Parashikimi për Presidenten: Hashim Thaçi dështoi, por Vjosa Osmani do ta bëjë këtë ndaj Serbisë

Politika

Parashikimi për Presidenten: Hashim Thaçi dështoi, por Vjosa Osmani do ta bëjë këtë ndaj Serbisë

Nga: P.R Më: 16 prill 2021 Në ora: 21:25
Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë dhënë gazetës “The Irish Times”, ka deklaruar së Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocidin e kryer në Kosovë.

“Detyra jonë kryesore është të flasim në emër të viktimave dhe familjeve të tyre. Pra, çështja e personave të zhdukur është prioriteti ynë numër një. Gjithashtu dëmshpërblimet e luftës për të gjitha shkatërrimet që shkaktoi Serbia në Kosovë dhe jo vetëm gjatë luftës, por që nga viti 1989, kur Millosheviqi erdhi në pushtet dhe udhëhoqi një sistem të ngjashëm me aparteidin në vendin ton. Dhe së fundmi drejtësia, e cila është një parakusht për paqen. Ishte i qartë vullneti dhe qëllimi i Serbisë për shfarosjen dhe shkatërrimin e një populli bazuar në kombësinë e tij. Kështu që ne do të përgatitemi si vend për të ngritur padi kundër Serbisë kurdo që ne jemi gati për këtë, ligjërisht dhe sa i përket provave… Shumica e dëshmitarëve janë ende gjallë, ka prova dhe kjo është e qartë”, ka deklaruar presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

E të njëjtën gjë si Osmani e kishte paralajmëruar edhe paraardhësi i saj, Hashim Thaçi, gjë e cila nuk ndodhi kurrë.

Por analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot” shprehet i bindur se Kosova nën udhëheqjen e Vjosa Osmanit, do ta padisë Serbinë për krime lufte dhe gjenocid.

Image
Faton Mehmeti

“Derisa Thaçi kishte velëm fjalë, Vjosa ka punë, kështu së paku unë besoj, dhe kjo gjë do të shihet me kalimin e kohës. Besoj se Kosova , në krye me Vjosën do e padisë Serbinë për krimet, gjenocidin, dëmet e luftës. Tek e fundit kjo është gjëja më e duhur që Kosova duhet ta bëj dhe është dashur moti koha ta bëj”, thotë Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

“Por tani me njerëz të pa korruptuar, e rrjedhimisht edhe të pa shantazhuar, kjo gjë mund të jetësohet, Vjosa është e pa korruptuar, kjo e dallon me paraardhësin e saj që ishte njeri i korruptuar, andaj s’mund të bënte asgjë, pasi e kishe ‘mizën nën kapuç’”, deklaron me tej analisti Mehmeti.

Për fund, Mehmeti thotë se padia ndaj Serbisë për gjenocid, duhej të ishte bërë shumë kohë më parë.

“Në këtë logjikë, besoj se Kosova do e padisë Serbinë, një gjë që është dashur të bëhet shumë kohë më parë, por që nuk është bërë. Tani me me Vjosën, kjo gjë do të bëhet, do të jetësohet, dhe më në fund Serbia s’do përkëdhelet, por do jep llogari për gjithë krimet që i ka bërë në Kosovë”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat