Kritikohet ashpër deklarata skandaloze e Ardian Kastratit, nuk meriton të jetë profesor

Politika

Kritikohet ashpër deklarata skandaloze e Ardian Kastratit, nuk meriton të jetë profesor

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 7 prill 2021 Në ora: 09:01
Deputeti nga radhët e PDK-së, Ardian Kastrati

Pas një drame politike disa ditësh, më në fund me 4 prill Lëvizja Vetëvendosja në pushtet arriti t'i sigurojë votat e mjaftueshme për ta zgjedhur Vjosa Osmanin Presidente të Republikës së Kosovës.

Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit mori mbi 300 mijë vota nga qytetarët, për zgjedhjen e saj Presidente në kuvendin e Kosovës mori 71 vota, nga 82 deputetë sa morën pjesë në votim.

Por, zgjedhja e saj si Presidente e Kosovës, nuk është mirëpritur nga të gjithë njësoj. Natyrisht që opozita, më saktë PDK dhe AAK kundërshtimin e vazhduan edhe pas zgjedhjes së saj presidente.

Nuk munguan as fyerjet. Një postim i bërë në Facebook nga një deputet i PDK-së pak minuta pas zgjedhjes së presidentes, bëri bujë të madhe e u kritikua në masë të madhe.

Bëhet fjalë për deputetin e PDK-së, njëherësh edhe profesor në Universitetin e Prishtinës, Ardian Kastrati.

“Gjithmonë më ka pëlqyer shumë satira e Faik Konicës. Në një shkrim të botuar në ‘ Gazeta Dielli’ mes tjerash gjeta këtë përshkrim satirik të Konicës (për një ish zyrtare të lartë të Stambollit) që sonte më bëri të qesh me lot:

“…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit””, shkroi në Facebook dhe pak minuta më vonë e largoi atë nga rrjeti social, por që tashmë politikanë e analistë reaguan dhe e dënuan ashpër këtë.

Disa orë më vonë, ai reagoi sërish përmes një postimi në Facebook, duke thënë se postimi paraprak nuk kishte të bënte me askënd dhe se nuk e kishte përcjellur seancën për zgjedhjen e presidentit e as nuk e kishte përmendur asnjë emër në postimin e tij, por se kishte cituar Konicën.

Të nesërmen para rektoratit të UP-së u mbajt protestë nga shoqëria civile, e cila kërkoi dorëheqjen e Kastratit.

Ndërsa, rektorati i UP u distancua nga gjuha e përdorur e Kastratit.

Mehazi: Shembulli konkret se si nuk duhet të jetë një deputet e aq më pak një profesor

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike dhe profesori, Sulejman Mehazi, ka thënë se Kastrati me fjalorin e tij, është shembull se shkolla nuk të bën njeri, por edukata dhe se një i pa edukuar shprehet në këtë mënyrë ndaj presidentes Osmani, sepse një i edukuar nuk përdor shprehje të tilla ndaj gjinisë femërore.

Image
Sulejman Mehazi

“Shembull konkret se si nuk duhet të jetë një deputet, aq më keq se si nuk duhet të jetë një profesor universitar është deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati. Fatkeqësia më e madhe është kur akademiku me fjalorin e sjelljen e tij të pacipë tejkalon edhe gjallesat më të egra. Ardian Kastrati është shembull konkret se shkollimi e studimet nuk të bëjnë njeri, por edukata e sjellja të bën njeri. Vetëm një shpirt i prishur sikurse që është Ardian Kastrati, mund të shprehet në këtë mënyrë ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, shpirti i edukuar e i emancipuar kurrë nuk përdorë kësi shprehjesh sidomos ndaj gjinisë femërore”, ka theksuar ai.

Tutje, ai është shprehur se nga kjo shihet se Krasniqi, është i pa begatshëm për studentët, sepse fjalorin e tij nuk e durojnë as kafshët e lëre më studentët. Sipas Mehazit, Krasniqi nuk e meriton të jetë profesor universitar.

“Se intelektualizmi i Ardian Kastratit është krijuar pa emancipim të brendshëm moral, se është i kot dhe i pa begatshëm edhe për studentët. Se fjalorin ofendues të Ardian Kastratit ndaj Vjosa Osmanit nuk mund ta durojnë edhe kafshët më inteligjente e jo më studentët që protestojnë kundër satirës ofenduese të Kastratit ndaj presidentes së Kosovës. Si është e mundur që profesori universitar i filozofisë mos të dijë se dituria pa edukatë është e njëllojshme sikurse qumështi pa kajmak. Dituria ka të bëjë me qumështin, kurse edukata me kajmakun e diturisë. Ai duhet të di se qumështin pa kajmak se blenë e se do kush, njësoj sikurse studentët që se duan të ju mbajë ligjërata Ardian Kastrati i prishur në gojë. Ai se meriton të bëhet bari i dhenve e jo më profesor universitar”, ka shtuar Mehazi.

Lepaja: Përgjigjja më e mirë ndaj rastit të Kastratit është reagimi me kulturë

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se është kundër goditjeve të ulëta politike, por edhe për largimin nga puna dhe se nuk është e drejtë të komentohet pamja e një personi për motive politike.

Image
Fadil Lepaja

Sipas tij, deklarata e tij duhet të merret si kulturë e keqe në komunikim publik, kështu duke e injoruar atë.

“Jam kundërshtar i vendosur i goditjeve të ulëta në politikë. Sidoqoftë jam kundërshtar edhe i linçimeve dhe fushatave të turmave në mbrojtje të idhujve të tyre. Aq më tepër, të thirrjeve për largime nga puna dhe diferencimeve për këtë. Mendoj se është e gabuar të komentohet pamja e dikujt për motive politike. Aq hominem është mënyrë e gabuar e të argumentuarit dhe do të ishte mirë që të mos përdoret në skenën tonë politike e publike. Mendoj se kjo deklaratë duhet injoruar dhe të merret si një kulturë e keqe e komunikimit publik. Përgjigjja më e mirë për këto raste është reagimi me kulturë. Censura dhe fushatat e masave të gjera nëpër rrjete në mbrojtje të personaliteteve të ndryshme shpeshherë janë edhe më të vrazhda se vet arsyeja e mllefit të tyre”, ka deklaruar Lepaja.

Shahu: Kastrati të dënohet me ligj dhe jo nga turmat

Ndërsa, analisti Rexhep Shahu, ka deklaruar se nuk është reagim i natyrshëm dhe se më shumë bëhet për servilosje se për dashuri ndaj Osmanit. Sipas Shahut, turmat nuk tregojnë civilizim, ai thotë se në shtet ligjor duhet dënuar fajtori, ndërsa dënimet nga dhuna e turmave janë reminishenca diktatoriale.

Image
Rexhep Shahu

Ai shtoi se Kastrati duhet që këtë problem ta kalojë individualisht dhe se UP nuk është e nevojshme të sillet si organizatë e dikurshme punuese.

“U bë si histeri kundër pedagogut, u bë me dirigjim, me urdhër, nuk është reagim i natyrshëm, me shumë bëhet për servilosje se sa për dashuri ndaj presidentes. Pedagogu aludoi me një shkrim të Konicës. Konica nuk dënohet, aluduesi po. Atëherë duhen ftuar si ftoi Jezusi, kush nuk ndjehet mëkatar ta hedhë i pari gurin mbi profesorin. Histeria e turmave nuk tregon civilizim. Turmat dikur në Tiranë ia shkulen flokët Musine Kokakarit. Në një shoqëri e shtet ligjor të dënohet me gjykatë fajtori, dhe këto dënimet publike nga dhuna e turmave janë reminishenca diktatoriale. Ta padisë dikush profesorin dhe gjykata jep dënim ose drejtësi por jo turmat servile. Shteti ligjor nuk është shtet turmash. OJQ nuk janë për linçime për raste që nuk bëjnë kauza siç nuk kanë bërë. Ka pasur dhe raste të tjera kur turmat kanë heshtur se të cenuarat nuk kanë qenë presidente. Mendoj që profesori duhet ta kalojë individualisht problemin dhe nuk ka nevojë të sillet UP apo kushdo si organizatat e dikurshme punuese”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat