Provokimet nga ana e Serbisë nuk kanë të ndalur për Kosovën.
Ditë më parë presinenti serb Aleksandër Vuçiq kishte publikuar një fotografi, hartën e Kosovës të mbuluar me flamurin serb.
Ky erdhi si provokim për Kosovën pas atij veprimi të njëanshëm nga përfaqësuesi i BE-së Miroslav Lajçak.
Njohësi i çështjeve politike Sami Blakaj, për “Bota sot” ka deklaruar se, provokimi i Vuçiq erdhi siç duket pas frymëzimit nga i dërguari special i BE-së për dialog Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Fotoja e presidentit Vuçiç me Kosovën në flamurin serb është një provokim i rëndë dhe skandal në vete.
Megjithatë provokimi i presidentit serb me hartën e Kosovës nuk është skandali i vetëm i kohëve të fundit. Muaj më parë një skandal i ngjajshëm erdhi edhe nga i dërguari special i BE-së për dialog Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili siç duket e ka frymëzuar, e që besa edhe trimëruar presidentin Vuçiç për ta bërë provokimin e radhës”, ka thënë Blakaj.
Ai për dy veprimet thotë se janë nxitëse dhe shumë të dëmshme për procesin e dialogut.
Sipas tij, me këto provokime normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk avancohet.
“Veprimet e tilla të njëanshme dhe provokuese si nga përfaqësuesi i BE-së ashtu edhe nga presidenti i Serbisë janë veprime nxitëse dhe shumë të dëmshme për procesin e dialogut. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk avancohet me provokime dhe trillime të tilla. Ky proces mund të ketë sukses vetëm nëse palët përqendrohen në realitet dhe ne njohjen reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, përfundon Blakaj.