Qeveria Kurti punë e kryer, hakmarrja fillon ndaj Vjosa Osmanit – kush janë deputetët SHIK në Kuvendin e Kosovës?

Politika

Qeveria Kurti punë e kryer, hakmarrja fillon ndaj Vjosa Osmanit – kush janë deputetët SHIK në Kuvendin e Kosovës?

Nga: N.Sh Më: 22 mars 2021 Në ora: 10:16
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Sot Kuvendi i Kosovës, ka filluar të mblidhet në seancë plenare dhe do të zgjedhë kreun e Kuvendit e pastaj do të votojë qeverinë e re, atë që tashmë quhet si Qeveria Kurti 2.

Tashmë kur janë projektuar shumica e emrave të kabinetit të kësaj qeverie, duket se do të ketë një kombinim midis emrave të qeverisë Kurti 1 dhe emrave të rinj.

Për krijimin e qeverisë votat janë të mjaftueshme. Kështu thotë profesor dr. Enver Bytyçi.

Ai për gazetën “Bota sot”, pohon se, ndoshta për herë të parë do të kemi një qeveri të votëbesuar nga një parti politike dhe disa deputetë të disa partive tjera të minoriteteve jo-serbe.

“Si rrallë herë më parë krijimi i kësaj qeverie nuk kushtëzohet nga votat e Listës Serbe, çka do të thotë se Beogradi do të ketë shumë pak mundësi të interferojë në vendimmarrjen e saj. Nga sa shoh, krijimi i qeverisë po realizohet në një afat të shpejtuar krahasuar me krijimin e qeverive të mëparshme. Për krijimin e qeverisë Kurti 1 u deshën më shumë se katër muaj. Ndërsa kjo qeveri po krijohet në pesë javë. Kjo është pasojë e vullnetit të sovranit, sepse votoi me shumicë dërmuese Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën e Vjosa Osmanit. Është pasojë e një klime dhe kimie bashkëpunimi të pa dëshmuar më parë midis dy personaliteteve që e udhëhoqën fushatën elektorale, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit Kemi një risi në krijimin e dy institucioneve kryesore: Qeveria merr besimin në parlament para se sa të votohet kreu i shtetit. Kjo do të thotë se kryeministri do të dekretohet nga presidentja në detyrë. Dhe ndodh kështu ndoshta se kërkohet që në drejtimin e vendit nuk do të duhej të ishte qeveria aktuale, nëse dështon zgjedhja e parlamentit dhe Kosova shkon në zgjedhje të reja. Është edhe një mesazh që të lehtësojë zgjedhjen e presidentit/es, sepse kur krijohen institucionet e tjera dhe mbetet vetëm zgjedhja e kreut të shtetit, atëherë presioni për opozitën rritet që të mbajë qëndrime konstruktive”, thotë ai.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Profesori shton se, sigurisht që pas formimit të qeverisë partitë politike parlamentare do të angazhohen për zgjedhjen e presidentit/es.

“Kandidate e mazhorancës është Vjosa Osmani, madje e shpallur si e tillë që në fushatën elektorale të shkuar. Zgjedhja e saj kërkon ose 2/3 e votave, ose 61 vota në raundin e fundit, nëse opozita qëndron në sallë. Është vështirë të pretendohet që Vjosa Osmani të zgjidhet si president me 80 vota, sepse opozita nuk do të pajtohej me këtë. Në një vend të civilizuar e me demokraci të zhvilluar, nëse dikush me mbi 300 mijë vota si deputet në listë, do të votohej pa vështirësi për këtë post edhe nga opozita. Por në Kosovë ndryshojnë qëndrimet politike, nuk kemi një klasë politike të civilizuar në atë shkallë. Ka shumë deputetë të parlamentit të sapozgjedhur, të cilët nisen nga inatet personale ose nga e kaluar e tyre e dyshimtë dhe nuk pranojnë të votojnë presidenten. Disa emra janë të ish-SHIK-ut, disa janë të korruptuar dhe kjo pjesë bën presion të madh te drejtuesit e partive. Këta emra janë më të shumtë te Partia Demokratike. Ndërsa te Lidhja Demokratike ka disa që kërkojnë hakmarrje ndaj Vjosa Osmanit dhe shfrytëzojnë rastin që këtë hakmarrje ta realizojnë me mundësinë për të mos e votuar ose bojkotuar zgjedhjen e saj. Kjo sepse largimi i saj nga LDK u shkaktoi atyre humbjen përgjithmonë të pushtetit dhe privilegjeve të tij. Ndërkaq dy kryetarët e partive kryesore, Enver Hoxhaj dhe Lumir Abdixhiku, të ardhur rishtazi në krye të partisë, nuk kanë asnjë mundësi praktike që në këtë fazë t’u kundërvihen këtyre elementëve destruktivë brenda partisë së tyre”, pohon Bytyçi.

Ai tutje shton se, ndryshe qëndron puna me AAK-ne, në të cilën Haradinaj ka pushtet të konsoliduar. Kjo parti, sipas tij, edhe pse në opozitë, jam i bindur se do të jetë e pranishme në seancën e zgjedhjes së presidentes. Megjithatë nuk bëhen 80 vota edhe me deputetët e AAK-së. Atëherë çfarë do të ndodhë?!

“Do të duhet që Lidhja Demokratike të dëshmojë pjekuri e solidaritet me Vjosa Osmanin. Koha dhe votuesit i dhanë asaj të drejtë në konfliktin që ajo pati me Isa Mustafën. Nëse LDK reflekton ndaj kësaj situate dhe kërkon të dëshmojë para publikut se reflekton, atëherë deputetët e saj duhet së paku të jenë prezent në seancën e zgjedhjes së presidentes. Kjo formë zgjidh krizën dhe eviton çuarjen e vendit në zgjedhje të reja. Dhe besoj se kjo do të ndodhë. Mundet ndonjë deputet i LDK-së të bojkotojë, por koston do ta paguajë vetë. Në përfundim mendoj se presidentja e vendit, pra Vjosa Osmani në këtë detyrë, do të zgjidhet një ose dy javë pas formimit të qeverisë. Kësisoj Kosova do të krijojë institucione të qëndrueshme dhe në harmoni me vullnetin e qytetarëve të vendit. Kjo do ta lehtësojë përparimin dhe prosperitetin e saj dhe do të krijojë kushte për konsensus në reforma dhe sidomos në dialogun me Serbinë”, përfundon prof. Dr. Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat