Ironia e opozitës që kërkon llogari nga Kurti për të bëmat e saj, të “këndellen” PDK dhe AAK

Politika

Ironia e opozitës që kërkon llogari nga Kurti për të bëmat e saj, të “këndellen” PDK dhe AAK

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 8 prill 2021 Në ora: 18:36
Albin Kurti, qeveria e Kosovës

Për 20 vjet me radhë, Kosova u udhëhoq nga LDK, PDK e AAK, përjashto 50 ditë të vitit të kaluar, që qeverisi Lëvizja Vetëvendosje.

E tani kur kjo e fundit ka ardhur në pushtet, duke formuar Qeverinë Kurti II, partitë deri tani në pushtet e tani në opozitë, për të gjitha të bëmat e deritanishme, por fajësojnë e po kërkojnë llogari nga Lëvizja Vetëvendosje.

Duket se ato po harrojnë se ishin pikërisht ato që kanë udhëhequr me vendin deri tani dhe e gjithë gjendja e krijuar, është falë tyre.

Pavarësisht se janë tani në opozitë, ato ishin tejet të ashpra me kandidaten për presidente Vjosa Osmani dhe derisa LDK vendosi që të qëndronte në sallë dhe të votonte, PDK dhe AAK nuk vepruan kështu.

Rrjedhimisht duket se nuk do të jetë një opozitë e bashkuar.

Për këtë mosbashkëpunim të partive opozitare ka reaguar edhe Politologu Belul Beqaj, i cili ka është shprehur i shqetësuar për qëndrimet e PDK-së dhe AAK-së, të cilat ai tha se nuk janë bashkëpunuese në raport me partitë e tjera.

Ai gjithashtu tha se të dy partitë duhet të jenë bashkëpunuese e në asnjë mënyrë të kërkojnë llogari prej VV-së sepse ato kanë qenë në pushtet për 20 vjet.

“Qëndrimi i LDK-së dhe pjesëmarrja në votim është pikënisje e mirë. Mua më shqetësojnë dy partitë e tjera, AAK dhe PDK. Qëndrimet e tyre nuk janë kooperative, nuk po kuptojnë se shkaqet e kësaj gjendje janë ata vetë, ata akuzojnë VV për diçka që do të bëjë. Nuk po e analizojnë mirë të kaluarën e tyre çfarë kanë bërë 20 vjet”, ka thënë Beqaj.

Ndërsa në lidhje me këtë temë njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehën se PDK dhe AAK duhet të këndellen dhe të mos kërkojnë llogari por të bashkëpunojnë me pozitën në mënyrë që të qytetarët e vendit të jenë në rend të parë.

Mehmeti: PDK dhe AAK të kërkojnë falje për gabimet që i kanë bërë përgjatë kohës sa ishin në pushtet

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti nga ana tjetër për “Bota sot”, u shpreh që PDK dhe AAK duhet të kërkojnë falje për veprimet e tyre që kanë bërë gjatë kohës kur ishin në pushtet.

Gjithashtu Mehmeti thotë se nuk është e drejtë të kërkohet llogari për dëmet që dikur i kanë bërë vet.

“Është ironike të kërkosh nga tjetri llogari për të bëmat që vet i kanë bërë, pikërisht për shkak të këtyre veprimeve edhe janë në opozitë. Me gjasë për shumë kohë, këto dy parti politike (PDK-AAK) duhet të fillojnë reformat pikë së pari duke pranuar gabimet e tyre, pastaj në kërkim falje dhe largim të të gjithë atyre që kanë abuzuar me pushtetin”, ka theksuar Mehmeti.

Analisti thotë se nëse vetëm kërkojnë falje atëherë mund të jenë opozita reale dhe të besueshme, përndryshe në këtë mënyrë vetëm po thellojnë mosbesimin tek qytetarët.

“Vetëm kështu mund të jenë opozitë reale, e besuar dhe me ndikim pozitiv. Ndryshe, vetëm sa e thellojnë mosbesimin tek qytetarët e cila do pasohet me ndëshkim edhe me të madh në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që mbahen”, ka nënvizuar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Ahmeti: Partitë opozitare duhet të jenë konstruktive në qëndrime e veprime

Image
Hidajet Ahmeti

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka folur në lidhje me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në vend dhe mos koordinimin e partive opozitare.

Ahmeti tha se partitë opozitare duhet të jenë racionale në veprim por edhe të bashkëpunojnë në aspektin institucional dhe se duhet të kontrollojnë çdo veprim që ato bëjnë .

Gjithashtu ai shton se Qeverisë Kurti 2 duhet t’i jepet kohë pasi që problemet në Kosovë janë akumuluara dhe duhet praktikë e mirë për të iu qasur.

“Qëndrimet e partive opozitare në raport me qeverinë e re janë jo racionale e as pragmatike, pasi realiteti faktik nga qeveritë e kaluara është pasqyra reale se si kanë qeverisur këto parti. Partitë opozitare duhet të jenë racionale në veprime, por edhe bashkëpunuese në aspektin institucional. Gjykoj se duhet t’i japin kohë dhe hapësirë Qeverisë Kurti 2, pasi problemet e akumuluara në Kosovë e kanë një emërues të përbashkët, keqqeverisjen që e kanë instaluar e praktikuar partitë të cilat aktualisht janë në opozitë. Mendoj se, partitë opozitare duhet të jenë konstruktive në qëndrime e veprime, jo të bëjnë veprime të pakontrolluara, të cilat nuk i ndihmojnë në proceset e rëndësishme që e presin Kosovën, por as vet atyre si parti politike”, është shprehur Ahmeti.

Më tej, analisti ka shtuar se ajo se çfarë do të duhej në këtë rast do të ishte një frymë bashkëpunuese të partive në mënyrë që të u jepet alternativë konkrete problemeve reale në Kosovë.

“Mundësia më mirë do të ishte instalimi i një fryme bashkëpunuese, konstruktive dhe duke dhënë alternative konkrete mbi problemet reale në Kosovë, ku realisht do të pasqyronin një qeveri nën hije paralele me qeverinë formale, duke dhënë një imazh tjetër natyre nga ato parti që ishin deri me sot. Çdo veprim jashtë kësaj logjike do ta mundësonte kryeministrin Kurti të qeverisë jo vetëm në këtë mandat, por me një fjalë të jetë i pakonkurrencë nga partitë opozitare dhe liderët e tyre”, tha Ahmeti për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat