Imazhi i Kosovës, njohjet dhe integrimi ndërkombëtar, në duart e Donika Gërvallës

Politika

Imazhi i Kosovës, njohjet dhe integrimi ndërkombëtar, në duart e Donika Gërvallës

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 26 mars 2021 Në ora: 10:18
Donika Gërvalla

Të hënën është bërë konstituimi i legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Kosovës, me kryetar Glauk Konjufcën. Më pas, po të njëjtën ditë është votuar Qeveria Kurti 2, me kryetar Albin Kurtin.

Kjo qeveri do t’i ketë 15 ministri.

Kështu, zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë Kurti 2, është caktuar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministre si dhe Ministre e Punëve të Jashtme është caktuar Donika Gërvalla.

Ndërsa, zëvendëskryeministre nga radhët e komuniteteve jo shumicë është caktuar Emilja Rexhepi.

Mirëpo se sa ka shpresë se Donika Gërvalla si ministre e punëve të jashtme të kthjellë diplomacinë e Kosovës? Cilat janë pritjet nga ajo dhe sfidat që do t’i ketë ajo si ministre?

Përmes Gërvallës do të kemi rastin të krijojmë një imazh tjetër jashtë vendit

Lidhur me këtë, doktori i shkencës dhe ligjëruesi i gjeopolitikës në Paris Mirsad Voca, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Gërvalla njeh mirë politikën e jashtme, pasi që ajo shumë herë ka reaguar ndaj çështjeve që preokuponin Kosovën në afirmimin e saj ndërkombëtarisht.

Image
Mirsad Voca

Sipas tij, ende ka pritje për organizimin dhe funksionimin e MPJ-së që të rishikohen dhe adresohen sa më shpejtë, që të ketë përforcim brenda MPJ-së.

“Donika Gërvalla është një Zonjë shumë mirë përgatitur, me një kulturë të gjerë dhe shumë të pasur, e cila njeh jashtëzakonisht mirë politikën e jashtme. Duke pasur parasysh punën e saj të palodhshme e që shtrihet në dekada për çështje kombëtare e sidomos atë të Kosovës, ajo shumë herë ishte shembull i veçantë në atë se si duhet reaguar ndaj çështjeve të ndryshme që preokuponin Kosovën në afirmimin e saj në arenën ndërkombëtare. Natyrisht pas këtyre dy dekadave “shkel e shko” gjatë të cilave është bërë pak punë ndërsa janë dhënë shumë fjalë, pritjet janë shumë të mëdha në çdo dikaster, si në sferën e organizimit po ashtu në atë të funksionimit të tyre. Fillimisht besoj se pritjet janë pra që organizimi dhe funksionimi i MPJ-së të rishikohen dhe të adresohen sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të ketë së pari përforcim dhe harmonizim të plotë të brendshëm në MPJ”, ka deklaruar Voca.

Tutje, ai ka shtuar se pritja tjetër është që të rishikohet kori diplomatik, për të krijuar kushte siç parashikohen me ligj, kështu duke i tërhequr figurat që kanë përfunduar mandatin ose nuk kanë kaluar asnjë kurs.

Sipas tij, në këtë kuadro duhet identifikuar njerëz që kanë mbaruar studimet në shkenca politike, që flasin dy gjuhë të huaja dhe që kanë motiv për t’i shërbyer vendit edhe jashtë.

Propozimi i Vocës është që të krijohet edhe një Akademi diplomatike, për kultura dhe tradita të shërbimit diplomatik.

“Besoj se pritja tjetër do të ishte që kori diplomatik i Republikës së Kosovës të rishikohet, për të krijuar kushte për një shërbim të denjë të karrierës në diplomaci ashtu siç parashikohet me ligj. Figura që kanë tejkaluar mandatin, të emëruara politikisht dhe ato pa kaluar asnjë konkurs, patjetër që duhet të tërhiqen sa më parë nga shërbimi diplomatik. Pastaj, ka nevojë prioritare që në këtë shërbim të bëhet një lloj rivlerësimi i të gjithë atyre që janë në shërbim diplomatik lidhur me performancën e tyre. Meqë, rishikimi i kuadrove në këtë shërbim është po ashtu një urgjencë, patjetër që duhet identifikuar njerëz me dinjitet, kulturë të gjerë, dhe që mundësisht kanë mbaruar studime në shkenca politike apo edhe më mirë në gjeopolitik apo diplomaci e që flasin të paktën dy gjuhë të huaja, e mbi të gjitha që kanë motiv të lartë për t’i shërbyer vendit jashtë. Po ashtu, do të ishte investim shumë me vend krijimi i një Akademie diplomatike sepse do të krijonte një kulturë dhe traditë të shërbimit diplomatik”, ka theksuar ai.

Rritja e numrit të njohjeve dhe integrimi ndërkombëtar

Më tej, ai ka thënë se gjatë mandatit të saj, Gërvalla duhet të përcaktojë një mision lidhur me atë se çfarë ka nevojë Kosova, kështu duke u nisur nga rritja e numrit të njohjeve dhe integrimi ndërkombëtar.

Ai thotë se me Gërvallën do të kemi rastin për të krijuar një imazh tjetër jashtë vendit, dhe që luan rol në afrimin e Kosovës në frymën demokratike perëndimore.

“Sa i përket mandatit katër vjeçar besoj se Shefi i diplomacisë e në këtë rast Zonja D. Gërvalla, do të duhej patjetër që të përcaktojë një Mision përgjatë këtij Mandati, në koordinim të plotë me Kryeministrin dhe Presidentin e Vendit. Lidhur me atë se çfarë mund të jenë pritjet në këtë aspekt, mund të them se Kosova ka nevojë, duke u nisur nga rritja e numrit të njohjeve dhe afirimimi e integrimi i saj në arenën ndërkombëtare, lobimi në fusha të ndryshme si në sjelljen e investimeve ashtu dhe në perfocim të lidhjes me Diasporën si resurs i pazëvendësueshëm për Kosovën, me të cilën ndërlidhet ngushtë edhe vet funksionimi i saj. Besoj se Zonja D. Gërvalla do të jetë mjaft e Zonja t’i adresoj të gjitha prioritetet në këtë dikaster të rëndësishëm përmes të cilit do të kemi rastin të krijojmë një imazh tjetër jashtë vendit dhe pranë shteteve mike, imazh i cili luan rol të veçantë në afirmimin, afrimin dhe integrimin e Kosovës në frymën demokratike perëndimore”, ka përfunduar Voca për gazetën “Bota sot”.

Shahu: Gërvalla ka qenë prokurore e rreptë, por tani i duhet të bëhet avokatja e Kosovës

Ndërsa, analisti Rexhep Shahu, ka theksuar se Gërvalla nuk është nga Kosova, prandaj edhe mund ta ketë të vështirë të jetë pjesë e një ushtrie ku nuk ndihet vetja. Ai thotë se Gërvalla ka qenë prokurore e rreptë, por tani i duhet të bëhet avokatja e Kosovës e të ndërtojë imazh tjetër për Kosovën.

Image
Rexhep Shahu

“Donika Gërvalla vjen si e huaj në krye të diplomacisë së Kosovës, ajo jeton në Gjermani dhe Kosovën nuk e njeh si një grua që jeton përditë në Kosovë. Ajo vjen në një qeveri jo të djathtë siç e konsideron veten Donika, por në një qeveri të majtë. Në një qeveri që ka e lejon deputetë të saj të betohen në zot e jo në Kushtetutën e Kosovës. Pra, mendoj se Donika do ta ketë të vështirë të jetë gjithmonë ushtare e një ushtrie ku nuk ndjehet e vetja. Ajo siç ka treguar veten ndër vite, i përkiste ushtrisë së LDK-së. Por për post e karrierë u bë me Albinin. Donika ka qenë prokurorja e rreptë duke ngritur akuza në opinionin evropian e më gjerë se Kosova është djep i krimit, korrupsionit, është zi e më zi, aq shumë akuza sa të huajt e donin dhe mbronin Kosovën më shumë se Donika e ata që e akuzonin dhe përbaltnin Kosovën në botë. Tani i duhet të bëhet avokatja e parë e Kosovës e ta mbrojë Kosovën në botë, të ndërtojë imazh tjetër për Kosovën”, ka deklaruar Shahu.

Ai thotë se do të shohim se a do të krijojë Donika hapësira që të lartësohet Kosova.

Sipas tij, tani Gërvalla dhe Kurti nuk duhet hequr gur nga shteti i Kosovës, sepse është i krijuar me gjak dhe me mund të atyre që kanë vdekur dhe atyre që janë gjallë.

Sipas Shahut, Donika daljen e parë duhet ta bëjë në Jerusalem, sepse diplomacia dhe mbrojtja e  Kosovës fillon atje.

“Kur nuk i bën dëm askujt e në emër të Shoqatave "asgjë askujt" bota të përkëdhel, të jep mikrofon, podiume, të lë të flasësh, por ta shohim tani si ministre të jashtme a do të ketë hapësirë, a do t’i krijojë hapësirat që të lartësohet Kosova nga Donika e qeveria Kurti. Askush asnjëherë më, që nga 1999, për shumë kohë nuk do ta vendosë Kosovën në faqe të parë të gazetave të botës e në lajmin e parë a të dytë siç e vendosi presidenti Trump kur ia lëshoi disa kohë Kosovës Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, dhe u bë kumbara për Kosovën e Izraelin. Tash Donikës e Donikave e Albinit i duhet veç mos me heq asnjë tullë apo gur nga shteti i Kosovës se është i bërë shteti i Kosovës, është i krijuar, i ndërtuar me gjak e mund të jashtëzakonshëm të atyre që kanë vdekur e të atyre që janë gjallë, të miqve të Kosovës e të lotit të burrave e grave, kaq i duhet Donikës. Dhe daljen e parë nga Kosova Donika duhet ta bëjë për në Jerusalem te Ambasada e Kosovës atje. Se atje fillon diplomacia e saj dhe mbrojtja e Kosovës. Dhe e ardhmja jonë”, përfundoi Shahu për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa juristi Blerim Burjani, ka thënë se mbetet të shihen prioritetet e kësaj qeveria, derisa shton se e rëndësishme është paraqitja e vizionit programor e më pas synimet e saj, por ajo duhet të shpalos edhe aktivitetet e saj për të udhëhequr këtë.

Image
Blerim Burjani

“Mbetet për tu parë aktiviteti i saj se çfarë rruge do të ndjek në diplomaci dhe cilat janë prioritetet e kësaj qeverie në udhën e diplomacisë. Pra, me rëndësi është të paraqet vizionin programor të kësaj ministrie, pastaj a do të pastrojë këtë sektor të diplomacisë familjare e partiake të deritashme, pra a do të tërheq të gjithë ambasadorët politik. Duhet të shohim synimet e saj dhe të kësaj qeverie, pra kjo qeveri duhet të ketë programin e punës apo pjesën programore, për të udhëhequr këtë dikaster ajo duhet të shpalos aktivitetet e saj”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat