Reformat në LDK, Kelmendi jep paralajmërimin: Kjo parti do të fundoset edhe më shumë – ja kush e ka përgjegjësinë për humbjen e madhe

Politika

Reformat në LDK, Kelmendi jep paralajmërimin: Kjo parti do të fundoset edhe më shumë – ja kush e ka përgjegjësinë për humbjen e madhe

Nga: N. H Më: 11 prill 2021 Në ora: 17:36
Lidhja Demokratike e Kosovës

Kuvendi i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK) muajin e kaluar ka zgjedhur kryetarin, nënkryetarët dhe Kryesinë e re.

Mirëpo, përkundër se kjo parti pas më shumë se 10 viteve ka liderin e ri dhe Kryesinë e re, këto reforma sipas profesori dhe njohësit të zhvillimeve politike në vend nuk po shihen si të suksesshme.

Analisti politik, dhe profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot” është i mendimit se partia e Lumir Abdixhikut nuk ka bërë asnjë reformë, por se vetëm ka deformuar zhvillimin tradicional që ka pasur që dikur ka pasur.

Kelmendi në një bisedë për gazetën “Bota sot”, është shprehur se për të bërë reforma, kjo parti është dashur të futet e gjitha në zgjedhje.

“Fillimisht mendoj se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka bërë asnjë reformë, vetëm se ka deformuar zhvillimin tradicional që ka pasur. Kjo është Kryesi e re, por nuk është reformë, për faktin se është dashur e gjithë partia të shkojë me të gjitha strukturat në zgjedhje të brendshme. Ai Këshill i Përgjithshëm ka tërë përgjegjësinë për këtë humbje kaq të madhe, dhe të thellë që ka pësuar në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme të 14 shkurtit”, ka thënë Kelmendi, të dielën për gazetën “Bota sot”.

Image
Analisti politik, dhe profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi

Tutje, Kelmendi ka theksuar se as pas ardhjes së Abdixhikur, LDK-ja nuk është se ka ndalur trendin e rënies.

Madje, ai mendon se qasja e këtij subjekti politik karshi Lëvizjes Vetëvendosje, do ta fundosë edhe më shumë partinë më të vjetër në vend.

“Ardhje e Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së nuk është se ka ndryshuar trendin e rënies së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ardhja e këtyre personave në krye të kësaj partia përfundimisht do ta fundosë LDK-në, sepse qasja e tyre vazal karshi partisë e cila është në pushtet; Lëvizjes Vetëvendosje, dhe për mendimin tim kjo parti më nuk është as degë e LDK-së, por vetëm një degë e Lëvizjes Vetëvendosje. Këtë e kemi parë në zgjedhjen e presidentes, ku kjo parti iu nënshtrua hegjemonisë së Albin Kurtit”, ka theksuar profesori dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend.

Krejt në fund, profesori universitar për gazetën “Bota sot”, ka potencuar se Lidhja Demokratike e Kosovës me qasjen e deritanishme do të jetë cdoherë vazal, si dhe shërbyes i pushtetit aktual.

“Kjo është e papranueshme. Lidhja Demokratike e Kosovës me këtë qasje nuk është duke e bërë as më të voglën opozitë. E them me shumë përgjegjësi se sa herë do t’i duhet Albin Kurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës, ky subjekt do të jetë vazal, dhe shërbyes i pushtetit aktual. Gjithashtu, mendoj se qeveria aktuale është më e dobëta e pasluftës, me kuadrot në aspektin profesional, dhe me njerëzit dhe premtimet e dhëna, që dorën në zemër që ka ardhur në pushtet, kur dihet se tashmë janë më pak se katër ministra të kësaj qeverie të cilët janë me aktakuza”, ka përfunduar analisti politik, dhe profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi. /“Bota sot”/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat