Hetimi i vrasjeve të pasluftës, nga Qeveria Kurti apo Gjykata Speciale?

Politika

Hetimi i vrasjeve të pasluftës, nga Qeveria Kurti apo Gjykata Speciale?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 14 prill 2021 Në ora: 13:03
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Lidhja Demokratike e Kosovës ishte shumë e zëshme sa herë që përmendej ҫështja e vrasjeve politike, kryesisht e veprimtarëve të kësaj partie. Megjithatë, LDK-ja nuk ndërmori diҫka në këtë drejtim dhe ato vazhdojnë të mbesin të pazgjidhura.

Më të zhgënjyerit janë familjarët e tyre që po presin nga secila qeveri do të ndërmarr diçka në këtë drejtim.

Ankesat më të mëdha gjithmonë janë drejtuar tek LDK-ja, e cila kishte pushtetin disa herë, mirëpo nuk e shfrytëzoi për të zbardhur këto raste.

Shpresat kanë mbetur vetëm tek Gjykata Speciale, që mund të hetojë dhe ndoshta ndëshkojë rastet e vrasjeve të pasluftës.

Gazeta ka kontaktuar Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë nëse kanë plane për këto raste, mirëpo ata nuk e kanë komentuar këtë ҫështje.

Këtë çështje nuk e kanë komentuar as deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes.

Ish deputetja e LDK-së: Detyra e Qeverisë është që të siguroj kushte për gjyqësor të pavarur

Ndërkaq ish deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vlora Limani Hajnuni, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Qeveria duhet të krijojë kushte për një gjyqësor të pavarur dhe të merret me të gjitha rastet që kanë ndodhur në Kosovë.

Image
Vlora Limani Hajnuni

“Detyra e Qeverisë është që të sigurojë kushte për gjyqësor të pavarur. Pastaj janë organet e drejtësisë ato që duhet të merren me këto raste dhe me të gjithë rastet tjera që kanë ndodhur në Kosovë”, ka vlerësuar ajo.

Po ashtu, ish deputetja e LDK-së thotë se këto raste është dashur të ishin zbardhur moti, por tani duhet të kërkohet drejtësi pa i futur politika duart në drejtësi.

“Dorën në zemër këto raste do duhej të ishin zbardhur moti, por me që s'ka ndodhur, të gjithë ne duhet me ngulm të kërkojmë drejtësi. Por pa synuar që politika t’i fus duart në drejtësi”, ka deklaruar Vlora Limani Hajnuni.

Mehmeti: Me vrasjet e pasluftës merret Gjykata Speciale

Kurse, analisti i ҫështjeve politike, Faton Mehmeti ka thënë se nuk shpreson që Qeveria Kurti të punojë në këtë drejtim. Sipas tij, me këto vrasje do të merret Gjykata Speciale.

Image
Faton Mehmeti

“Nuk besoj se qeveria Kurti do të punojë në këtë drejtim. Me vrasjet e pasluftës merret Gjykata Speciale, pra është në dorën e saj që t’i zgjidh këto vrasje, të cilat akoma janë plagë e hapur e shoqërisë shqiptare të Kosovës. Kështu që, këto vrasje pritet dhe besoj se do të zgjidhen nga Gjykata Speciale”, ka theksuar Mehmeti.

Sipas tij, kjo qeveri nuk ka se si të merret me vrasjet e pasluftës, kur të akuzuarit tashmë veç ndodhen në Hagë.

“Mos të harrojmë se deri tani në disa nga të akuzuarit, prokuroria ka përmendur edhe vrasjet e pasluftës, të cilat nuk mund t'i zgjidh kurrë drejtësia e Kosovës. Kështu që, qeveria Kurti nuk do të merret me këtë ҫështje dhe s’ka pse të merret kur personat përgjegjës janë në Hagë”, ka thënë Faton Mehmeti për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat