Juristi mbështet Kurtin për shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë Hoti, tregon se si të veprohet me vendimet e anuluara

Politika

Juristi mbështet Kurtin për shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë Hoti, tregon se si të veprohet me vendimet e anuluara

Nga: A.Morina Më: 13 mars 2021 Në ora: 21:42
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili pritet të jetë edhe kryeministri i ri vendit, ka paralajmëruar se do t’i shfuqizoj vendimet e Qeverisë Hoti.

Fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook kërkoi nga qeveria në detyrë që të ndalë rekrutimet, emërimet dhe keqshpenzimet e parasë publike.

“Çdo intervistim, nominim, rekrutim apo emërim duhet të ndërpritet menjëherë dhe të mos vazhdojë deri në votimin e qeverisë së re. Secili emërim i nënshkruar pas rrëzimit të qeverisë anti-kushtetuese do të anulohet që në javën e parë të qeverisjes, dhe kjo vetëm mund të dëmtojë personat e përfshirë”, deklaroi Kurti, përcjell “Bota sot”.

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar deklaratën e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për shfuqizimin e të gjitha vendimeve të Qeverisë Hoti.

Kelmendi tha se në kuadër të punës dhe aktiviteteve, çdo parti që vjen në pushtet, ka të drejtë të anulojë vendimet e qeverive të mëparshme.

Image
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

 

“Partitë hyjnë në fushatë me pikëpamje të ndryshme politike. Ato i paraqesin programet e veta para masave zgjedhëse. Mbi atë dhe të politikës se çdo partie u votua dhe kështu doli fituese VV. Dhe, në kuadër të punës dhe të aktivitetit, çdo parti a koalicion që vjen në pushtet, ka mundësi të anulojë vendimet e qeverive të mëparshme”, deklaroi Kelmendi.

Njohësi i çështjeve kushtetuese tha se çdo vendim që anulohet duhet të përmirësohet ose edhe të zëvendësohet me një vendim të ri, nga ana e qeverisë së re.

“Ato vendime mund të anulohen, të përmirësohen dhe të nxirren vendime krejt të reja. Natyrisht se kjo në kuadër të zhvillimeve nuk është tërësisht në rregull, sepse jo çdo gjë anulohet, sidomos karakteri i shteti ruhet me fanatizëm.

Shteti duhet të vazhdojë punën me pushtet në mënyrë konstitutive. Çdo vendim që anulohet duhet të rregullohet dhe të zëvendësohet me vendime të reja”, theksoi ai.

Kelmendi përmendi edhe çështjen se LDK dhe VV janë parti me pikëpamje të ndryshme, njëra e djathtë, kurse tjetra e majtë. Ai tha se VV intervenon për të zbatuar programin që qytetarët e kanë votuar.

“Çështja është se kemi dy anë të kundërta të politikës së bërë deri më tash dhe nga tash, nga e djathta, kalohet te e majta, sepse vjen një subjekt tjetër në pushtet.

VV është e majtë dhe LDK është e djathtë. Shumë vendime të djathtës nuk janë vendime që rregulloni gjendjen sipas pikëpamjes së VV. Këtu intervenohet për të zbatuar programin që masat e kanë votuar”, nënvizoi juristi.

Në vazhdim, Kelmendi tha se Vetëvendosje votat i ka fituar me programin e saj për të përmirësuar gjendjen në arsim, drejtësi, ekonomi, etj.

“Gjithashtu, votat i fitojë VV me programin për të përmirësuar gjendjen e pensionistëve dhe të vartësve social, të arsimit etj. VV premtoj punësim sipas kualiteteve dhe dha premtime për të bërë spastrime në prokurori, në gjykata, në organet policore e në administratë, kudo në jetën ekonomike e shoqërore-juridike”, potencoi ai.

Në fund, juristi tha se Kurti do të veprojë edhe më ashpër në drejtim të realizimit të programit zgjedhor, pasi kështu edhe duhet të veprohet në politikë.

“Pra, VV do të vepron edhe më ashpër në drejtim të realizimin të programit zgjedhor nga e mori votën dhe premtimeve të bëra në fushatën elektorale.

Kështu veprohet në politikë. Mirëpo këtu duhet domosdo të garantohet zhvillimi normal i pushtetit dhe natyrisht vetë shteti, asgjë që e dëmton shtetin nuk tolerohet”, përfundoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat