Përplasje për Ligjin për Zgjedhjet, nga diaspora kërkojnë që Kuvendi t’ua miratojë kërkesën

Politika

Përplasje për Ligjin për Zgjedhjet, nga diaspora kërkojnë që Kuvendi t’ua miratojë kërkesën

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 5 prill 2021 Në ora: 20:36
Kuvendi i Kosovës

Të premten e kaluar, me një seancë të jashtëzakonshme, Lëvizja Vetëvendosja tentoi të miratojë ndryshimet në ligjin për zgjedhje, ani pse një gjë e tillë u kundërshtua nga opozita.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, tentimin për ndryshime e quajti si mundësi vote për diasporën.

Gjatë mbledhjes së qeverisë kur i miratoi ndryshimet në ligjin për zgjedhje, kryeministri Albin Kurti u deklarua se ndryshimet “janë në funksion të garantimit të drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Kosovës”. Seanca për ndryshimin e këtij ligji, që i mundëson diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë, u mbajt para se deputetët të votonin për presidentin e ri të Kosovës.

Njohësit e fushës shprehen se ligji për zgjedhje për diasporën, duhet medoemos të ndryshohet sa më parë, në mënyrë që edhe mërgata të votojë nëpër ambasada dhe konsullata të Kosovës, ngase ky është edhe një obligim shtetëror i Kosovës, për respektimin e ligjeve të BE-së, konventat e të cilës parashohin edhe të drejtën e votimit të diasporës.

Mërgata dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend janë të mendimit se kërkesa e diasporës do të miratohet së shpejti në Kuvendin e Republikës së Kosovës, shkruan gazeta “Bota sot”.

Qarri: Ligji për zgjedhje për diasporën duhet medoemos të ndryshojë

Njohësi i çështjeve politike në vend, Gani Qarri, shprehet se është obligim shtetëror që të ndryshojë sa më parë ligjin për zgjedhje për diasporën.

Image
Gani Qarri

Qarri shpjegon se edhe konventat për të drejtat e njeriut parashohin votimin e diasporës.

“Duke ditur se mërgata e familjarizuar ndër vite e dekada, me jetën normale, veprimin e ligjit dhe të shtetit të së drejtës, në vendet me demokraci të zhvilluar evropiane dhe botërore, nuk do të votonte asnjëherë për figurat dhe segmentet e kriminalizuara në vend, pjesëtarët e mbetur nga kryesitë e vjetra të partive të inkriminuara, bëjnë çdo gjë, që të bllokojnë sa më gjatë votimin e diasporës shqiptare, në Ambasada dhe Konsullata të Kosovës, përkundër faktit se ato, tash e sa vite veprojnë në numër të mjaftueshëm në shumicën e shteteve ku graviton mërgata jonë. Ndaj, qysh në fillim duhet cekur se ligji për zgjedhje për diasporën, duhet medoemos të ndryshojë sa më parë, në mënyrë që ajo të votojë nëpër ambasada dhe konsullata të Kosovës, ngase ky është edhe obligim shtetëror i Kosovës, për respektimin e ligjeve të BE-së, konventat e të cilës parashohin edhe të drejtën e votimit të diasporës”, ka thënë Qarri për “Bota sot”.

Me tej, analisti Qarri ka shtuar se Kosova dhe ekzekutivi e ka për obligim t’i respektojë ligjet e BE-së, dhe t’i mundësojë mërgatës votimin në Ambasada dhe Konsullata.

“Për aq më tepër, në vet klauzolën e protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, thuhet qartë se për të gjithë shtetasit e një vendi, pavarësisht faktit se ku ata punojnë dhe jetojnë, është e garantuar e drejta për të votuar (aspekti “aktiv”) si dhe ajo për të kandiduar apo për të qenë kandidat në zgjedhje (aspekti “pasiv”)-(§§ 48-51;§ 102), gjë që, të paktën tani pas 21 vitesh çlirimi dhe mbi 13 sosh, nga shpallja pavarësisë, do duhej të hynte menjëherë në ligjin e zgjedhjeve edhe për shtetin e Kosovës. Madje, me gjithë kundërshtimin e partive të kriminalizuara, të cilat siç u pa së fundi, ende ruajnë primitivizmin e veprimit dhe qëndrimin jo vetëm përjashtues politik, por ndoshta tek disa figura të njohura për inkriminime të ndryshme edhe armiqësor ndaj mërgatës, Kosova e ka për obligim t’i respektoj ligjet e BE-së, dhe mundësoj mërgatës votimin në Ambasada dhe Konsullata të vendit”, ka thënë me tej ai.

Qarri ka potencuar se në vendin tonë, deputetëve të Kuvendit aspak nuk u intereson Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe as për të drejtën e mërgimtarëve për të marrë pjesë në votime.

“Figura të dyshimta, një pjesë e të cilave së shpejti edhe mund të ballafaqohen me ligjin për bëmat e tyre korruptive e kriminale, po dëshmojnë hapur, se megjithëse deputetë dhe pjesë e legjislativit, që si përfaqësues të popullit, mandati që mbajnë i obligon të jenë të parët, që u përmbahen dhe respektojnë rigorozisht rregullat ligjore e parlamentare, ata shkelin me të dy këmbët të gjitha parimet e deputetit dhe rregullat e Kuvendit, si organi më i lartë legjislativ i vendit, gjë që dëshmon se në postet që kanë, ata nuk i ka zgjedhur populli, por i ka katapultuar partia dhe as që janë në gjendje ta kuptojnë obligimin e mirëfilltë të deputetit, nuk u intereson fare për Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe as për të drejtën e mërgimtarëve për të marrë pjesë në votime. Krejt kjo nga frika se mund të humbin edhe ato pak privilegje, për të fshehur grumbullimin e pasurive të paligjshme gjatë viteve të kaluara, duke qëndruar në pushtet, apo pozita të ofruara si dhuratë nga partitë e inkriminuara në vend”, është shprehur Qarri.

Ai mes të tjerave ka treguar se kjo e drejtë u mohohet vetëm shqiptarëve të mërguar jashtë vendit, ani pse edhe pas kalimit të dekadave ata ruajnë me përkushtim, ndjesinë e pafund kombëtare dhe mbajnë me respekt të lartë, shtetësinë e Republikës së Kosovës

“Kështu që, përderisa në zgjedhjet e shpeshta gati vjetore, për të mos thënë edhe gjashtë apo vetëm disa mujore, që mbahen vetëm në Kosovë dhe askund tjetër në rajon, mund të votojnë edhe refugjatët serb nga Bosnja e Kroacia, të vendosur ilegalisht në Kosovën Veriore, si dhe policë e ushtarakë të ish sistemit okupator serb, bashkë me familjet e tyre, në Serbi, madje deputetë të dënuar me vendime të plotfuqishme gjyqësore, me votat e paligjshme të të cilëve krijohen edhe qeveri kundër- kushtetuese. Po t’u ishin vendosur bllokada të tilla edhe serbëve jashtë Kosovës, le të themi se do të ishte disi në rregull të përdoren kritere kaq të shtrënguara e bllokada të vazhdueshme arkaike që nuk përkojnë me kohën, gjendjen në vend as realitetin juridik, por vetëm për një votim të thjeshtë, t’i vihen kaq shumë pengesa vetëm mërgatës shqiptare shumica e të cilëve janë shtetas të devotshëm të këtij vendi, përderisa serbët nga Bosnja e Kroacia të vendosur ilegalisht në Veri të Kosovës, të cilët në vendet e tyre mund të kenë bërë edhe krime lufte, votojnë lirshëm brenda Kosovës për Listën serbe, dorës së zgjatur të Aleksandër Vuçiqit, si dhe serbët “refugjat” në Serbi, pa asnjë dokument të Republikës së Kosovës, kjo vërtetë është një ndër shkeljet më të rënda që mund t’u bëhen të drejtave dhe lirive njerëzore të shqiptarëve jashtë vendit edhe 21 vite pas dëbimit të Serbisë nga Kosova”, ka theksuar njohësi i çështjeve politike.

Analisti Qarri gjithashtu ka theksuar se siç veprojnë të gjitha shtetet tjera normale në Evropë dhe kudo, në botën mbarë edhe Kosova është e obliguar t’i hap Ambasadat dhe Konsullatat për mbajtjen e votimeve për diasporën.

“Ndaj, duke pasur parasysh faktin se edhe në nenin 3 të Protokollit nr.1, të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, përveç organizimit të zgjedhjeve brenda vendit, parashihet që shteti t’u garantojë mërgimtarëve mundësi të barabarta për votim, si dhe të krijojë kushte për shprehjen e vullnetit të lirë me votë, shtetasve të vet jashtë vendit, jo përmes talljes me “thirrje telefonike”, siç veproi së fundi zonja Daka, por duke hapur Ambasadat dhe Konsullatat e vendit, për organizimin e votimit të mërgimtarëve, siç veprojnë të gjitha shtetet tjera normale në Evropë dhe kudo, në botën mbarë edhe Kosova është e obliguar t’i hap Ambasadat dhe Konsullatat për mbajtjen e votimeve për diasporën. Madje, deshën apo jo figurat e inkriminuara dhe segmentet e krimit të organizuar në vend, Kosova tanimë është shtet, dhe jo provincë e partive dhe segmenteve të kriminalizuara, e cila ka për detyrë dhe është e obliguar,që të respektojë ligjet dhe Konventat e BE-së, nëse dëshiron të ecë drejtë integrimeve evropiane, parimet e të cilës e ka për obligim t’i inkorporojë edhe në ligjin për zgjedhje të Republikës së Kosovës, duke i mundësuar diasporës votimin në Ambasada dhe Konsullata kudo ato ndodhen në BE dhe gjithë botën, ndaj më mirë ta realizojë dhe përmbush këtë obligim, pa vonesa tjera të panevojshme”, ka deklaruar, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, për gazetën “Bota sot”.

Dedë Preqi: Kërkesa e jonë do të miratohet së shpejti në Kuvend

E opinionisti i njohur Dedë Preqi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se mërgatës është më se e nevojshme t’u bëhet e mundur që të votojnë në Ambasada dhe Konsullata.

Image
Dedë Preqi

Ai është shprehur i bindur se qeveria aktuale do ta marrë parasysh një kërkesë të tillë nga mërgata, shkruan “Bota sot”.

“Mërgatës tonë t’iu bëhet e mundshme që të votojnë në Ambasada dhe Konsullata, në ato vende ku jetojnë dhe veprojnë. Besoj se Qeveria e Kosovës, do ta merrte parasysh një kërkesë të tillë nga mërgata, me çrast këtij komuniteti do t’ia lehtësonte qasjen e votimit, por edhe do të parandalonte mënyrën dhe kontrabandimin e keqbërësve me votën dhe vullnetin e këtij komuniteti”, është shprehur opinionisti Preqi, për “Bota sot”.

Gjersa, tutje ka nënvizuar dhe është shprehur i sigurt se kërkesa e mërgatës shumë shpejt do të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Përndryshe, edhe unë jam i mendimit se kërkesa e jonë do të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë opinionisti që jeton dhe vepron në diasporë, Dedë Preqi.

Halili: Nuk është koha për eksperimente me qytetarin

Kurse, Prof.Asoc.Dr.Nijazi Halili, ndryshe nga Qarri dhe Preniqi, i konsideron si të nxituara nga ana e qeverisë veprimet për ndryshimin e ligjit, gjë e cila sipas tij, edhe ngjalli pakënaqësi dhe revoltë tek krerët e opozitës, duke i kundërshtuar kështu ashpër veprimet e qeverisë.

Image
Prof.Asoc.Dr.Nijazi Halili

“Një veprim i tillë për zgjedhjen e presidentit të vendit krijoi pakënaqësi ndërmjet pozitës dhe opozitës, duke rrezikuar kështu që Vjosa Osmani të mos mund të sigurojë kuorumin e nevojshëm për t’u zgjedhur presidente”, ka thënë fillimisht Halili për “Bota sot”.

Anëtari i Akademisë Shqiptare Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, është I mendimit se është momenti për zgjidhjen e problemeve të cilat e kanë ngulfatur shtetin dhe qytetarin që dy dekada.

“Pse me aq urgjencë ndryshimin e ligjit, a nuk ishte prioritet presidenti i vendit, uniteti, bashkëpunimi me subjektet politike, kohë për të krijuar stabilitet të brendshëm politik e luftë e përbashkët kundër pandemisë, pastaj sigurimi i vaksinës që kemi ngecur të fundit në ketë drejtim në rajon. A është kohë për të menduar për zgjedhje, mendimi im është jo, koha është për zgjidhje të 1100 problemeve të vendit që e kanë ngulfatur shtetin që dy dekada. Që njëzet vite në krizë duke e mashtruar ketë popull të mjerë hajt se një ditë do të bëhet mirë, por me ketë mentalitet e mos unifikim të subjekteve politike rreth kauzës së përbashkët kombëtare, veç jemi duke futur ketë vend me dy këmbë çdo ditë e ma tepër në krizë te thelle institucionale”, është shprehur ai.

Krejt në fund, analisti Halili ka bërë me dije se uniteti i skenës politike është rruga dhe çelësi i zgjidhjes se krizave të cilat e kanë kapluar vendin.

“Nuk është koha me bë eksperimente me qytetarin sepse ai i ka hallet e veta, mezi që është duke mbijetuar në ketë kohë pa kohë, kurse qeveria me veprimet e nxituar nuk po kërkon rrugë për zgjidhjen e problemeve, uniteti është rruga dhe çelësi i zgjidhjes se krizave të cilat janë si rezultat i trashëguar që dy dekada”, tha krejt në fund, analisti politik, Nijazi Halili për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat