Liderët me gjuhë të njëjtë ndaj Lajçak, mesazh të qartë për Asociacionin

Politika

Liderët me gjuhë të njëjtë ndaj Lajçak, mesazh të qartë për Asociacionin

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 4 mars 2021 Në ora: 18:49
Miroslav Lajçak dhe Albin Kurti

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak qëndroi në një vizitë zyrtare treditëshe në Kosovë.

Por, kësaj here ai u përballë me një politikë më ndryshe se herëve të kaluara.

Politika qeveritare në Kosovë ka ndërruar diskurs, duke u shprehur në “vijë” të njëjtë.

Gjatë vizitës në Kosovë, Lajçak u taku me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin, e cila ia bëri qartë qëndrimet e Kosovës, në çështjen e asociacionit të komunave serbe.

Osmani u shpreh se do të respektohet akti më i lartë në Kosovë, Kushtetuta.

“E bëra të qartë në emër të institucioneve të Kosovës dhe institucionit që drejtoj, që po ashtu udhëheq me politikën e jashtme se për ne procesi i dialogut duhet ta ketë një rishikim, i cili ndër të tjera do të ndihmojë që Kosova të jetë e përgatitur dhe të respektojë interesat e veta, interesat e qytetarëve në një proces që patjetër duhet të rezultojë me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kufijtë aktual dhe me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Është shumë me rëndësi që sapo të konstituohen institucionet e reja, zgjedhja e qeverisë dhe presidentit që të gjitha informatat për këtë proces, që po i mbushë 10 vite t’i drejtohen institucioneve të reja në mënyrë që gjitha ato marrëveshje që janë arritur të shikohen se deri ku kemi arritur në zbatimin e tyre dhe cilat janë pjesët që nuk janë zbatuar. Nga vlerësimi i deritanishëm del se Serbia nuk i ka zbatuar shumicën dërrmuese të marrëveshjeve. Sa përket qasjes sonë të re, ne besojmë se duhet të hapet një kapitull i ri në këtë proces”, ka deklaruar Osmani në konferencën për media pas takimit me Lajçak.

Kjo deklaratë e Osmanit është mirëpritur nga ekspertët. Sipas tyre është hera e parë që përfaqësuesit politik kanë folur në gjuhën e njëjtë sa i përket çështjes së asociacionit.

Ndërkaq, përmenden edhe deklaratën e mëhershme të Lajçakit, i cili pati kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

Bytyçi: Kurti dhe Osmani folën me Lajçak-in me të njëjtën gjuhë

Image
Enver Bytyçi

Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka potencuar se për herë të parë është folur në të njëjtën gjuhë nga ana e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës.

“Në takimin e së martës së shkuar presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, pati një takim me ndërmjetësuesin e dialogut Kosovë-Serbi të EU-së, Miroslav Lajçak. Atë e takoi së pari kryeministrin në ardhje të vendit, Albin Kurti. Të dy këta, Albini dhe Vjosa, folën me zotin Lajçak me të njëjtën gjuhë. Për herë të parë nuk pati shmangie, devijime në paraqitjen e problemeve nga ana e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës. Më parë, ndryshe fliste Hashimi e ndryshe Ramushi, ndërkohë që Isa mërmëriste pa dhënë të kuptojë se çfarë përfaqëson e çfarë thotë, sepse as ishte i zoti ta kundërshtonte Hashimin dhe as guxonte të rreshtohej me Haradinajn”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Profesori thekson se emisari Lajçak gjatë vizitës në Kosovë është përballur më një situatë të re.

“Kësaj radhe Lajçak u ndesh në një situatë të re, të cilën e solli vota e 14 shkurtit. Ishin qytetarët e Kosovës ato që u dhanë forcë dhe kurajo përfaqësuesve politikë të zgjedhur për të mbajtur qëndrime të vendosura ndaj presioneve të Serbisë dhe miqve të Serbisë sa i përket dialogut dhe epilogut të tij. Vjosa përmendi në takim se nuk guxohet që Asociacioni i komunave serbe në Kosovë të kishte kompetenca ekzekutive”, ka shpjeguar Bytyçi.

Gjithashtu, ai thekson se duket qartë vullneti i Osmanit dhe Kurtit për të penguar çdo mundësi të krijimit të një Asociacioni të komunave serbe.

“Në fakt këtë vendim e ka marrë Gjykata Kushtetuese, e cila ka përcaktuar se marrëveshja e nënshkruar nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi për Asociacionin është një marrëveshje anti-kushtetuese, sepse ajo marrëveshje parashikonte që kjo lidhje të kishte kompetenca ekzekutive. Presidentja në detyrë thjesht rikonfirmoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë duket qartë vullneti i presidentes në detyrë dhe kryeministrit në ardhje për të penguar çdo mundësi të krijimit të një asociacioni të komunave serbe në Kosovë, si një institucion që cenon funksionalitetin e shtetit”, ka vlerësuar profesori.

Më tej, Bytyçi ka këshilluar se duhet bërë kujdes me këtë çështje, duke shtuar se ajo duhet të jetë një organizatë joqeveritare.

“Një asociacion me kompetenca ekzekutive do ta bllokonte funksionalizimin e shtetit dhe institucioneve të tij. Votimi i shumicës së dyfishtë për ndryshimet kushtetuese është i mjaftueshëm për të parë sesa e rrezikshme është ideja e krijimit të këtij asociacioni me kompetenca ekzekutive. Madje duhet kujdes i madh edhe në kompetencat e tjera. Asociacioni i komunave serbe në Kosovë nuk duhet krijuar me kompetenca të gjera. Ai thjesht do të duhet të jetë një OJQ, e cila kujdeset për ngritjen e nivelit social të pakicës serbe në vend”, ka thënë ai për ”Bota sot”.

Po ashtu, profesori vë në theks që Lajçak nuk ka kërkuar që dialogu të jetë prioriteti i parë apo i dytë i Qeverisë së Kosovës.

“Sa i përket Lajçak, ai ka dëshmuar se dëshiron që Kosova t’i bëjë lëshime Serbisë gjatë dialogut dhe sidomos në marrëveshjen përfundimtare. Por në deklarimet e tij në përfundim të vizitës së tij ai u pajtua se është me vend që qeveria e re të përcaktojë prioritet, duke kërkuar që dialogu të jetë pjesë e këtyre prioriteteve. Ai nuk kërkoi që bisedimet Kosovë-Serbi të jenë në prioritetin e parë ose të dytë. Madje duket u pajtua me vendin e katërt që zë në programin e qeverisë së re. Ndërkaq kësaj radhe nuk përmendi ndonjë përcaktim të tij publik sa i përket Asociacionit. Ky është një sukses jo i vogël i liderëve dhe politikanëve të rinj përballë presionit të Lajçak dhe të Vuçiq ndaj Kosovës”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, Bashkësia Perëndimore është e vetëdijshme se kërkesa e Beogradit për Asociacion me kompetenca ekzekutive ka si prapavijë ta mbajë hapur mundësinë e ndarjes së Kosovës.

“Mundësitë për sukses janë të dukshme në objeksionin e ri të qeverisë në ardhje dhe presidentes në detyrë. Këto mundësi janë reale, sepse edhe në SHBA e në BE ka shumë personalitete që nuk do të donin që në Kosovë të krijohej një Republikë Srpska si ajo në Bosnjë-Hercegovinë. Dodik i Republikës Srpska atje I ka bërë “një nder” Kosovës në këtë drejti. Duke e kërcënuar ekzistencën e Bosnjë-Hercegovinës, bota e qytetëruar ka kuptuar se sa e rrezikshme është t’u lësh hapësira të tilla serbëve. Ata nuk janë e nuk mund të jenë asnjëherë konstruktivë. Përkundrazi janë megalomanë dhe të errësuar pas nacionalizmit ekstremist për krijimin e Serbisë së Madhe. Bashkësia Perëndimore e di se kërkesa e Beogradit për asociacion me kompetenca ekzekutive ka si prapavijë ta mbajë hapur mundësinë e ndarjes së Kosovës në një periudhë tjetër të përshtatshme për të, siç kërcënon Dodik në Bosnjë”, ka deklaruar profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Mehmeti: Osmani nuk do të lëshojë pe

Image
Faton Mehmeti

Ndërkaq, analisti politik Faton Mehmeti, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka theksuar se nuk duhet lejuar assesi Asociacion të ketë kompetenca ekzekutive.

“Asociacioni nuk duhet të krijohet fare, ajo në fakt është projekt serb për ta legjitimuar Serbinë brenda Kosovës, aq më tepër që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive. Një të tillë nuk duhet ta lejojë me asnjë kusht Kosova, andaj qëndrimi i Vjosës është në plotëni me qëndrimin e qytetarëve të Kosovës. Asociacioni është më i rrezikshëm se ndarja, dhe si i tillë me asnjë çmim nuk duhet lejuar; më parë pranohet ndarja se asociacioni, ka deklaruar Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas tij, Osmani nuk do të tërhiqet nga deklarata e saj për Asociacionin e komunave serbe.

“Besoj se Lajçak është kthyer i dëshpëruar në Bruksel, meqenëse personalisht ai ia mban anën Serbisë. Lajçak duket se e ka kuptuar se nuk është më Hashimi në Kosovë për pazare, është Vjosa që nuk lëshon pe. E mbështes qëndrimin e Vjosës, me shpresën se s`do ndryshojë edhe përkundër presioneve që do t'i ketë”, ka theksuar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Burjani: Lajçak nuk është i qartë politikisht

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani është shprehur se Lajçak nuk është i qartë politikisht kur flet as për dialogun e as për Asociacionin.

“Lajçak nuk është i qartë politikisht kur flet as për dialogun e as për asociacionin. Ai ka lënë mundësi të hapura për palët. Ata vendosin, këta si BE dhe ai vetëm bënë ofrimin e shërbimeve të mira, gjë që të shkon mendja se kurrë s`do të ketë ndonjë marrëveshje për asgjë sa i përket asaj përfundimtare”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Burjani ka deklaruar se Lajçak nuk e ka përjashtuar mundësinë që Kushtetua e Kosovës nuk mund të ndryshohet.

“S`ka kompetenca ekzekutive, ky është qëndrim i Kosovës që ka verifikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, pra s`do ketë ndonjë marrëveshje të kësaj natyre. Lajçak ka përjashtuar mundësin që të ketë pushtete tjera brenda Kosovës apo mekanizëm tjetër, por nuk ka përjashtuar aspak se Kushtetua nuk mund të ndryshohet. Ai ka bërë me dije se kushtetua mund të ndryshojë gjithmonë kur të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Më tej, Burjani paralajmëron se do të ketë lojëra serbe dhe lojëra të BE-së.

“E tërë kjo çka u tha nga Lajçak dhe ajo që nuk u tha s`ka ndonjë ndryshim nga e kaluara e angazhimit të BE-së në këtë dialog. Ai po ashtu tha se SHBA janë pajtuar se BE e ka mandatin për këtë temë, dhe kjo sipas meje, nëse veç është kështu pa SHBA kurrë s`do ketë ndonjë marrëveshje, pra do të ketë lojëra serbe dhe lojëra të BE-së.”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat