Kosova e prerë në çështjen e Asociacionit

Politika

Kosova e prerë në çështjen e Asociacionit

Nga: A.M. Më: 5 mars 2021 Në ora: 17:06
Mirosllav Lajçak

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se asociacioni i komunave serbe nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, pasi që kjo do e vinte në dyshim funksionimin e Shtetit.

“Kosova ka bërë kompromiset e saj me Planin e Ahtisaarit deri në masën ku minoriteti serb ka të drejta më shumë se çdo minoritet tjetër. Kur është në pyetje integriteti i vendit nuk mund të ketë asnjë kompromis përveç zotimit dhe një ujdie që garanton të drejtat dhe barazitë të të gjitha etnive në Kosovë.  Nëse do të ketë, siç pretendohet, asociacion të komunave serbe, natyrisht që nuk mund as të konsiderohet që ai të ketë kompetenca ekzekutive sepse nuk mund të lejohet që të krijohen standarde të dyfishta meqë kjo do e vinte në dyshim funksionimin e Shtetit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Voca ka potencuar se Lajçak-ut i është bërë e qartë prerazi se çdo marrëveshje me Serbinë nuk do të mund të bie ndeshë me frymën kushtetuese.

“Përderisa Miroslav Lajçak është vetëm një ndërmjetësues i BE-së, politika e jashtme e së cilës mbetet e koklavitur, atij i është bërë e qartë prerazi se çdo marrëveshje me Serbinë nuk do të mund të bie ndeshë me frymën kushtetuese. Lajçak ka marr mesazhin nga Kosova jo vetëm lidhur me asociacionin por lidhur me dialogun në përgjithësi”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se nëse vërehet edhe ndonjë lëvizje minimale në drejtim të minimit të funksionimit të Shtetit të Kosovës nuk duhet t`i lejohet të vazhdoj si ndërmjetësues.

“Atij nuk do mund ti lejohet të vazhdoj tutje as si ndërmjetësues nëse vërehet edhe ndonjë lëvizje minimale në drejtim të minimit të funksionimit të Shtetit të Kosovës. Nuk mund të ketë hapësirë për hamendje në këtë çështje dhe nuk do diskutim sa i përket natyrës së atij asociacioni intenca e të cilit na shfaqet si minim i integritetit të Republikës së Kosovës dhe jo si integrim brenda kushtetutshmërisë së saj. Ndërsa sa i përket asaj marrëveshjes të negociuar nga H. Thaçi dhe të nënshkruar nga I. Mustafa, ajo nuk mund fare të jetësohet si e tillë sepse na doli kundër kushtetuese në shumicën e pikave nga Gjykata kushtetuese”, ka përfunduar Voca për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat