Konfiskimi i pasurisë së jashtëligjshme/ Ish agjenti i SHIK-ut tregon se vetëm kur ndodhë kjo...

Politika

Konfiskimi i pasurisë së jashtëligjshme/ Ish agjenti i SHIK-ut tregon se vetëm kur ndodhë kjo...

Nga: P.R Më: 9 prill 2021 Në ora: 20:55
ilustrim

Koncept-dokumenti që parasheh hetim për pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme për të gjithë shërbyesit civil e zyrtarë të punësuar në institucionet publike, po e pret miratimin e Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtij dokumenti, i cili është iniciuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të gjithë shërbyeseve civil e zyrtarëve të punësuar në institucionet publike, do tu konfiskohet pasuria e pajustifikueshme.

“Sapo finalizuam dhe e proceduam në Qeveri koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme i cili i hap rrugë hartimit të projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, deklaroi ditë më parë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

E lidhur me procedimin e këtij koncept-dokumenti në Qeveri dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme, për gazetën “Bota sot” ka folur ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Image
Naim Miftari

“Sipas mendimit tim, duhet pastruar policia, prokuroria, gjyqësia, inteligjenca... Pastaj kuadrat e reja jo politike munden shumë lehtë me sjell vendime për konfiskime të pasurisë së zyrtarëve të lartë që pasuritë multi milionëshe i kanë bërë me korrupsion dhe zhvatje të shtetit, dhe pasurive të vendit tonë, duke filluar nga vjedhja 3 përqindëshit, e duke kaluar në fondin vendlindja thërret. Pse jo edhe pasurinë e familjes Thaçi, Lushtaku, Haradinaj, Mustafa, Veliu.... Askush nuk duhet me u kursy pasi në vendin tonë shumë mirë dihet kush është pasuruar me hajni e kush me djersë”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, po u pastruar organet e sigurisë, do të jetë e vështirë që të ndodhë konfiskimi i pasurisë së pajustifikuar.

“Besoj se Vetëvendosje. por edhe gjithë ata njerëz politik që e donë Kosovën do të kontribuojnë që drejtësia mos të pengohet, nuk është me rëndësi kush do jetë i dënuar, me rëndësi gjykimet me qenë të drejta e të pavarura politikisht, të kërkohet drejtësia dhe sundimi i ligjit, asgjë tjetër. E them se pa u pastruar policia, hetuesia, prokuroria, gjyqësia, inteligjenca... nuk ka mundësi mu dënu apo me iu konfisku milionat e vjedhur ndokujt”, thekson ish agjenti, Naim Miftari.

Për fund, Miftari ka deklaruar se duhet të ndiqen edhe gjurmët e parave të pista, që sipas tij, janë jashtë Kosovës.

“Kosova duhet të ndjek gjurmët e parave të pista që janë dal jashtë shtetit, Turqi, Panama, Katar, Gjermani, Zvicër. Duhet ndjekur paratë që janë investuar nga mafia në ndërtime me vend dhe pa vend, sidomos edhe tenderët e rrugëve, dhe transaksionet e AKM-së, ku yjet e dallavereve Ahmet Shala dhe Adem Grabovci do duhej të futeshin nën llupen e ligjit e hetuesisë, por jo nën llupen e hetuesve dhe prokurorëve që i ka zgjedh vet Adem Grabovci me urdhra të Pronto mafisë si Hashimit, Kadrisë, Ilmisë...”, ka përfunduar për “Bota sot”, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat