“Ndryshimi i madh po ndodh në LDK”, veprimtari jep paralajmërimin e fortë për Lumir Abdixhikun

Politika

“Ndryshimi i madh po ndodh në LDK”, veprimtari jep paralajmërimin e fortë për Lumir Abdixhikun

Nga: P.R Më: 21 mars 2021 Në ora: 21:40
Lumir Abdixhiku

Formimi i Kryesisë së re të LDK-së dhe mbetja jashtë saj e disa prej figurave të gardës së vjetër të LDK-së, ka nxitur shumë reagime në opinionin publik në Kosovë.

Lidhur me zhvillimet në LDK dhe pritjet nga kryesia e re, për gazetën “Bota sot” ka folur veprimtari dhe ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

“Procesi i ristrukturimit të LDK-së është përmbyllur me zgjedhjen e organit të fundit drejtues të LDK-së: Kryesisë së saj të re. Ky proces në pamje të parë ka krijuar përshtypjen sikur gjithë qëllimi i procesit ishte ruajtja e statukuosë, domethënë shmangia e një debati të fortë që mund të shkaktonte edhe tronditjen e forcës më të vjetër të partisë shtet formuese në vend. Dhe në fakt një gjë e tillë është arritur, domethënë, LDK ka realizuar një proces të brendshëm ku ka mbizotëruar nevoja për ruajtjen e ekuilibrave mes liderit që është larguar të Akademik Isa Mustafës si dhe grupit mbështetës të tij dhe liderit të ri, Prof. Lumir Abdixhiku”, thotë Latifi për “Bota sot”.

Image
Haki Latifi

Sipas tij, modeli militant i LDK-së, LDK po kalon në organizimin e tipit menaxherial.

“Në të vërtetë ky akt është një përpjekje e kryetarit të ri të LDK-së, Prof. Lumir Abdixhiku për të ndryshuar modelin organizativ të LDK-së dhe duket se pikërisht këtu qëndron ndryshimi: nga modeli militant i LDK-së, po kalon në organizimin e tipit menaxherial. Ndoshta është vlerësuar si ndryshim i modelit rrënjësor për një strukturë politike siç është LDK . LDK si parti historike e organizuar në një moment historik si lëvizje për shtet-formim, e përcaktuar ideologjikisht si parti që mbronte disa vlera dhe standarde demokratike, e transformuar më pas në një parti e tipit lider, po shndërrohet në një model që i përgjigjet më shumë konceptit të “tregut politik”, që sipas Schumpeter-it karakterizon formacionet politike amerikane. Partitë që i përshtaten konceptit të tregut politik janë parti të organizuara jo mbi bazën e militantizmit dhe përfaqësimit politik e ideologjik, por mbi bazën e ofertës elektorale”, thekson Latifi.

Më tej, Latifi shton se ndryshimi po ndodh në LDK pas zgjedhjes së Lumir Abdixhikut kryetar.

“Nuk mund të thuhet nëse një zgjedhje e tillë është e drejtë apo e gabuar, madje nuk mund të thuhet as se njëri model është më i mirë se tjetri. Një gjë është e sigurt, kalimi nga njëri model te tjetri e dobëson karakterin ideologjik të LDK-së. Siç po shihet LDK me ndryshimet e modelit të tipit menaxherial synon më shumë konsensusin elektoral për çështje të caktuara ose për një moment të caktuar, sesa homogjenizimin historik me shtresa të caktuara sociale. Nëse kjo është zgjedhja e drejtë apo e gabuar, përcaktohet sipas parimeve menaxheriale: rezultati elektoral. Kjo mbetet për t’u parë, por ndërkohë ndryshimi po ndodh”, shprehet Haki Latifi.

“Nuk më ka pëlqyer kurrë të komentoj për emrat dhe nuk kam ndërmend ta bëj tani. Secilit prej të zgjedhurve i uroj punë të mbarë dhe suksese, sepse mirëkuptoj ambicien dhe dëshirën e tyre për të bërë përpara në karrierën politike. Është gjëja më normale dhe më e natyrshme. Ata janë në të drejtën e tyre të tregojnë në të ardhmen se e kanë merituar detyrën që u është besuar. Tek e fundit, ata nuk kanë asgjë përgjegjësi për procesin, i cili, sipas meje, ishte shumë larg asaj që pritej nga Lidhja Demokratike e Kosovës . Ndaj nuk shoh asnjë arsye për t’u krenuar e aq më pak për të thënë se ky është gati revolucion, nga i cili të tjerët duhet të marrin shembull”, shton veprimtari Latifi për “Bota sot”.

Ai bën thirrje që anëtarësia e LDK-së duhet t’i japë mbështetje Lumir Abdixhikut dhe Kryesisë së re.

“Mendoj se LDK ende nuk ka arritur të krijojë modelin e një partie moderne, e cila vendos një standard të ri për një garë bashkëpunuese dhe një mekanizëm karriere, që bazohet te vlerat dhe kontributet reale të anëtarëve të vet. Por një gjë duhet ditur, se Kryetarit të ri dhe kryesisë së re të LDK-së, (më e mirë apo më e keqe, koha do të tregoj), i duhet dhënë mbështetje maksimale nga cilido anëtarë, veprimtar, apo kushdo tjetër që e don LDK-në , sepse LDK kurrë më keq s’ka qenë dhe përgjegjësia e tyre është shumë e madhe”.

Latifi thekson se LDK ka nevojë për një pakt të madh, në mënyrë që të jetë e unifikuar.

“Unë mendoj se ka nevojë për një pakt të madh, për një konsensus të madh të të gjithë faktorëve dhe aktorëve politikë në LDK, duke filluar me ish kryetarët, Prof. Fatmir Sejdiu, Akademik Isa Mustafa, duke vazhduar me të gjithë ish- ministrat, me të gjithë deputetët, me të gjithë zyrtarët dhe funksionarët e LDK-së për të identifikuar e pranuar me vetëdije dhe përgjegjësi të lartë politike mekanizmin transparent që lejon matjen në parti dhe në publik të popullaritetit të kandidatëve eventualë për zgjedhjet e ardhshme në kushtet kur në vend nuk votohet prej shumë kohësh për emra. Ka mjaft çështje të tjera që kërkojnë një pakt të lirisë dhe përgjegjësisë në partinë më të vjetër shtet-formuese. Për të mbyllur me përemrin vetor, ashtu siç ka një “unë” që është më i rëndësishëm se shumica, ka një “ne”, ku individët qëndrojnë bashkë, duke pranuar dëshirat dhe opinionet e secilit, pavarësisht nga mospajtimet”, nënvizon Latifi.

“Kjo duhet të jetë LDK e themeluesit të saj Dr. Ibrahim Rugova, kjo është e djathta, kur liria dhe marrëveshja, diversiteti dhe bashkimi si anë të së njëjtës medalje shkëmbejnë përparësitë sipas rrethanave. Për rikthimin e LDK-së në forcën kryesore të marrjes së përgjegjësisë të rindërtimit dhe integrimit të vendit, ka nevojë për më shumë dashni nga anëtarësia tradicionale besnike. Mjafton ta duash LDK -në përtej inateve me disa, ndjenjës së hakmarrjes ndaj dikujt apo nevojës fëminore për të luajtur luftash në oborrin e lagjes”, përfundon për “Bota sot”, veprimtari dhe ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat