A mund të ketë ndryshime pozitive në sistemin e drejtësisë?

Politika

A mund të ketë ndryshime pozitive në sistemin e drejtësisë?

Më: 7 mars 2021 Në ora: 21:22
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka premtuar se përmes procesit të vetting-ut, në qeverinë që ai mëton të udhëheqë, do të zvogëlohen lëndët në gjykata.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka premtuar se përmes procesit të vetting-ut, në qeverinë që ai mëton të udhëheqë, do të zvogëlohen lëndët në gjykata.

Por, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë për Radion Evropa e Lirë se ky proces nuk ndikon as në zvogëlimin e lëndëve të grumbulluara e as në rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë.

Kurti, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ka thënë se prioritet për të do të jetë drejtësia dhe në fokus të këtij prioriteti është procesi i vetting-ut, të cilin ka thënë se do ta nisë nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial.

”Me qeverisjen tonë të re, me procesin e vetting-ut, me departamentet në gjykatat e reja, edhe do të zvogëlojmë atë gjysmë milioni lëndë në Pallatin e Drejtësisë, por edhe do të rregullojmë imazhin e Kosovës, duke sjellë drejtësi për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Kurti gjatë një paraqitjeje për media më herët gjatë kësaj jave.

Por, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë se procesi i vetting-ut është i domosdoshëm për ta pastruar sistemin e drejtësisë nga ndikimi i politikës dhe grupet e interesit si dhe për të larguar personat që janë aty pa meritë. Megjithatë, sipas Miftarajt, kjo nuk nënkupton se me këtë proces do të përshpejtohet trajtimi i lëndëve gjyqësore.

"Procesi i vetting-ut, sikurse themelimi i departamenteve të reja në gjykata nuk ndikon në zvogëlimin e rasteve të vjetra. Me këtë qasje kanë vepruar njëjtë të gjitha qeveritë e kaluara, por që nuk kanë pasur asnjëherë sukses", tha Miftaraj.

Vettingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Për vite me radhë, institucionet e Kosovës kanë tentuar që të nisin procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

Njohësi i sistemit të drejtësisë, Ismet Salihu, më herët ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se “procesi i reformave të thella në sistemin e drejtësisë dhe ai i vetting-ut, nuk do të jenë të lehtë".

Adnan Rrustemi, nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se sistemi i drejtësisë do të jetë prioritet i Qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Ai thotë se sistemi i drejtësisë do të jetë i pavarur dhe efikas si dhe thotë se LVV do të shtyjë përpara hartimin dhe zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me procesin e vetting-ut.

"Do të jemi të përkushtuar në procesin e vetting-ut për të siguruar gjyqtarë e prokurorë profesionalë dhe me integritet të lartë. Do të mbështesim sistemin e drejtësisë në funksionin dhe përgjegjësinë për të luftuar krimin dhe korrupsionin, por edhe efikasitet e trajtim të shpejtë të lëndëve", tha ai.

Sipas Rrustemit, qeveria e re do të hartojë një projektligj për realizimin e të drejtave civile, që do të mundësonte shkurtimin e afateve dhe procedurave për zgjidhjen e kontesteve civile, por edhe sanksionimin e gjyqtarëve që nuk respektojnë këto afate.

"Krahas vlerësimit të nevojave në sistemin gjyqësor, duke pasur parasysh rëndësinë, qeveria do të shtojë kapacitetet e Prokurorisë Speciale. Prokurorët e Prokurorisë Speciale do të jenë të ndarë në departamente dhe do të ketë trajnime dhe profilizime të tyre, varësisht nga veprat që hetojnë, sikurse që do të fuqizohet segmenti i trajnimeve të vazhdueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve", tha Rrustemi.

Instituti i Kosovës për Drejtësi, që mbikëqyr punën e institucioneve të drejtësisë, ka vlerësuar se besimi i publikut në Kosovë ndaj institucioneve të drejtësisë është luhatur ndër vite, por asnjëherë nuk ka qenë në nivelin me të ulët sesa tash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat