“Lufta” speciale dhe e frikshme ndaj Vjosa Osmanit, analistët: Është presidentja më legjitime pas Ibrahim Rugovës

Politika

 “Lufta” speciale dhe e frikshme ndaj Vjosa Osmanit, analistët: Është presidentja më legjitime pas Ibrahim Rugovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 11 prill 2021 Në ora: 08:15
Vjosa Osmani

Ditë më parë, me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.

Vjosa Osmani fitoi në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë.

Edhe pse nuk kanë kaluar më shumë se dy javë, ka filluar menjëherë “lufta” speciale kundër të parës së shtetit të Kosovës.

Përveç që nuk i dhanë mbështetje në ditën kur Osmani u zgjosh presidente e vendit, partitë opozitare; Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), po vazhdojnë me sulmet dhe deklaratat kundër saj.

Njohësit e fushës gjithë këtë e shohin si një skenar për ta dëmtuar imazhin e Vjosa Osmanit. Ata hedhin kritika për partitë që dikur ishin në pushtet, pasi nuk arritën për 21 vite të përpilonin asnjë padi kundër Serbisë.

Analistët konsiderojnë se presidentja është legjitime, pasi që është e votuar nga qytetarët dhe nga parlamenti i Kosovës sipas ligjit.

Bytyçi: Opozita duan që ta ndotin kryeministrin dhe presidenten

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se opozita në Kosovë jo vetëm e bojkotoi zgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente të vendit, por po vazhdon me arrogancë dhe pa asnjë lloj etike ta sulmojë atë politikisht e më shumë se politikisht.

Image
Enver Bytyçi

“Deklaratat e zotit Haradinaj, të zotit Hoxhaj, por edhe të pak ish-eksponentëve të Lidhjes Demokratike kundër saj kanë tejkaluar çdo kufi të logjikës, për të mos folur për racionalitet në këto deklarime. Vetëm logjikë dhe racionalitet nuk ka e nuk mund të ketë në diskursin opozitar në Kosovë kundrejt presidentes Osmani. Unë e kuptoj se Ramush Haradinaj kishte ambicien të bëhej president. Ishte dhe mbetet e drejta e tij. E kuptoj se Enver Hoxhaj është mësuar ta shohë në dy postet më të larta të shtetit shefin e tij, Hashim Thaçin dhe e ka të vështirë të ambientohet me uljen në krye të oxhakut të një gruaje, e cila ka luftuar me mish e me shpirt që politikisht ta rrëzonte Hashimin, pra shefin e zotit Hoxhaj. Dua gjithashtu ta arsyetoj kryetarin e PDK-së për luftën që i ka shpallur presidentes së vendit, sepse ka shumë gjasa që të jetë i urdhëruar ta bëjë këtë luftë. Por nuk e kuptoj pozicionin radikal të zotit Haradinaj, sepse ai është gatuar si person që nuk ndikohet nga dikush tjetër”, ka thënë Bytyçi.

Tutje, ai thekson se nëse Ramush Haradinaj e sheh Vjosa Osmanin si “armike” të tij, ai shprehet se lideri i AAK-së e ka gabim, pasi që Bytyçi thotë se si Ramushi dhe Vjosa ishin në të njëjtën llogore kur e mbrojtën Kosovën prej copëtimit të saj.

“Pra, nuk është se i ndan vizioni për Kosovën. Të dy janë për forcimin e shtetësisë së Kosovës. Pse do të duhet të përplasen kaq fort midis tyre? Se fitove t’i dhe jo unë?. Prisja që zoti Haradinaj në përfundim të garës të shkonte në zyrën e presidentes së vendit dhe ta uronte me gjithë zemër atë, siç di ai të urojë. Por fatkeqësisht ai di edhe të reagojë ashpër e me radikalizëm. Dhe pa arsye, pa shkak. Sepse presidenti ishte një garë. Garën e fitoi më 14 shkurt Vjosa Osmani. Këtë e kuptoi dhe Ramushi, i cili u duk se hoqi dorë nga konkurrimi. Sepse nuk mund të konkurrosh me të pakonkurrueshmen”, është shprehur ai.

Qëllimi i opozitës, sipas Bytyçit, është që përmes skenarëve t’i ndotin Kurtin dhe Osmanin.

“Kjo ishte logjika e sjelljes. Urimi ishte. Së paku pjesëmarrja në proces. Por, nuk ndodhi kështu. Ju e dini se kam besuar dhe kam thënë vazhdimisht se AAK do të ishte në parlament në zgjedhjen e kreut të shtetit. E kisha bindje. Kurrë nuk më shkonte ndërmend se Rambo sillej kësisoj kur është fjala për presidentin/en e vendit. Por ndodhi e kundërta. Kryetari i AAK-së u nervozua më shumë se më parë. Për nervozizmin e tij mori shkas nga “trafikimi” i deputetes së AAK-së. Kjo do të thotë se njësoj si Agim Veliu, PDK dhe Isa Mustafa, edhe zoti Haradinaj synoi që zgjedhja e Vjosës presidente të ndodhte me votat e Listës Srpska. Në këtë pikë të gjithë këta patën një të përbashkët: Donin që edhe Albin Kurtit t’i thoshin se “Edhe t’i ndërton institucionet me deputetët serbë”. Pra “edhe t’i je si ne”. Donin që ta ndotnin kryeministrin dhe presidenten”, ka vlerësuar më tej Bytyçi.

Madje, profesori Bytyçi tregon se ishte pikërisht Kurti dhe Osmani që e kuptuan lojën partive tjera, të cilat për vite bashkëpunuan me Listën Serbe dhe Beogradin.

“T’i akuzonin se “bashkëpunojnë me Beogradin”, kur janë vetë këta që për formimin e qeverisë kanë bashkëpunuar me Beogradin. PDK bashkëpunoi me Listën Srpska edhe për zgjedhjen e presidentit Thaçi. Këtë lojë e kuptoi Vjosa dhe Albini. Dhe kishin mundësi që për një deputet të mos e pranonin sfidën e opozitës. Prandaj iu drejtuan ndërgjegjes së deputetëve të opozitës dhe morën dy prej tyre në votimin e presidentes. Kishin më shumë mundësi. Për këtë jam i bindur. Por nuk deshën më shumë. Aq u mjaftonte. Tani ka ardhur momenti kur opozita të ulë armët dhe ta pranojë faktin se Vjosa Osmani është presidente e Kosovës. Madje ta pranojnë se ajo është presidente e unifikimit, e konsensusit dhe e unitetit. Sepse të tillë e ka bërë sovrani. Asnjë kryetar partie, dështak ose jo, nuk mund ta mohojë këtë. Ka ardhur koha të mblidhen, ta njohin dhe urojnë njëri-tjetrin, të shkëmbejnë mendime se si mund të përballohen së bashku sfidat që Kosova ka përpara. Nuk shkohet as te nevojtorja e oborrit me inate dhe sjellje prej politikanësh të fillimit të shekullit XX”, ka shtuar profesori.

Bytyçi ka shtuar gjithashtu se përkundër “luftës” speciale që po bëhet ndaj Vjosa Osmanit, kjo e fundit është legjitime dhe e votuar nga qytetarët e Kosovës.

“Presidentja është legjitime. Është e votuar nga qytetarët dhe nga parlamenti sipas ligjit. Madje është presidentja më legjitime pas Ibrahim Rugovës. Sa më shpejt të kuptohet kjo, aq më mirë është për opozitën e sidomos për Kosovën”, është shprehur profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, për “Bota sot”.

Krasniqi: 21 vite në pushtet nuk kenë në gjendje as një padi të përpilojnë kundër Serbisë

Ndërsa, analisti tjetër politik, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se subjektet të cilat udhëhoqën me vendin dhe të cilat po bëjnë kaq shumë zhurmë janë ato që s’kanë bërë asgjë për dëshmorët dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Image
Islam Krasniqi

“Vjosa Osmani ka bërë një gabim pse nuk e ka përmendur UÇK-në, mirëpo nuk ka qenë për të kritikuar apo bërë zhurmë kaq shumë sepse ajo atje ka shkuar për t’i nderuar dhe bërë homazhe heronjve të Kombit të cilët ishin ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Partitë të cilat po bëjnë kaq shumë zhurmë janë ato që s’kanë bërë asgjë për dëshmorët apo ushtarët e UÇK-së. Këtë e bazojmë në varrezat e dëshmorëve në Polac të Skenderajt që rreth 20 vite patën mbetur në mëshirën e kohës pa asnjë përkujdesje”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Krejt në fund, Krasniqi thekson se partitë që për 21 vite udhëhoqën me vendin, nuk ishin në gjendje as një padi të përpilojnë kundër Serbisë.

“E kemi Kullën e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujë Krasniqi, e cila ka filluar të ndërtohet që 20 vite dhe ka mbetur e pa përfunduar, ku një kat e kishte ndërtuar PDK-ja dhe një kat AAK-ja por nuk arritën për 20 vite ta përfundojnë. Fjalët nuk janë asgjë kur mungojnë veprat, ata mund të flasin të fyejnë, por vetë asgjë nuk benë për ta, 21 vite në pushtet nuk kenë në gjendje as një padi të përpilojnë kundër Serbisë e mos të flasim për tjera”, ka thënë krejt në fund, analisti politik, Islam Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat