Kërkohet shkëputje e plotë nga Kryesia e vjetër, analisti tregon se si mund të rikthehet LDK-ja

Politika

Kërkohet shkëputje e plotë nga Kryesia e vjetër, analisti tregon se si mund të rikthehet LDK-ja

Nga: A.Morina Më: 11 prill 2021 Në ora: 12:57
Kryetari dhe Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës me zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së re, po tenton reformimin e saj të brendshëm, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Se disa reforma veçse kanë filluar brenda LDK-së, e dëshmon fakti se shumica e deputetëve të këtij subjekti politik votuan për zgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani, duke përjashtuar deputetët si Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj.

Pas përfundimit të procesit të zgjedhjes së presidentit të vendit, nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, ditë më parë deklaroi se kjo parti ka shënuar rritje elektorale prej 5 përqind.

“Ne nuk iu jemi frikësuar mbajtjes së zgjedhjeve se nuk mund të kemi vota. Sondazhet që jemi duke i realizuar janë duke e paraqitur më mirë LDK-në se sa në zgjedhjet e 14 shkurtit”.

“Sipas sondazheve kemi një rritje prej pesë përqind të votuesve, ne do të kemi një rritje në zgjedhjet tjera”, ka thënë Mjekiqi.

Lidhur me këtë temë, për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri.

Ai tha se pavarësisht ndërrimit të kryesisë, LDK-së i duhet një reformim i thellë dhe një ndarje definitive nga kryesia e vjetër, në mënyrë që ta rifitojë peshën e humbur politike.

Image
Analisti politik, Gani Qarri

“LDK, si partia më e vjetër vendore, në fakt me gjithë humbjen e thellë historike, të pësuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, vazhdon të jetë bindshëm e pranishme në skenën aktuale politike të vendit, por që përveç ndërrimit të kryesisë, asaj i duhet medoemos edhe një reformim i thellë i brendshëm dhe ndarja definitive nga kryesia e vjetër, në mënyrë që të arrij të këndellet si duhet dhe ta rifitojë peshën e humbur politike që kishte dikur”, deklaroi Qarri.

Analisti tha se LDK tregoi konstruktivitet të pjesshëm në votimin e presidentit të vendit, pasi ata do duhej të votonin në mënyrë unanime për Vjosa Osmanin, siç kishin votuar për Hashim Thaçin.

“Madje siç u pa edhe në procedurën e votimit të presidentes së Kosovës, zonjës Vojsa Osmani, LDK si parti shtet formuese, tregoi sërish konstruktivitet të pjesshëm, të paktën duke qëndruar në sallën e Kuvendit, për të siguruar kuorumin e nevojshëm parlamentar, kur nga deputetët e LDK-së, dhe duhej unanimisht të votohej për Dr. Vjosën presidente, përderisa nën udhëheqjen e Isa Mustafës, ata votuan edhe për kuislingun Hashim Thaçin”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, Qarri tha se veprimet e Agim Veliut, Driton Selmanajt e Avdullah Hotit në seancën e zgjedhjes së presidentes Osmani, kanë zbehur aktin pozitiv të LDK-së.

“Mirëpo edhe pse LDK, ishte e pranishme, mos votimi i disa deputetëve të saj, si dhe përsëritja e ripërsëritja disa herë, e votimit, pikërisht shkaku i deputetëve nga kryesia e vjetër e kësaj partie, si Agim Veliu, ish kryeministri kundër kushtetues Avdullah Hoti etj, ky veprim zbehu shumë aktin pozitiv të LDK-së, për praninë e saj, duke ia humbur vlerën vetvetes, megjithëse qëndruan në Kuvend për ta siguruar kuorumin”, theksoi ai.

Njohësi i çështjeve politike tha se sado që është ndërruar kryetari dhe kryesia e LDK-së, ende po vazhdon stagnimi për reformimin e saj.

Sipas tij, duke u bazuar në qëndrimet e paqarta dhe negative të LDK-së dhe humbjen e thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit, është e vështirë të besohet se ka kjo parti ka shënuar rritje prej 5 përqind, për një kohë kaq të shkurtër.

“Sepse sado që në këtë parti është ndërruar kryetari dhe kryesia e saj, vazhdimi i mbajtjes së qëndrimeve të paqarta e negative, ndaj figurave kryesore të cilat kanë marrë më së shumti vota në gjithë vendin, nuk e qon përpara LDK-në, por shkakton stagnimin e saj dhe me gjithë shikimin e LDK-së, me një sy paksa më pozitiv nga elektorati, është tejet vështirë të konstatohet, për të mos thënë, plotësisht e pabesueshme, që për kohë kaq të shkurtër, një parti me kuotë të pashembullt të humbjes, si LDK, të rritet menjëherë 5%, gjë që mendojë se asaj, i duhet pak më tepër kohë dhe përpjekje më të mëdha, për arritjen një përqindje të tillë, ngase ngritja 5%, për kohë kaq të shkurtër, duket jo reale dhe pothuajse e pamundur”, potencoi ai.

Qarri tha se zgjedhjet lokale të cilat priten të mbahen në fund të këtij viti, do ta dëshmojnë më së mirë, nëse me të vërtet Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur rritje, siç ka potencuar nënkryetarja e saj, Shqipe Mjekiqi.

“Madje, edhe nëse vërtetë kanë ndodhur ndryshime pozitive në përqindjen e mbështetjes së LDK-së, për arsye të zgjedhjes së kryesisë së re dhe, krijimit të kuorumit apo edhe votimit të Dr. Vjosa Osmanit për presidente të vendit, sa i takon rritjes apo mos-rritjes, si dhe mbështetjes reale të elektoratit, për LDK-në, tanimë na ndajnë vetëm edhe pak muaj, kur pritet të mbahen zgjedhjet komunale, ku LDK do ta dëshmojë me votën e marrë nga elektorati, se si qëndron vërtetë përqindja e mbështetjes së saj në opinionin e vendit”, deklaroi ai.

Tutje, për ta rritur performancën e partisë, analisti sugjeroj kryesinë e LDK-së që të ndryshojë mentalitetin udhëheqës në rastin kur shteti ka nevojë për emërimin e figurave të larta politike.

“Kurse për të rritur performancën e partisë dhe fituar numër më të madh të votave nga elektorati, në LDK, duhet urgjentisht të ndryshohet mentaliteti udhëheqës dhe përmirësohet konstruktiviteti i saj si parti, sidomos në rastin kur shteti ka nevojë për emërimin e figurave të larta politike, në krye të institucioneve dhe vet shtetit të Kosovës”, potencoi Qarri.

Në fund, analisti deklaratën se LDK ka shënuar rritje prej 5 përqind, e vlerëson më shumë si një dëshirë të nënkryetares së kësaj partie, se sa një realitet politik. Ai përmendi edhe disa arsye se si mund të ndodhë kthesa pozitive e LDK-së në skenën politike.

“Ndaj deklarata e zonjës Mjekiqi, mbi rritjen 5% të LDK-së, për momentin më duket vërtetë, më tepër dëshirë e saj, se sa realitet partiak i LDK-së, ndërsa realitetit mund të mësohet vetëm pas pak muajsh në terren, kur në Kosovë do të mbahen zgjedhjet lokale, me ç 'rast kthesa pozitive do të ishte e mundur edhe për LDK-në, nëse në këtë parti, përveç ndërrimit të kryetarit dhe kryesisë së vjetër, ndryshohet edhe mentaliteti udhëheqës dhe përmirësohet konstruktiviteti i saj si parti, duke dhënë kontributin e vet të pakursyer partiak, sidomos në rastin kur vendi ka nevojë për emërimin e figurave më të larta politike, në krye të institucioneve të vendit dhe vet shtetit të Kosovës, siç ishte rasti me zgjedhjen e presidentes , zonjës Dr. Vjosa Osmani”, përfundoi analisti Gani Qarri, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat