Kundërshtohet mbyllja totale, Kosova nuk ka kapacitet ekonomik

Politika

Kundërshtohet mbyllja totale, Kosova nuk ka kapacitet ekonomik

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 5 prill 2021 Në ora: 11:14
Prishtinë

Ishte paraparë që në vitin 2020 Kosova të shënonte rritje ekonomike rreth 4.0 për qind, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Këtë rritje ekonomike nuk e lejoi pandemia globale Covid19 me të cilën Kosova po përballet tash e një vit.

Kosova që nga marsi i 2020 ka shënuar rënie të mëdha ekonomike. Sipas statistikave, Kosova ka pasur një rënie prej 4.5 për qind gjatë vitit 2020. Gjatë vitit që e lamë pas, shumë biznese, sidomos gastronomia u goditën nga masat e marra për parandalimin e Covid19.

Pandemia globale po vazhdon edhe në vitin 2021. Në Kosovë, javëve të fundit është shënuar rritje e numrave të personave të prekur me virusin korona, po ashtu është rritur edhe numri i vdekjeve.

Për këtë, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar mbyllje totale. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ndërmarrin masa shtesë.

Për këtë, ministria Vitia ka zhvilluar disa takime për t’i shqyrtuar mundësitë për masat e reja që mund të ndërmerren për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Gjatë takimit të së shtunës, ndërmjet kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi me ministrin Vitia, ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari dhe ministrin e Ekonomisë, Hekuran Murati, është vendosur që të ketë mbyllje totale për 12 ditë për gastronominë.

Po ashtu, siç njoftoi Rukiqi do të miratohet vendimi për përkrahje financiare te bizneseve qe preken nga masat e reja.

Ndërkaq, të dielën, ministri Vitia ka pasur zhvilluar një takim virtual koordinues me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe me kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës. Gjatë këtij, takimi është diskutuar mbyllja totale, por disa nga komunat e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, pasi mund të shkaktojë dëme në ekonomi.

Kosova nuk ka kapacitet financiar për pako ekonomike

Image
Lekë Musa

Eksperti i ekonomisë, Lekë Musa, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se nga Qeveria nuk mund të ketë pako të rimëkëmbjes ekonomike, pasi nuk ka kapacitet teknik dhe financiar.

“Dhe nuk mund të këtë ekonomi me popullatë të rrezikuar dhe të sëmurë. Ndërsa ata duhet ta mbartin përgjegjësinë për humbjet ekonomike. Sa i përket pakove ekonomike, qeveria e Kosovës nuk po mundet të dizajnojë një pako të rimëkëmbjes ekonomike sepse s`ka kapacitet teknik dhe financiar”, ka thënë ai për “Bota sot”.

tej, Musa ka shtuar se deri tani është bërë disbursim në formë të ndihmave sociale.

“Ajo çfarë kemi parë deri me tani ka qenë një disbursim në formë të ndihmave sociale. Dhe një shpërndarje në formë të subvencioneve për të punësuar. Nuk ka një plan apo një ide se ku duhet të jetë rimëkëmbja fatkeqësisht”, ka shkuar ai.

Gjithashtu, Musa ka cekur se Kosova ka buxhet të limituar dhe se në këtë mënyrë nuk mund të ketë shpërndaje të ndihmave sikur vendet me fuqi ekonomike.

“Ne kemi një buxhet shumë të limituar dhe nuk mundemi kurrsesi të themi se kemi mundësi të shpërndajmë ndihma në formë siç e kanë bërë shtetet e forta ekonomike”, ka theksuar ai.

Musa ka theksuar se nëse ndodhë edhe një mbyllje tjetër në Kosovë, do të ishte katastrofale.

“Për këtë arsye përgjegjësia është e dyfishtë e politikes duke pasur parasysh këtë fakt që ekonomia jonë është për toke dhe një mbyllje tjetër do të ishte katastrofale”, ka deklaruar Lekë Musa për gazetën “Bota sot”.

Bizneset kanë nevojë përkrahje financiare

Image
Mustafë Kadriaj

Ndërkaq, Mustafë Kadriaj, njohës i çështjeve ekonomike, ka hedhur kritika ndaj qeverive të kaluara dhe qeverisë së re.

“Me qeverisjet e deritanishme jemi ardhur në një pikë ku shpresa për tu bërë mirë në Kosovë është vetëm një ëndërr prej atyre qeverive të korruptuara dhe të pashpresë, por tani po na servohet një kryeministër që frikëson me sjelljet e tij akrobatike e normal që varësit e tij nuk kanë si të veprojnë ndryshe para një lideri dhe një kryeministri autokrat”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Më tej, Kadriaj ka komentuar paralajmërimin e ministrit Vitia për masat e reja kundër Covid19.

Sipas tij, nuk ka nevojë edhe për një mbyllje tjetër, pasi që qytetarët dhe bizneset kanë nevojë për liri dhe përkrahje financiare.

“Kosova nuk ka nevojë për me kërcënime si lloji i ministrit Vitia duke paralajmëruar mbyllje por qytetari dhe bizneset kanë nevojë për liri dhe përkrahje financiare”, ka përfunduar Mustafë Kadriaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat