Vendimi skandaloz i Europa Nostra për Manastirin e Deçanit, kështu duhet të veprojë shteti i Kosovës

Politika

Vendimi skandaloz i Europa Nostra për Manastirin e Deçanit, kështu duhet të veprojë shteti i Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 12 prill 2021 Në ora: 08:46
Manastiri i Deçanit

Manastiri i Deçanit rrezikon të shpallet në listën e 7 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë për vitin 2021.

Në raportin e organizatës Europa Nostra, theksohen dy arsye pse Manastiri i Deçanit është ndër objektet e rrezikuara: sulmi ndaj Manastirit të Deçanit në vitin 2016 nga siç thuhet “ISIS” dhe arsyeja e dytë-projekti i ndërtimi të rrugës nga Deçani për në Plavë.

Lidhur me këtë, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, i kanë dërguar një letër organizatës Europa Nostra, ku kanë shpalosur argumentet përse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.

Ndër tjera thuhet se, “Gjykuar nga kriteret e përzgjedhjes për t’u përfshirë në listën tuaj, ne besojmë në vlerat universale, të cilat i ngërthen në vete Manastiri i Deçanit. Brenda sistemit të trashëgimisë kulturore, monumenti ka rëndësi të veçantë dhe vlera kulturore të jashtëzakonshme. Megjithatë, ky nominim nuk e plotëson kriterin më të rëndësishëm të programit tuaj, atë që lidhet me argumentimin e rrezikut serioz që i kanoset monumentit. Më poshtë po i shpalosim argumentet tona, të cilat bazohen në informacion zyrtar të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe raportet relevante ndërkombëtare”.

E pas kësaj, kjo organizatë i ka kthyer letrën Osmanit dhe Kurtit, duke mos hequr dorë nga fakti që Manastiri i Deçanit është pjesë e 7 monumenteve më të rrezikuara.

“Ju falënderojmë për letrën tuaj të datës 18 mars, të cilën ju ia keni drejtuar Bordit të Europa Nostra si dhe Panelit Këshillëdhënës të programit tonë 7 Më të Rrezikuarat. Dëshirojmë t’ju sigurojmë se i kemi shqyrtuar me kujdes pikëpamjet tuaja sa i përket Manastirit të Deçanit i cili është pjesë e Listës së Monumenteve Botërore në Rrezik dhe i cili ka hyrë në listën tonë të ngushtë të 7 Monumenteve më të Rrezikuara në Europë për vitin 2021. Dëshirojmë të kujtojmë se duke bërë publike një listë të tillë vit pas viti, Europa Nostra dhe partneri ynë, Instituti i Bankës së Investimeve Europiane, angazhohemi të veprojmë si katalizatorë për ndryshim pozitiv dhe dialog të kthyer nga e ardhmja i cili është i rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë së rrezikuar të Europës”, thuhet ndër të tjera në letrën e kësaj organizate.

Pas kësaj ka reaguar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ka thënë se qasja e Europa Nostra është joprofesionale, jorealiste, e njëanshme dhe me ndikim të qartë politik.

“Vendimi për ta futur Manastirin e Deçanit në listën e 7 objekteve më të rrezikuara nuk bazohet në logjikë të shëndoshë, duke qenë se vetë arsyetimi i vendimit bie ndesh me argumentet për rrezikun që kinse po i kanoset. Për këtë flasin edhe fotografitë të cilat i ka publikuar vetë Europa Nostra në faqen e saj zyrtare. Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke e trajtuar me përkushtim të plotë këtë çështje. Jemi duke zhvilluar konsultime të brendshme, si dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë për të përcaktuar hapat e ardhshëm për trajtimin e këtij problemi, të cilët do t’i ndërmarrim në ditët në vijim. Republika e Kosovës është instanca më e lartë e mbrojtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore në vend. Ne e mbrojmë trashëgiminë tonë. Trashëgimia jonë është universale. Ajo i takon krejt njerëzimit, i takon brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm”, ka thënë ai.

Ndërsa, Bashkim Ramosaj, kryetar i Komunës së Deçanit, ka thënë se Manastiri i Deçanit është futur në listën e monumenteve të rrezikuara në Evropë pasi Serbia arriti të bindë organizatën “Europa Nostra”, përmes mashtrimeve dhe viktimizimeve.

“Ky relacion është krijuar mbi fakte të pavërteta. Mbi këto fakte është dashur të pyeten institucionet që e kanë në kompetencë ruajtjen e Manastirit si KFORI dhe vlerësimi i tyre është pozitiv. Vlerësimi i tillë ka ardhur si pasojë e mashtrimit dhe viktimizimit të personelit të Manastirit që ka ndikim edhe qeveria e Serbisë në këtë aspekt. Duhet të bëhet një prerje e situatës. Shqiptarët në Deçan dhe Kosovë tashmë e kanë dëshmuar që janë njerëz me objektive paqësore dhe kanë dëshmuar që s’kanë asgjë kundër Manastirit në Deçan dhe objekteve tjera ortodokse”, ka deklaruar Ramosaj.

Imeraj: Letra e Osmanit dhe Kurtit shumë bindëse, vendimi i Europa Nostra-skandaloz

Kurse, Shkodran Imeraj nga Lidhja e Historianëve “Ali Hadri” ka thënë se, letra e dërguar nga presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, është për tu vlerësuar, sepse ishte shumë bindëse dhe e argumentuar me fakte.

Image
Shkodran Imeraj

Sipas tij, heshtja e tyre, karshi vendimit të publikuar me 8 prill 2021, nuk është fer.

“Heshtja dhe mos reagimi i presidentes Osmani, kryeministrit Kurti dhe kryekuvendarit Konjufca, për vendimin e organizatës “Evropa Nostra” me të cilin Manastiri i Deçanit është futur në mesin e shtatë (7) objekte më të rrezikuara në Evropë, nuk është korrekt, është ikje nga përgjegjësit e tyre kushtetuese e ligjore. Letra e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, dërguar organizatës në fjalë me 18 mars 2021, është për tu vlerësuar, sepse ishte shumë bindëse dhe e argumentuar me fakte. Por heshtja e tyre, karshi vendimit të publikuar me 8 prill 2021, nuk është fer”, ka thënë Imeraj.

Sipas tij, Manastiri i Deçanit nuk duhet të figurojë në listën e Europa Nostra në mesin e shtatë monumenteve më të rrezikuara në Evropë dhe se ky vendim është skandaloz.

“Manastiri i Deçanit nuk është i rrezikuar nga shqiptarët apo nga banorët vendas por është i rrezikuar nga politika antishqiptare e Sava Janjiq, i cili është duke e realizuar politikën e Beogradit. Manastiri i Deçanit nuk është i rrezikuar nga askush. Vendimi i Europa Nostra është skandaloz sepse sigurinë e manastirit e mbajnë forcat paqeruajtëse. Është vendim që e vë shumë poshtë imazhin e Kosovës. Siguria në Deçan është e qëndrueshme. Manastiri i Deçanit nuk është vetëm tempull fetar por është ambasadë serbe dhe ruse në Kosovë sepse politikat e saj po shkaktojnë shumë probleme”, është shprehur Imeraj.

Kelmendi: Kjo është propagandë serbo-madhe

Image
Muhamet Kelmendi

Në anën tjetër, profesori dhe njohësi i çështjeve politike Muhamet Kelmendi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se e tëra kjo është një propagandë serbomadhe dhe fatkeqësisht ka gjetur terren në shumë vende dhe tash po merret edhe si fakt se gjoja shqiptarët myslimanë na qenkan barbarë.

“Në kuadër të propagandës serbomadhe në botë është edhe ideja se në Kosovë nga shqiptarët "myslimanë" po "rrezikohen" objekte të rëndësisë së madhe ortodokese-serbe. Kjo ideologji dhe propagandë ka gjetur terren në shumë vende dhe tash po merret edhe si fakt se gjoja shqiptarët myslimanë na qenkan barbarë. Këtu është e dhëna e kësaj organizate tipike shoviniste dhe se këndejmi është ideja e rrezikimit të Manastitit të Deçanit nga shqiptarët”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, organizata “Europa Nostra” është e krijuar nga forcat e errëta shoviniste dhe natyrisht se financohet nga subjektet e ndryshme, që në emër të rrezikimit të “krishtit” kanë ndërmarrë aksione nëpër Evropë.

Ai shton më tej se, Serbia këtë propagandë e ka bërë në Këshillin e Evropës, pranë UNESKOS, në OKB , në UE në shumë mekanizma tjerë. Qëllimi është për të paraqitur shqiptarët në barbari dhe në ekstremist mysliman.

“Organizata "Europa Nostra" është e krijuar nga forcat e errëta shoviniste dhe natyrisht se financohet nga subjektet e ndryshme që në emër të rrezikimit të "krishtit" kanë ndërmarrë aksione nëpër Evropë. Tehu i kësaj propagande është në Europë Kosova dhe objekte sllave. Duhet thënë se Serbia këtë propagandë e ka bërë në Këshillin e Evropës, pranë UNESCO-s, në OKB, në UE në shumë mekanizma tjerë. Qëllimi është për të paraqitur shqiptarët në barbari dhe në ekstremist mysliman. Kështu vepruan edhe në Kosovë organet e UNIMIK-t, OSBE-së dhe të UE-së. I detyruan organet që edhe tokë tu marrin shqiptarëve për këto kisha dhe manastire etj. Por, përkundër kësaj, duhet thënë se Manastirin i Deçanit i takon së bashku me Patriarkanen e Pejës objekteve të trashëgimisë shqiptaro-ortodokese dhe të cilat gjatë pushtimin Osman kanë kaluar në administrim serb me ndihmën dhe me përkrahjen e Rusisë. Perandoria Osmane ka pranuar që pas çdo humbjeje të luftës me Rusinë të bëjë lëshime të mëdha në Ballkan. Kështu kaluan objektet e tilla në sllave dhe kështu u dhanë tokat shqiptare shteteve sllave të Ballkanit. Objekte të tilla gëzojnë mbrojtje shtetërore dhe më mirë se kudo në botë mbrohen dhe janë shumë të sigurta. Manastirit të Deçanit iu dhanë edhe dhjetëra hektarë tokë të punueshme të shqiptarëve nga Deçani. Dhe përkundër kësaj u lejua rrethimi me mure dhe mbrohen me polici e me ushtri. Nëse shikohen këto dy objekte, Manastiri i Deçanit, Patriarkana Pejës, mendon se je në mesjetë, sepse janë të rrethuara me mure të gurit dhe të mbrojtur me firkon e shtetit. Mirëpo, organizatës së tillë shoviniste kjo nuk u lënë fare mbresë kundruall ideologjisë asimiluese të shtetit serb. Ata mbështeten kryesisht në këtë ideologji dhe këtej edhe veprojnë”, ka deklaruar profesori.

Sipas tij, shteti i Kosovës duhet që t'i ketë këto objekte në mendje dhe t'i mbajë nën vëzhgim, kjo për faktin se edhe sot nga këto kisha e manastire po veprohet mbi baza kriminale, duke shtuar se shqiptarët nuk kanë shkatërruar objekte fetare kjo nuk është në kulturë e shqiptarëve.

“Ajo që është e dëmshme është fakti i veprimit të organeve të Kosovës. Këto objekte janë shndërruar me Kishën e Graçanicës në vende kriminale shoveno-raciste serbo-mëdha dhe nga aty janë organizuar ndëshkime dhe vrasje kriminale të shqiptarëve. Shteti i Kosovës duhet që t'i ketë këto objekte në mendje dhe t'i mbajë nën vëzhgim. Kjo për faktin se edhe sot nga këto kisha e manastire po veprohet mbi baza kriminale. Po kështu duhet thënë se kurrë shqiptarët nuk kanë shkatërruar objekte fetare kjo nuk është në kulturë e shqiptarëve. Shqiptarët nuk kanë luftuar kundër kishave e manastireve, sikundër as edhe kundër popullsisë civile, fëmijëve e gjinisë femërore, pleqve dhe plakave. Nuk njeh historia e jonë këso lufte gjenocidiale. Janë serbët që kanë dhunuan, vranë e terrorizuan. Është Beogradi që i pat shkatërruar mbi 200 xhami dhe mbi 150 mijë shtëpi e objekte të ndryshme. Nga çetnikët serb u përdhunuan 20 mijë femra shqiptare etj. Për këtë organizatë këto nuk kanë vlerë. Dhe meqë është kështu, fare nuk duhet të na brengos ideja fashiste e saj. Kosova duhet të luftojë për të vërtetën dhe se këndejmi të sqarojë mekanizmat dhe subjektet në botë me gjendjen reale në Kosovë. E, ajo është thjeshtë raciste e bërë nga shoviniste serbomëdhenj”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat