Sadri Ramabaja: Oferta serbe tallje me Kosovën dhe Brukselin – Ky do të jetë dialogu të cilit do t’i jap vulën Albin Kurti

Politika

Sadri Ramabaja: Oferta serbe tallje me Kosovën dhe Brukselin – Ky do të jetë dialogu të cilit do t’i jap vulën Albin Kurti

Nga: N.Sh Më: 4 mars 2021 Në ora: 22:04
Mirosllav Lajçak dhe Albin Kurti

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi, Mirosllav Lajçak ishte për tre ditë rresht në Kosovë.

Më këtë rast, ai është takuar me liderët shtetëror të Kosovës.

Vizita e Lajçakut në Kosovë rezultoi me mesazhe politike, ku ndër tjera kërkoi të formohet Qeveria e re, dhe pastaj të rifillojë dialogu me Serbinë.

Këtë vizitë të Lajçakut e ka komentuar dr. Sadri Ramabaja.

Ai thotë se Lajçak e ka kuptuar se raportet Prishtinë-Bruksel dhe Beograd kanë ndryshuar.

“Vizita respektivisht turi i Miroslav Lajçak-ut, të dërguarit të Komisionerit për Politika të përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, Joseph Borel, ishte edhe një dëshmi për mungesën e seriozitetit të Brukselit në këtë proces, respektivisht xhuxhërinë e tij! Lajçak duket se tek pasi është përballur me fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit - Albin Kurtin, kryeministrin në ardhje, por edhe me Vjosa Osmanin, presidentja në ardhje, e ka kuptuar se në raportet Prishtinë-Bruksel dhe Beograd - Bruksel ka ndryshuar çdo gjë”, thotë Ramabaja për gazetën “Bota sot”.

Përfundimisht, sipas tij, Lajçak e ka kuptuar se tashmë Kosova po kalon në fazën e konsolidimit të sovranitetit të saj, ndërkaq Beogradi do të duhej të ishte pala që tashmë duhet të pres t'i nënshtrohet presioneve të munguara nga Brukseli.

“Duket se këtë fakt edhe më mirë se Lajçak tashmë e ka kuptuar presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Dialogu sidoqofë do të vazhdojë, por duke u rishikuar tërësisht dhe duke ju nënshtruar parimeve tashmë të bëra publike që nuk ka se si të pritet të trajtohet tutje Prishtina si palë që vazhdimisht duhet të bëjë lëshime!”, vlerëson ai.

Ramabaja pohon se, dialogu rrjedhimisht do të rishikohet tërësisht.

“Ai do të ketë për bazë edhe kornizat e tij të panegociushme; sovraniteti e territorialitetin integral të Republikës, rendin kushtetues juridik unik dhe unitetin funksional, qëllimin, që nënkupton njohjen reciproke si parakusht për normalizim të marrëdhënieve dhe ecje drejt integrimit në BE”, thotë ai.

“Ky do të jetë dialogu të cilit do t'i jap vulën kryeministri Albin Kurti”, thotë Ramabaja.

Ai tutje shprehet se, oferta e re serbe është tallje e Beogradit me Prishtinën dhe Brukselin.

“Oferta e re serbe që Kosova të pajtohet me statusin e një lloj republike të tipit rus - si ai i  Çeçenisë, Tatarstanit dhe Dagestanit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, është tallja e radhës nga ana e Beogradit jo vetëm me Prishtinën zyrtare, por edhe me Brukselin. Qëllimi i Beogradit është i qartë: devijimi dhe shtyrja për kalandrat greke i dialogut”, përfundon dr. Sadri Ramabaja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat