Manipulim i votave/Analisti: “AAK-ja duhet ta shkarkojë znj.Haradinaj-Stublla nga të gjitha detyrat e besuara”

Politika

Manipulim i votave/Analisti: “AAK-ja duhet ta shkarkojë znj.Haradinaj-Stublla nga të gjitha detyrat e besuara”

Nga: A.Z Më: 7 mars 2021 Në ora: 18:56
Meliza Haradinaj-Stublla

Pas akuzave për manipulim votash brenda Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është kërkuar shkarkimi i ministres së Jashtme në detyrë Meliza Haradinaj-Stublla. Kjo e fundit është akuzuar nga dy kandidate të AAK-së, për vjedhje votash.

Shkarkimin e saj e ka kërkuar Naim Murseli, këshilltar i kreut të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

“Kryeministri në detyrë Hoti, duhet me efekt të menjëhershëm, të shkarkojë Ministren e Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla, e cila është përsëri në qendër të vëmendjes. Kësaj radhe për manipulim të votave në QNR. Akuzat brenda AAK-së janë të rënda dhe kjo për faktin së provat flasin kundër saj. Drejtësia të funksionojë edhe kur bëhet fjalë për një ministre!”, ka thënë Murseli.

Lidhur me këtë analisti politik, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se këto akuza janë vetëm vazhdimësi e asaj që ka vazhduar vite me radhë. Haradinaj-Stublla ka pasur akuza edhe në qeverinë e kaluar për shpenzimet e mëdha, madje edhe për keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

“Akuzat lidhur me znj. Haradinaj janë vetëm një vazhdimësi e asaj që ka vazhduar vite me radhë, sepse në kohë zgjedhje të gjitha partitë që ishin në pushtet kanë blerë vota në një mënyrë apo tjetër. Znj. Haradinaj ka pasur disa akuza edhe në qeverinë e kaluara, për shpenzimet e mëdha që bënte pa i dhënë llogari askujt, duke e keqpërdorur taksën e qytetarëve dhe duke u fshehur pas ish-kreut të qeverisë. Znj. Meliza Haradinaj Stublla në mandatin e fundit ka pasur shumë akuza lidhur me keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke punësuar militantë partiakë nëpër Konsullata, pa ndonjë kriter, duke i avansuar dhe ngritur nëpër pozita pa u konsultuar me ligjin apo rregulloren që shërben për MPJ”, është deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.

Për Krasniqin, e gjitha kjo lë të kuptohet se sa të pangopshëm janë për pushtet duke blerë dhe vjedhur vota.

Ai thotë se  AAK-ja duhet ta shkarkojë nga detyrat që i janë besuar, madje shkarkim i pa kompromis duke i vetëdijësuar edhe të tjerët.

“Afera e fundit e znj.Haradinaj, jepë të kuptohet se sa të pa ngopshëm janë për pushtet duke blerë dhe manipuluar apo edhe vjedhur vota brenda partisë në të cilën janë pjesë e saj. AAK-ja duhet të ndërmarrë masa ndaj saj, dhe ta shkarkojë nga detyrat që i janë besuar, pasi që ardhja e saj në Aleancë u konsiderua si reformë dhe ajo jo që solli një frymë të re, diçka në parti vetëm që e njollosi partinë me veprimet e saj. Pra, shkarkimi i znj. Haradinaj duhet të jetë i pa kompromis duke i vetëdijësuar edhe të tjerët”, përfundoi ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat