“Përplasja” për flamurin e Kosovës, ish-këshilltari i lartë amerikan “godet” Rusinë me këtë kërkesë

Politika

“Përplasja” për flamurin e Kosovës, ish-këshilltari i lartë amerikan “godet” Rusinë me këtë kërkesë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 15 prill 2021 Në ora: 19:09
Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla

Kreu i Institutit të Universitetit Columbia për të Drejtat e Njeriut në New York David Phillips, ka komentuar përplasjen Kosovë-Rusi, në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u mbajt të martën.

Rusia në këtë mbledhje ka kërkuar që Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla, të heqë flamurin e Kosovës nga sfondi. Por, kryediplomatja Gërvalla nuk e ndryshoi dhe flamuri i Kosovës qëndroi përsëri pas saj në mjedisin ku ajo qëndronte gjatë mbledhjes.

E ish-këshilltari i lartë në Departamentin e Shtetit, David Phillips, ka thënë se Kosovës duhet t’i lejohet të valojë flamurin e saj, kudo që kërkojnë zyrtarët e saj.

Image
David Phillips

Duke folur për gazetën “Bota sot”, eksperti amerikan ka kujtuar se Rusia vazhdimisht pengon përpjekjet e Kosovës për njohje më të mëdha, për shkak të SHBA-së.

“Rusia sistematikisht pengon përpjekjet e Kosovës për të fituar një njohje më të madhe globale. Veprimet e saj janë në pjesën më të madhe një sulm kundër interesave të SHBA në Ballkanin Perëndimor, ku NATO hyri në luftë në mënyrë që të parandalonte atë që ndodhi në Bosnjë të ndodhte në Kosovë. Republikës së Kosovës duhet t’i lejohet ta valojë flamurin e saj kudo dhe kurdo që zgjedhin zyrtarët e saj”, është shprehur Phillips.

Ai ka kërkuar nga Rusia që të ndalojë së ngacmuari Kosovën dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin e saj në OKB.

“Rusia minon rendin ndërkombëtar përmes veprimeve të saj në kufirin e Ukrainës dhe kërcënimeve ndaj shteteve sovrane në të ashtuquajturën sferën e saj të ndikimit. Nëse Rusia zgjedh të jetë një forcë për të mirë në punët botërore, ajo duhet të ndalojë ngacmimin e Kosovës dhe të mirëpresë anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka theksuar David Phillips për “Bota sot”.

Ndaj kërkesës së Rusisë në këtë mbledhje, ka reaguar përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, duke thënë se nuk shohin arsye që të kryediplomatja e Kosovës të ndryshojë pamjen prapa saj.

“Ky nuk është një takim zyrtar dhe ne nuk shohim ndonjë arsye që ministrja Gërvalla të ndryshojë pamjet prapa për të vazhduar prezantimin”, ka thënë përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar. /Botasot

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat