Kosova fitoi duelin me Serbinë e Rusinë, Donika Gërvalla fitoi ndaj armiqve

Politika

Kosova fitoi duelin me Serbinë e Rusinë, Donika Gërvalla fitoi ndaj armiqve

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 16 prill 2021 Në ora: 08:27
Donika Gërvalla

Të martën është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku tema kryesore e diskutimit ka qenë Kosova.

Në këtë seancë ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Por, mënyra si u përfaqësua Kosova në këtë mbledhje nuk kaloi aq lehtë. Kjo pasi që pak minuta pas nisjes, përfaqësuesi i Rusisë ka kërkuar që Gërvalla ta largojë flamurin e Kosovës nga prapavija.

“Ne nuk jemi kundër përfaqësuesve të Kosovës, megjithatë dua të ndaj faktin që zonja Donika Gërvalla është ulur para flamurit të Kosovës. Kosova nuk është e njohur si shtet por vetëm si territor, prandaj kërkojmë që për të vazhduar prezantimin ajo ose të ndryshojë pamjen prapa ose të heq flamurin në mënyrë që të vazhdojmë tutje”, citohet të ketë thënë përfaqësuesi i Rusisë.

Mirëpo,  Kosovës i dolën në krah shtetet mike dhe rifilloi seanca e këshillit të OKB-së.

Gjatë kësaj, mbledhje, Gërvalla ka përmendur të bëmat e Serbisë, duke filluar me vrasjen e babait të saj Jusuf Gërvallës, deri të krimet makabre që i kanë bërë në Kosovë.

“Baba im është vrarë nga regjimi i Beogradit në tokë të huaj, në Gjermani. Fëmijëve të mi u them se nuk ka të bëjë me serbët por Serbia duhet ta bëjë dallimin – duhet t’i sjellë kriminelët e luftës para drejtësisë”, ka thënë ajo.

Po ashtu, ajo u ka bërë të qartë Serbisë dhe Rusisë se Pavarësia e Kosovës është punë e kryer.

“Pavarësia e Kosovës është punë e kryer dhe do të ishte mirë për Serbinë sa më parë që e pranon këtë”, është shprehur Gërvalla.

Deklaratat e saj u komentuan në opinionin publik, duke u vlerësuar si një ndër paraqitjet më dinjitoze të Kosovës që nga pas lufta.

Mehazi: Gërvalla i shkaktoi debakël diplomatik botëror Serbisë e Rusisë

Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar paraqitjen e Gervallës, duke thënë se ishte siluetë e gjallë e babait të saj, Jusuf Gërvallës, për mbrojtjen e Kosovës nga armiqtë.

Image
Sulejman Mehazi

“Paraqitja e Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla në Këshillin e Sigurimit ishte siluetë e gjallë e babait të saj, Jusuf Gërvallës, për mbrojtjen e Kosovës nga armiqtë e përbetuar serb e rus. Paraqitja e saj dinjitoze ishte ndërgjegje familjare e kombëtare mu atje ku duhej, në OKB, para të gjitha shteteve të botës tregoi krimet, dhunimet, vrasjet e bëra serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Profesori ka cekur se Gërvalla ia ka numëruar argumentet makabre Serbisë, duke theksuar se nuk ka  dialog me ta pa kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë.

“Argumentet makabre të politikës absurde serbe ua renditi një nga një që nga vrasja e babai Jusufit, që e ka kuptimin e simbolikës të mijëra burrave të vrarë shqiptarë, nga përdhunimi i Vasfijes, që e ka kuptimin e simbolikës së mijëra grave të përdhunuara shqiptare, e deri te kushtëzimi, se, nuk ka dialog me Serbinë para se ky shtet të kërkojë falje për krimet e bëra në Kosovë”, ka deklaruar Mehazi.

Sipas  tij, ministrja e MPJ-së i ka shkaktuar  Serbisë e Rusisë debakël diplomatik botëror.

“Diskutimi prefekt argumentues e i guximshëm i Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallës i shkaktoi Serbisë e Rusisë debakël diplomatik botëror, rafallet e plumbave serbe ndaj Jusuf Gërvallës, Donika Gërvalla iu kundërvu me rafalle argumentesh diplomatike mu në qendër të politikës botërore, OKB”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, profesori ka shtuar se Gërvalla e bëri një revanshizëm e hakmarrje politike e diplomatike ndaj krimeve serbë e ruse në Kosovë.

“Donika Gërvalla nuk bëri asgjë më shumë përveç që vazhdoi idealin e babait dhe shumë të vrarëve në vend, atë që bënë serbët me pushkë ndaj kosovarëve, Donika Gërvalla e bëri një revanshizëm e hakmarrje politike e diplomatike në Këshillin e Sigurimit ndaj krimeve serbë e ruse në Kosovë. Ua bëri me dije serbëve se Kosova është e shqiptarëve e kurrë e serbëve”, ka thënë Mehazi për “Bota sot”.

Qarri: Gërvalla e fitoi duelin ndaj armiqve

Ndërkaq, analisti politik, Gani Qarri, në një bashkëbisedim për “Bota sot”,  ka thënë se paraqitja e ministres Gërvalla që nga paslufta e këndej, ishte paraqitja më brilante e një përfaqësueseje diplomatike të vendit tonë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Image
Gani Qarri

“Femrat e suksesshme të Kosovës, bënë edhe një herë historinë, bënë atë që nuk ka mundur ta bënte ende tash e mbi 21 vite me radhë, asnjë burrë, bënë mbrojtjen e vendit dhe shtetësisë tonë, me shumë sukses, bënë edhe më tepër krenar shqiptarët kudo, qytetarët e gjithë vendit dhe bashkëkombësit tanë, me paraqitjen emblematike, vendosmërinë dhe arritjet brilante diplomatike, të cilat do të mbeten si shembujt më të shkëlqyer të mbrojtjes së vendosur të shtetësisë dhe pavarësisë së vendit tonë edhe në nivelet më të larta ndërkombëtare, si Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Paraqitja e parë e Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla që nga paslufta e këndej, ishte paraqitja më brilante e një përfaqësueseje diplomatike të vendit tonë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sa që me plotë të drejtë, u vlerësua si përfaqësimi më dinjitoz diplomatik deri më tani i vendit në një takim të një niveli kaq të lartë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, ai ka shtuar se Gërvalla doli ngadhënjimtare në skenën më të madhe botërore në përballje me Rusinë.

“Ministrja e Jashtme e Kosovës, jo vetëm kundërshtoi vendosmërisht pretendimet e Rusisë, por doli edhe ngadhënjimtare në skenën më të madhe botërore në përballje me këtë shtet agresor, për mbrojtjen e të drejtës së paraqitjes së Kosovës me flamurin e vet shtetëror dhe përfaqësimit të saj si shtet i barabartë në Këshillin e Sigurimit njëjtë si të gjitha vendet anëtare të OKB-së”, ka vlerësuar analisti.

Gjithashtu, Qarri ka vënë në theks veprimin e Rusisë, pasi që Gërvalla nuk pranoi që të largonte flamurin e shtetit të Kosovës.

“Madje Donika Gërvalla, në duelin jo fort diplomatik me përfaqësuesit agresiv rus, fitoi me sukses të plotë këtë duel dhe më në fund vet Rusia u detyrua të tërhiqej dhe pranonte paraqitjen e Kosovës si shtet i lirë e i pavarur, si dhe përfaqësimin e saj në këtë takim të një niveli kaq të lart ndërkombëtar me simbole shtetërore si të gjitha vendet tjera të pavarura, sukses ky që meriton çdo lëvdatë, edhe për vet faktin se nuk ka mundur ta arrinte ndër vite, as ta shënojë kush, qysh në takimin e parë diplomatik të një niveli të tillë ndërkombëtar deri më tani, në gjithë periudhën mbi 21 vjeçare të pas çlirimit të Kosovës nga Serbia”, ka cilësuar ai.

Më tej, Qarri ka shtuar se Gërvalla me paraqitjen e saj dinjitoze ia ka bërë të qartë Serbisë dhe Rusisë se pavarësia e Kosovës është e përjetshme dhe e pakthyeshme.

“Për aq më tepër, paraqitja e parë e Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, para Këshillit të Sigurimit, ishte paraqitja më dinjitoze që e ka pasur ndonjëherë Kosova para një organi kaq të lartë mbarë botëror, e cila përfundimisht ia bëri të qartë Serbisë dhe Rusisë se pavarësia e Kosovës është e përjetshme dhe e pakthyeshme më asnjëherë, e vulosur qysh më 2010 edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë së OKB-së, dhe e vërtetuar ligjërisht nga vet ky organ më i lartë juridik mbarë botëror, e përjetësuar tash e përgjithmonë, në analet e historisë së shteteve të pavarura nga e mbarë bota, ku edhe shqiptarët me femra të tilla të zonja, si Donika, Dr.Vjosa, zonja Çitaku etj, po përfaqësohen dhe gravitojnë gjithnjë e më ballëhapur”, është shprehur Gani Qarri për “Bota sot”.

Bytyçi: Gervalla para OKB-së me kërkesa të qarta

Kurse, opinionisti Adem Bytyçi ka deklaruar se paraqitja e Gervallës ishte dinjitoze me kërkesa ekzakte se si do duhej ta trajtonin Serbia dhe Rusia.

Image
Adem Bytyçi

“Paraqitja e Gervallës në cilësinë e Ministres së punëve të jashtme të Kosovës para Këshillit të Sigurimit, ka qenë dinjitoze me kërkesa ekzakte se si do duhej ta trajtonin Serbia dhe Rusia këto dy shtete anti Kosovë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

 Në fund, Bytyçi ka thënë se Serbisë dhe Rusisë  është bërë e qartë se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm.

“Donika Gérvalla gjatë paraqitjes së saj para Këshillit të sigurimi, difinitivisht ia ka bëri të qartë jo vetëm Rusisë dhe Serbisë, por edhe të gjitha shteteve tjera që hezitojnë ta pranojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës , se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm legjitimitetin e të cilit e ka konstatuar edhe Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë”, ka përfunduar Adem Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat