhe kudo ka shqiptar edhe jashtë kufijve aktual të Republikës së Kosovës”, përfundon analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat