A duhet të ketë sërish mbyllje të vendit? Flet kryetari i Obiliqit

Politika

A duhet të ketë sërish mbyllje të vendit? Flet kryetari i Obiliqit

Nga: A.Z Më: 29 mars 2021 Në ora: 15:56
Xhafer Gashi

Kohët e fundit, rastet me COVID-19 janë vazhdimisht në rritje. E rritje të rasteve ka edhe në komunën e Obiliqit.

Lidhur me situatën pandemike, kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se gjatë kësaj kohe pandemike, si komunë kanë koordinuar veprimet që ta kenë situatën në kontroll.

Ai ka thënë se objektin e QKMF-së e kanë shndërruar në ambulantë antiCovid-19 për trajtimin e pacientëve të prekur nga virusi dhe po ashtu ka thënë se kemi filluar edhe me subvencione për qytetarët e prekur nga COVID-19, si dhe për familjarët viktimave që humbën jetën nga COVID.

“Covid-19 një pandemi globale, me të cilën ka hasur vështirësi e gjithë bota, ne si institucion komunal përmes mekanizmave antiCovid-19 (shtabit emergjent lokal) kemi koordinuar të gjitha veprimet tona për një situatë në kontroll. Aktualisht kemi rritje të numrit të rasteve të infektuara me Covid-19, por situata është e menaxhueshme, ne kemi shndërruar objektin ndihmës të QKMF-së në ambulanten antiCovid-19 në të cilën qytetarët e prekur me Covid-19 marrin trajtimin për luftimin e këtij virusi, po ashtu, qytetarëve të prekur ju ofrojmë ndihmë me pako ushqimore dhe higjienike. Me një vendim kemi filluar subvencionimin e qytetarëve të prekur me Covid-19 me nga 100€, ndërsa për qytetarët që humbin jetën me këtë virus, familjarët e tyre subvencionohen me nga 300€, ku me këtë rast shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të gjithë familjarët që kanë humbur më të dashurit e tyre nga ky virus”, ka thënë Gashi.

Ai ka theksuar se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm në respektimin e masave.

Ndërsa, lidhur me atë se a duhet të ketë mbyllje përsëri, ai ka thënë se është përgjegjësi e mekanizmave shtetëror antiCovid-19.

“Vlerësoj se qytetarët duhet të jenë më të kujdesshëm në respektimin e masave antiCovid-19, mbajtja e maskës dhe higjiena personale duhet te jenë të obligueshme si nevojë e domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit të vetvetes por edhe të familjes. Aleat kryesor në luftimin e kësaj pandemie e kemi qytetarin. Saj përket mbylljes apo masave të reja është përgjegjësi e mekanizmave shtetërorë antiCovid-19 (MSH-ja dhe IKSHPK-ja), me të cilët do të bashkëpunojmë ngushtë në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe parandalimit të përhapjes së këtij infeksioni me virusin Covid-19”, ka deklaruar Xhafer Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat