Kush po i frikësohet konfiskimit të pasurisë? Profesori i Sigurisë tregon se kush do të hetohet dhe kujt i konfiskohet pasuria

Politika

Kush po i frikësohet konfiskimit të pasurisë? Profesori i Sigurisë tregon se kush do të hetohet dhe kujt i konfiskohet pasuria

Nga: N.Sh Më: 17 prill 2021 Në ora: 12:52
Ilustrim

Tashmë është miratuar nga Qeveria e Kosovës konspekt dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Pas kësaj, pritet që shumë shpejt të formohet Grupi punues brenda Ministrisë së Drejtësisë i cili do të punojë në hartimin e projektligjit për këtë çështje.

Ndërsa, zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit, kanë vlerësuar se Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, në rast se shndërrohet në ligj, pas miratimit eventual në Kuvendin e Kosovës, do t’i ndihmonte shumë luftës kundër korrupsionit, sidomos të atij të nivelit të lartë.

Ligji për konfiskimin e pasurisë është njëri prej ligjeve që më së shumti ka nevojë Kosova.

Kështu ka vlerësuar profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami, i cili shton se, zyrtarë të lartë të Kosovës dhe oligarkët janë duke e fshehur pasurinë e tyre.

“Dokumenti i cili është duke u përgatitur lidhur me ligjin për konfiskimin e pasurisë të cilës nuk i dihet prejardhja e saj është një nga ligjet i cili më së tepërmi ka nevojë në Kosovë, përshkak se një pjesë e njerëzve të fuqishëm të oligarkëve të Kosovës janë të fuqishëm dhe janë duke e fshehur pasurinë me një metodë jashtëzakonisht perfide ku pasuria e tyre nuk është në emër të tyre por që ata e kanë bartur tek persona e dytë ose të tretë, madje edhe të katërt në mënyrë që me një kohë të caktuar të mos iu bie në fije shteti se nga është prejardhja e asaj pasurie. Pra këtu është edhe debati i cili o zhvillohet në kohën e fundit në Kosovë se a duhet të hetohen edhe qytetarët”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.

Image
Profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami

Islami mendon se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht pozitës së tyre duhet të hetohen, përshkak se para ligjit të gjithë janë të barabartë.

“Duke pasur parasysh që shumica e njerëzve të fuqishëm dyshohen që e kanë keqpërdorë pushtetin dhe janë të pasuruar duke u bë milionerë, ata pasurinë e tyre, pra shumicën e parave nuk i kanë në emër të tyre përshkak se kur po bëhet deklarimi i pasurisë në Agjencinë Antikorrupsion del që njerëzit të cilët janë të dyshuar se janë milionerë dhe kanë keqpërdorur paranë publike të shtetit, po del pasuria e tyre më e vogël se e një qytetari të thjeshtë, ndërsa të gjithë e dimë, madje kemi edhe deklarata publike kur Xhavit Haliti thotë se, secili i kemi nga dy milionë”, pohon ai.

Ai shton se, të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit, dhe të hetohet secilit në mënyrë që ti dihet prejardhja e pasurisë.

“Edhe nëse është qytetarë i rëndomtë, por që dyshohet se për një periudhë të shkurtër është bërë milioner, edhe ai duhet të hetohet,”, pohon Islami.

Islami ka kritikuar edhe disa organizata joqeveritare, të cilat, sipas tij, në emër të mbrojtjes së qytetari kanë deklaruar se nuk duhet të hetohen qytetarët.

“Mendoj që ata nuk i kontribuojnë çështjes së drejt, për shkak se ato para janë të popullit dhe të taksa paguesve, dhe mendoj që janë disa grupe të veçanta që i shfrytëzojnë edhe mediat, por edhe organizatat joqeveritare”, thotë ai.

Islami ka treguar se ku duhet të shkojnë ato para që konfiskohen.

“Ligji për konfiskimin e pasurisë duhet të bëhet sa më parë që të formohet, ndërsa parat që konfiskohen, duhet ti kthehen një fondi të veçantë, pra fondit zhvillimor të vendit dhe të menaxhohen në mënyrë publike. Ato para të investohen në ekonomi, ose të jepen në mënyrë humanitar e sociale”, përfundon Avni Islami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat