“Hija e zezë” që mund ta zë PDK-në, kush mund të jetë lideri i ri i partisë

Politika

“Hija e zezë” që mund ta zë PDK-në, kush mund të jetë lideri i ri i partisë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 8 mars 2021 Në ora: 20:17
Enver Hoxhaj

Muajin që lamë pas, përfunduan zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, ku javën e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të 14 shkurtit, duke e shpallur kështu fituese të zgjedhjeve Lëvizjen Vetëvendosja me 49.9 % të votave të fituara.

E dyta renditet PDK me 16.9 %, LDK me 12.64 % renditet partia e tretë, AAK fitoi 7.07%, Nisma nuk e ka kaluar pragun, ndërsa Lista Srpska ka fituar 10 vendet e rezervuara në parlamentin e Kosovës, kurse 10 vende u takojnë pakicave jo serbe.

Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, brenda 30 ditësh pritet të bëhet kostituimi i Kuvendit.

Rezultati i zgjedhjeve padyshim që solli shumë ndryshime të papritura për partinë e LDK-së dhe PDK-së, duke pasur rënie të madhe të votave nga elektorati i tyre, sidomos LDK që pësoi rënien më të madhe ndonjëherë në zgjedhje.

Menjëherë pas këtyre rezultateve, Mustafa ishte ai që dha dorëheqje nga kreu i LDK-së, derisa me 14 mars pritet të zgjedhet kryetari i ri i LDK-së.

Mirëpo përveç LDK-së, si duket edhe PDK ka nevojë për reforma të reja, të cilat fillimisht janë përmendur nga kryetari i Drenasit, i cili vjen nga kjo parti, Ramiz Lladrovci e tani edhe nga kryetari i degës së PDK-së në Skënderaj, Sami Lushtaku. Ky i fundit ka thënë se nuk e ka pritur as rezultatin e PDK-së, por as të VV-së si parti fituese.

“Të jem i sinqertë jo nuk e kam pritur. Nuk e kam pritur as rezultatin e Partisë Demokratike të Kosovës, por se kam pritur as rezultatin e Lëvizjes Vetëvendosjes”, ka thënë ai.

E për rezultatin që ka arritur PDK-ja në këto zgjedhje, Lushtaku tha se duhen reforma brenda partiake.

“Reforma PDK-ja ka bërë në vazhdimësi dhe unë mendoj që si subjekt politik ka nevojë për reforma, kështu që reformat janë në vazhdimësi në PDK. Nuk i komentoj reformat në parti të tjera”, ka deklaruar Lushtaku.

Kujtojmë që PDK është hera e parë që po merr pjesë në mungesë të dy liderëve të tij, Thaçit dhe Veselit, të cilët vazhdojnë të jenë në Hagë.

Krasniqi: Lider i denjë për PDK-në, mund të jetë Bedri Hamza

Njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se rezultati i LDK-së dhe PDK-së, ishte i pritshëm dhe se as prezenca e Veselit e Thaçit nuk do ta ndryshonin rezultatin.

Image
Islam Krasniqi

“Ka qenë i pritshëm ky rezultat pasi që dy liderët e PDK-së z.Veseli, njëherësh kryetar i PDK-së dhe z.Thaçi lideri shpirtëror janë në Hagë, kundër asaj që është pritur mirë ka dalë në këto zgjedhje. Por edhe sikur të ishin prezentë dy liderët e PDK-së, pritjet për një rezultat më të mirë do të kishin qenë më të mira, pasi që populli po kërkojnë ndryshime”, u shpreh Krasniqi.

Më tej, analisti thotë se lider i denjë për PDK-në, mund të jetë Bedri Hamza, i cili ka pasur gjithmonë një përgatitje profesionale tek opinionin i përgjithshëm.

Krasniqi shton se Hamza në krye të PDK-së mund të sjellë reforma që i kanë munguar asaj gjatë qeverisjes së Veselit.

“Si lider i ri brenda PDK-së i cili mund të ruajë elektoratin e saj është z. Bedri Hamza, i cili e ka fuqinë edhe brenda partisë por edhe në opinion të përgjithshëm ka një respekt, gjithashtu nuk i mungojnë as përgatitjet shkollore po as ato profesionale. Z.Hamza gjithashtu ka pasur pozita larta cilat i ka kryer me përgjegjësi dhe ndershmëri për atë që shihet në opinion, e që ardhja e tij në krye të PDK-së mund të sjell edhe reformat të cilat kanë munguar brenda partisë së z.Veselit”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

Bajraj: PDK-ja, në gjendje letargjie të thellë

Kurse, analisti politik Fatmir Bajraj, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, është shprehur se rezultati për PDK-në ishte i pritur dhe se kjo po vjen si rezultat i keqqeverisjes tash e sa vite nga PDK-ja.

Sipas tij, qytetarët ishin të mbushur me eufori për dështimet e PDK-së dhe natyrisht që VV-ja në krye me Kurtin ishte partia që fitoi nga e tërë kjo.

Image
Fatmir Bajraj

“Rezultati i papritur zgjedhor i 14 shkurtit 2021, deklasoi pritjet e PDK-së për një rikthim të paralajmëruar në qeverisjen e vendit dhe pozita e dytë pas debaklit katastrofal të LDK-së, në këto zgjedhje, ndoshta është satisfaksioni i vetëm i kësaj partie, e cila jo vetëm që nuk arriti të këndellët në mbi një vit në opozitë, por roli i saj opozitar as mish as peshk, vetëm sa e dëmtoi edhe më shumë në numra, në përqindje dhe në humbjen e bastioneve deri dje të pathyeshme që nga paslufta e këndej. Pse kjo humbje, çfarë e determinoi atë dhe pse kaq e thellë? Gjatë gjithë "shekullit" qeverisës dhe qëndrimit në pushtet, PDK-ja ishte tharmi i të këqijave, dështimeve dhe gabimeve të shkaktuara me dhe pa dashje në rrugëtimin dhe itinerarin e Republikës së Kosovës në shtetbërje dhe në shtetëndertim, për pasojë, edhe akumulimi i pakënaqësive qytetare dhe humbja e perspektives për të rinjtë kishte arritur kulmin e shpërthimit dhe mosdurimit, kontekst ky i shfrytëzuar mrekullisht nga LVV-ja, e z.Kurti, e artikuloi këtë zhgënjim të qytetarëve dhe i faturoi ish partive në pushtet, përkatësisht "regjimit të vjetër", siç i quan për nivelin e krimit të organizuar, korrupsionit, rendit dhe ligjit dhe papunësisë”, është shprehur analisti.

Tutje, Bajraj ka theksuar se PDK-ja gjatë gjithë qëndrimit të saj në pushtet, arriti të kaplojë shtetin me korrupsion dhe që padyshim këto sollën deri tek dështimi i saj.

“PDK, gjatë gjithë qëndrimit në pushtet, kishte kapur jo vetëm institucionet dhe pushtetet e ndara me Kushtetutë, por kishte kapur gjithë sistemin dhe për konsekuencë, kishte dëmtuar proceset zhvillimore ekonomike por edhe ato të integrimeve euro perëndimore dhe veriatlantike. Në anë tjetër, PDK me apo pa dashje, me mënyrën dhe mendësinë qeverisëse korruptive kishte derivuar dhe prodhuar edhe të kundërtën e vet, LVV-në, dhe padyshim se edhe e kishte rritur dhe fuzionuar "fryrjen” e saj në përmasa përbindëshi, për çfarë duhet të mbahet dhe ndjehet përgjegjëse deri në fund të ditës. "Lisin e qanë (ndanë) pyka e vet", thotë një maksimë”, ka thënë Bajraj.

PDK-ja duhet të dalë me një emër të ri në krye të saj

Analisti ka folur flet edhe për arrestimin e Thaçit dhe Veselit, derisa ka vlerësuar se Specialja i dha një goditje PDK-së, të cilën nuk e kishte parashikuar dhe se kjo normalisht ka dëmtuar PDK-në si parti politike.

Sipas tij, PDK-ja e drejtuar nga z.Enver Hoxhaj, u gjet e papërgatitur nga arrestimi rrufe i tyre dhe sjellja në panik edhe gabime në ecje u pasqyruan me një rënie drastike të rezultateve në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

“Tkurrja e PDK-së, edhe pasojë e shterjes së aseteve dhe mundësive për abuzim. PDK, dhe përgjithësisht, i vetquajturi "krah i luftës", me kalimin e viteve në qeverisje dhe në kapje të shtetit, ka shteruar dhe konsumuar përveç aseteve nacionale, edhe vetveten, duke mbetur e varur nga votat "tradicionale" të fantom-organizatave të dala nga lufta dhe projektet me fryrjen e listës së veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, shifra e 6-fishuar e saj, si parapolitikë dhe armatë e makinerisë votuese të PDK-së, mbi të gjitha. Funksionalizimi i Gjykatës Speciale, goditje e rëndë për PDK-në dhe simotrat ! Marrja dhe prangosja e dy liderëve historik të PDK-së, ish presidentin Thaçi dhe ish kreun e PDK-së, z,Veseli, ka dëmtuar rëndë këta subjekt politik, para së gjithash, kur dihet mendësia dhe praktika filozofike e drejtimit të saj nga këta dy ish lider, ku fuqia politike vendimmarrëse e liderit ishte e pakontestueshme dhe bënte ligjin. Një figurë dhe personalitet i tillë i mungon sot PDK-së dhe mungesa e tyre është një hendikep për mënyrën dhe kulturën politike të këtij subjekti, e cila vështirë të akomodohet pa influencën dhe ndikimin e tyre. PDK, është kthye një moçal kundërmues! PDK-ja, e drejtuar nga U.D, i Kryetarit Veseli i cili gjendet në Hagë bashkë me ish presidentin Thaqi, z.Enver Hoxhaj, u gjet e papërgatitur nga arrestimi rrufe i tyre dhe sjellja në panik dhe jo adekuate, determinon edhe gabime në ecje, efektet e të cilave pasqyrohen edhe në rënien drastike të rezultateve në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021”, ka vlerësuar ai.

Më tej, Bajraj ka potencuar se PDK-ja duhet të mos mbetet peng i fatit të liderëve të saj, kur dihet se akuzat që rëndojnë këta dy ish krerë të UÇK-së, sipas analisti kthimi i Veselit dhe Thaçit në skenën politike duket të jetë i vështirë.

“Gjendja inerte dhe statike e PDK-së, si pasojë e paqartësisë për fatin e liderëve të cilët gjenden në Hagë dhe mungesës së guximit dhe të vizionit në anë tjetër, ka tupitur hapjen e shtigjeve dhe të rrugëtimit të kësaj partie jetime (bonjake) në hap me dinamikën e zhvillimeve, të cilat nëse nuk i ndjek, ato të shkelin dhe ndëshkojnë. PDK, duhet të mos mbetet peng i fatit të liderëve të saj, kur dihet se akuzat që rëndojnë këta dy ish krerë të UÇK-së, janë aq të rënda, sa që as optimistet ma të mëdhenj, nuk besojnë në kthimin e tyre pa dënim kapital, e lëre më të kthehen shpejt dhe të drejtojnë parti, institucione dhe procese. PDK t'i çojë duart nga e kaluara kriminale dhe të distancohet nga ajo! PDK-ja është mësuar të sundojë në një shoqëri pa ligj dhe rend, ose më mirë thënë, në një shoqëri ku vet është mbi Ligjin dhe ky i fundit vlen dhe ka kuptim për tjerët dhe kur u duhet kapësve të shtetit, por jo kundër tyre, zaten, funksionimi i shtetit ligjor dhe në një sistem në të cilin të gjithë janë të barabartë para ligjit, notimi i tyre në politikë është i vështirësuar dhe gati i pamundur”, ka nënvizuar Bajraj.

Në fund, ai thotë se nuk duhet të përsëritet në PDK qeverisja e Thaçit dhe Veselit dhe duhet që lideri i ri i PDK-së, të dalë i përgatitur dhe bashkëpunues.

Bajraj përmend Memli Krasniqin, njeriu i cili i plotëson kriteret për të udhëhequr PDK-në.

“Por në qoftë se dëshiron të mbetet në skenën politike si rival dhe konkurrent i denjë dhe një shoqëri të reformuar dhe të transformuar drejt vlerave demokratike perëndimore, duhet t'i nënshtrohet një procesi-katarsis, duke ndryshuar thelbësisht, jo vetëm strukturën organizative dhe profilizimin ideologjik, por edhe kulturën politike dhe qeverisëse e cila i mundëson atraktimin e brezave të rinj, të padjallëzuar dhe të pa hipoteka. S'ka më edhe pas Thaçit e Veselit, prapë Thaçi & Veseli! Sentimentet nuk janë bazament i përhershëm dhe as garanci mbi të cilat mund të varën shpresat për një besim dhe mbështetje qytetare blanko për PDK-në dhe për akëcilin subjekt politik serioz të skenës politike të vendit dhe jo vetëm. Lideri i ri i PDK-së, duhet të dalë nga një proces zgjedhor transparent dhe demokratik, i cili nuk ka hipoteka por në anën tjetër të jetë bartës i proceseve partiake dhe i cili përveç se duhet ta njeh mirë partinë, duhet të jetë edhe i ri në moshë dhe mendësi, të jetë elokuent, i përgatitur dhe bashkëpunues dhe këtë profil, e plotëson më së miri Memli Krasniqi! Po qe se PDK, nuk del nga ky "labirint" duke reflektuar thellë dhe fuqishëm, perspektiva e saj mund të jetë e zymtë dhe me pasoja të cilave unë hezitoj t'i jap emër”, ka përfunduar Fatmir Bajraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat