LDK-së i vjen mesazhi: Kështu duhet të veproni me Vjosa Osmanin, çdo rrugë tjetër...

Politika

LDK-së i vjen mesazhi: Kështu duhet të veproni me Vjosa Osmanin, çdo rrugë tjetër...

Nga: P.R Më: 18 mars 2021 Në ora: 22:00
Vjosa Osmani

Më 22 mars do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës. Në këtë seancë pritet të votohet kryetari i ri i Kuvendit, Kryeministri dhe Presidenti.

Duke u bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, tashmë janë siguruar votat e nevojshme për postin e kryeministrit, post në të cilin pritet të zgjidhet Albin Kurti. Po sfidë mbetet zgjedhja e Vjosa Osmanit presidente, për zgjedhjen e së cilës duhet të jenë 80 deputet të pranishëm në sallë.

PDK dhe AAK edhe zyrtarisht kanë deklaruar se nuk do të qëndrojnë në sallë dhe nuk do ta votojnë Vjosa Osmanin presidente.

Por si duhet të veprojë LDK, kur dihet se Vjosa Osmani ka qenë nënkryetare e kësaj partie?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur Saim Tahiraj, ish veprimtar i hershëm i LDK-së dhe ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.

Image
Saim Tahiraj

“Duke u nisur nga faktet se si është sjellë Vjosa Osmani me LDK-në, në veçanti me Qeverinë Hoti dhe deputetët e LDK-së në Parlamentin e Kosovës, deputetët e LDK-së nuk duhet ta mbështetin kandidaturën e saj për Presidente të Kosovës”, thotë Tahiraj.

Sipas tij, LDK nuk e ka asnjë obligim për zgjedhjen e presidentit apo kryeministrit, pasi ajo tani gjendet në opozitë.

“LDK tani është parti opozitare, andaj nuk ka kurrfarë obligimi për zgjedhjen e Presidentit apo Kryeministrit! Kjo përgjegjësi i takon partisë fituese, e kur ja shton edhe faktin se si është sjellë VV-ja në vazhdimësi me një arrogancë dhe vandalizëm ndaj LDK-së, deputetët e LDK-së duhet bojkotuar seancat e Parlamentit të Kosovës kur votohet për zgjedhjen e Presidentit dhe Kryeministrit!”, thekson Tahiraj për “Bota sot”.

Ai shton se Vjosa Osmani e ka dëmtuar rëndë LDK-në.

“Vjosa Osmani ka zgjedhur rrugëtimin e saj politik duke u bashkuar me kundërshtarin politik më arrogant, të LDK-së. Me veprimet e saj egoiste, Vjosa dezertoi në momentet më të vështira për LDK-në dhe e dëmtoi shumë atë. Një pjesë e konsiderueshme të votuesve tradicional të LDK-së i barti në VV, duke i mashtruar me një propagandë të pandershme se gjëja kjo na qenka e vetmja vazhduese e Rugovizmit!”, shprehet veprimtari Tahiraj.

“Rugovizëm mundë të ketë ç'do kund por vetëm në VV nuk mundë të ketë. Aty ku është çerdhja e Neobolshevizmit, Neootomanizmit dhe Qosizmit, si mundë të ketë Rugovizëm? A nuk është ky mashtrimi më i pandershëm i vitit? Lidershipi i ri i LDK-së së bashku me deputetët e saj duhet ta mendojnë mirë këtë dhe mos t’i përsëritin gabimet e mëparshme. Me arsyetimet, për ruajtjen e stabilitetit politik dhe institucional, për hir të interesit Kosovës, nuk mashtrohet më anëtarësia e LDK-së me këto parulla false! Lidershipi i ri i LDK-së duhet ta shikoj mirë vetëm interesin e LDK-së si parti opozitare”, deklaron Saim Tahiraj.

Për fund, Tahiraj thotë se LDK nuk duhet t’i përsërit gabimet e së kaluarës.

“Me sjelljet e sajë, Vjosa ka shkaktuar një pakënaqësi të madhe te anëtarësia besnike e LDK-së, madje deri në një urrejtje të skajshme, andaj duhet kujdes me ndjenjat e tyre. Lidershipi i ri i LDK-së duhet ta marrë seriozisht qëndrimin e anëtarësisë së sajë karshi Vjosës dhe të veproj përngjeshem konform kërkesave të tyre. Çdo veprim tjetër do na dërgoj në rrugën e njëjtë e cila na solli në këtë situatë të vështirë. Deputet të LDK-së, mos i përsëritni gabimet e së kaluarës, dëgjojeni zërin e anëtarësisë besnike të LDK-së sepse ai është zëri i vërtetë që nuk të lejon të gabosh asnjëherë. Nuk duhet votuar asnjërin, Presidentin as Kryeministrin”, përfundon Saim Tahiraj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat