Sfida e Qeverisë Kurti para opozitës së fuqishme parlamentare, analisti: Lufta kundërkorrupsionit do të shihet luftë kundër opozitës

Politika

Sfida e Qeverisë Kurti para opozitës së fuqishme parlamentare, analisti: Lufta kundërkorrupsionit do të shihet luftë kundër opozitës

Nga: N.Sh Më: 18 mars 2021 Në ora: 20:30
Albin Kurti

Qeveria e Republikës së Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje pritet që të formohet këtë të hënë.

Megjithatë, sfidë e kësaj qeverie do të jetë zgjedhja e Vjosa Osmanit presidente.

Në lidhje me formimin e Qeverisë dhe bashkëpunimin me opozitën, ka fol analisti politik Fadil Lepaja.

Ai thotë se, si total të numrit të votave që kanë marrë në zgjedhje LVV dhe Vjosa Osmani kanë legjitimitetin që të bëjnë ndryshime të cilat i kanë premtuar para zgjedhjeve, dhe jo vetëm para këtyre zgjedhjeve, por edhe para zgjedhjeve të kaluara.

Sipas tij, është në dorën e tyre që të sillen si sundimtar dhe ti detyrojnë të gjithë që t’i nënshtrohen politikës së ndryshimeve, apo të sillen si udhëheqës të ndryshimeve, dhe të krijojnë instrumente që të përfshijnë të gjitha partitë, apo të gjitha grupet politike që dëshirojnë me qenë pjesë e ndryshimeve.

“Unë mendoj që së paku formalisht, asnjë parti nuk mund të dalë kundër angazhimeve të LVV-së për antikorrupsion, asnjë parti nuk mund të dal kundër reformave në drejtësi, pa rreziku të hupin shumë në elektorat, të dalin kundër zhvillimit dhe heqjeve të haraçit, dhe asnjë parti nuk mund të dal kundër një politike të dialogut e cila bazohet në dinjitet dhe interesa të Kosovës. Unë mendoj që, madje jo vetëm se nuk do të dalin kundër por të gjithë kanë interes dhe duhet të përbashkohen rreth çështjeve nacionale, sepse gabimi i qeverive të kaluara ka qenë jo bashkëpunimi me të gjitha subjektet politike”, thotë Lepaja për gazetën “Bota sot”.

Ai mendon që kjo është urti politike qytetare, që të krijohet një frymë e unitetit për ndryshime, dhe për këtë Kurti duhet të mendoj bashkë me elitën e re që do të krijojë, sepse, sipas tij, nëse nuk krijon këtë unitet, do të përballet me opozitë të fuqishme në Parlament dhe do të jetë sfidë e vërtetë realizimi i premtimeve që kanë dhënë te qytetarët.

“Lufta kundër korrupsionit nuk do të shihet si luftë kundër korrupsionit, por kundër opozitës, reformat në drejtësi nuk do të shihen si reforma në drejtësi, por si reforma që hakmerren ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të cilët kanë qenë pak a shumë nën kontrollin e strukturave politike të mëhershme”, shton ai.

Lepaja ka folur edhe për çështjen e dialogut.

“Për këtë, duhet të krijohet një platformë dhe jo të negociohet sikurse Ramushi që bënte parazgjedhjeve, sepse nëse nuk bënë diçka parimore LVV, unë nuk besoj në lojalitetin e përfaqësuesve të minoriteteve në raport me qeverinë, sepse kur presioni të rritet qysh din të rritet dhe ai do të jetë edhe ndërkombëtar për pika të caktuar dhe shumica parlamentare është shumë e brishtë, në ato raste edhe grupi i Osmanit është i ndikueshëm nga presionet ndërkombëtare nëse vinë nga SHBA apo Evropa”, përfundon Fadil Lepaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat