Binomi Kurti-Osmani, fatal për ish-komandantët

Politika

Binomi Kurti-Osmani, fatal për ish-komandantët

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 9 mars 2021 Në ora: 11:27
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti, ka shënuar fitoren historike në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt në Kosovë.

Fitore rekorde me numër të votave dhe më përqindje, një gjë të tillë asnjë subjekt politik më parë nuk kishte arritur të bënte në Kosovë.

Kjo fitore e madhe e Lëvizjes Vetëvendosje nga njohësit e zhvillimeve politike në vend, po konsiderohet edhe si një goditje për “krahun e luftës”, duke bërë kështu që edhe përfundimisht t’i largojë nga skena politike këta të fundit.

Ata konsiderojnë se ky rezultat spektakolar i LVV-së, vjen edhe si pasojë e keqqeverisjes, krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe e dështimeve dhe e gabimeve në proceset politike të vendit, gjë për të cilën, sipas tyre, fajin kryesor e kanë partitë e dala nga lufta, siç janë PDK-ja, AAK-ja dhe NISMA.

Analisti politik: Po u vjen fundi atyre që në emër të luftës kanë bërë miliona

Image
Faton Mehmeti

Njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se tashmë është e qartë se atyre që në emër të luftës kanë bërë miliona është duke u ardhur fundi.

Këtë, sipas tij, e konfirmoi edhe rezultati i zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

“Tanimë çdo ditë e më shumë po u vjen fundi atyre që në emër të luftës kanë bërë miliona, ata të cilët kanë cenuar vlerat më të mëdha të kombit për përfitime të ulëta. Se atyre njerëzve fundi po ju vjen, kjo u konfirmua edhe më 14 shkurt. Në fakt, 14 shkurti shpërfaqi atë që pritej, vijën e kuqe të qytetarëve të Kosovës ndaj atyre që vlerat e luftës i kanë përdorur si ambalazh për të vjedhur”, ka thënë Mehmeti.

Sipas Mehmetit, një gjë e tillë është dashur të ndodhë shumë më herët, mirëpo, kësaj here, ai shprehet se populli me votë i largoi.

“Fundi i atyre ka ardhur, dhe kjo u pa shumë qartë më 14 shkurt. Komandantët e luftës s’kanë si mos fundosen, kur me veprimet e tyre kanë përligjur 100 për qind atë që është thënë nga koha; janë përfitues. Në fakt, është dashur qysh moti të largohen nga pushteti vullnetarisht, meqenëse nuk e bën këtë, atëherë populli me votën e vet i largojë, dhe ata pak që kanë mbetur do i largojë shumë shpejt, përfundimisht nga skena politike”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti.

Profesori: Humbja e thellë e komandantëve të luftës

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi, njëherësh njohës i zhvillimeve politike në vend, ka thënë se fitorja e madhe e Albin Kurtit i ka dhënë goditjen përfundimtare ish-komandantëve të luftës.

“Humbja e thellë e komandantëve të luftës, më 14 shkurt, jo që ka mposhtur atë krenarinë e tyre, po dhe besueshmërinë ndaj qytetarëve të Kosovës, më e keqja, se, kanë humbur të gjitha benificionet e mëdha shtetërore. Fitorja e Albin Kurtit aq rëndë i ka goditur që zor se më qytetarët do ua kthejnë autoritetin e mëparshëm të ish-komandantëve të luftës. Qytetarët e Kosovës duke votuar Albin Kurtin e Vjosa Osmanin, ua bënë me dije komandantëve se kaloi koha e luftës së UÇK-së, se Kosova u çlirua, se për këto merita luftarake qytetarët njëzet vjet radhazi i shpërblyen me pushtet deri në momentin kur mirësitë dhe premtimet ndaj votuesve i harruan deri në zhvatje të pamëshirshme të Kosovës”, ka thënë ai.

Mehazi është i mendimit se tani e tutje ish-komandantët e luftës do të mësohen nga Albin Kurti e Vjosa Osmani se si ndershmërisht e profesionalisht udhëhiqen institucionet e Republikës së Kosovës.

“Minuti i votimit i ka mposhtur, e i ka pikëlluar keq, tani e tutje komandantët e pushkës në parlamentin e Kosovës do mësohen nga Albin Kurti e Vjosa Osmani se si ndershmërisht, profesionalisht e politikisht udhëhiqen institucionet e Republikës së Kosovës. Pas humbjes, më mirë do të ishte për komandantët e luftës që të lënë politikën e të kthehen aty ku e kanë vendit, në Forcat e Sigurisë së Kosovës. Politikën e diplomacinë e Kosovës le t’ua lenë të mençurve; Kurtit, Osmanit, Konjufcës, Gërvallës, etj. Koha e komandantëve politikë ka kaluar, ashtu si kalon historia, ngjarjet politike e jeta njerëzore”, ka thënë profesori.

Veprimtari: Komandantët e “luftës”, jashtë Qeverisë së Kosovës

Kurse, veprimtari Fatmir Bajraj është i mendimit se aktivizimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Gjykata Speciale, janë dy faktorët kryesorë që kanë nxjerrë nga pushteti dhe majat e shtetit, ish-krerët e UÇK-së.

Edhe Bajraj është i mendimi se fitorja e VV-së në zgjedhjet e fundit shënon fundin “epokës së komandantëve”.

“Aktivizimi LVV-së, dhe aktivizimi i Gjykatës Speciale, “në sinkron”, kanë nxjerrë nga pushteti dhe majat e shtetit, ish-krerët e UÇK-së, e para, duke i lënë jashtë pushtetit dhe qeverisjes së vendit, derisa e dyta, duke i arrestuar dhe privuar edhe nga liria, fakt ky që shënon fundin “epokës së komandantëve”. Rezultati i fitores bindëse të LVV-së, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, i mundëson asaj që gati e vetme të formoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, pa pasur nevojë për asnjërën nga subjektet politike shqiptare në parlamentin e Kosovës, si asnjëherë më parë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008”, është shprehur veprimtari Bajraj.

Image
Fatmir Bajraj

Veprimtari Bajraj shpjegon se rezultat i jashtëzakonshëm i Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit, vjen si rezultat i keqqeverisjes nga “krahu i luftës”.

“Ky rezultat spektakolar i LVV-së, natyrisht se vjen edhe si pasojë e keqqeverisjes, krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe dështimeve dhe gabimeve në proceset politike të vendit, fajin kryesor për të cilat mbanë kryesisht “krahu i luftës” i identifikuar në partitë e dala nga lufta, siç janë PDK, AAK dhe NISMA. Marrja e pushtetit nga ky krah, gati menjëherë pas ikjes për amshim të ish-presidentit historik Ibrahim Rugova dhe deri në zgjedhjet e fundit të këtij viti, duke drejtuar Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe duke qenë minimalisht pjesë e saj, ka dëmtuar ekonominë e vendit, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe ka dëmtuar procesin e integrimeve dhe anëtarësimin e vendit në mekanizma dhe organizata ndërkombëtare, sikur në BE, NATO, OKB dhe mekanizma e organizatat tjera”, ka potencuar veprimtari Bajraj.

Komandantët, kryeministra dhe president, në dëm të shtetit!

Madje, Bajraj konsideron se kjo strukturë për vite të tëra është imponuar në qeverisje dhe në skenën politike.

“Që nga Rambuje 1999, e këndej, dhe praktikisht pas çlirimit të Kosovës më 12 qershor 1999, ish QPK-ja ilegjitime dhe jo valide në krye më të vetëquajturin, Drejtor i Drejtorisë Politike i SHP të UÇK-së, Hashim Thaçi-kryeministër, dhe deri në ditët tona, kjo strukturë e komandantëve, i është imponuar në qeverisje skenës politike të vendit, duke siguruar që të jetë në maja të piramidës së pushtetit dhe në pozitën e kryeministrit dhe së fundmi edhe në pozitën e Presidentit të vendit derisa në këtë cilësi shkoi për në Hagë, i akuzuar nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçi”, tha ai.

Me tej ai deklaron se makinacionet dhe logjika e ardhjes në pushtet duke përdorë edhe mjetet e dhunës, shantazhit dhe eliminimit të kundërshtarëve politik, kishte derivuar edhe kulturën e qeverisjes dhe politikbërjes në vendin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat